Shtetet e Bashkuara do të miratojnë 240 milionë dollarë ndihmë humanitare për të adresuar nevojat e refugjatëve dhe emigrantëve në hemisferën perëndimore, tha në një deklaratë ditën e djeshme Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Blinken tha se shpërndarja e ndihmës do të bëhet përmes shërbimeve shëndetësore, strehimoreve, arsimit, por edhe dhënies së ndihmës juridike.
“Kjo paketë do të ndihmojë komunitetet që strehojnë emigrantë, si përmes financimit të programeve të mbështetjes së emigrantëve ashtu edhe përmes procesit të aplikimit për të marrë statusin zyrtar të qëndrimit,” tha Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit ndodhet në Peru, ndalesa e fundit e një turi njëjavor në Amerikën Latine. Turneu vjen si pjesë e një përpjekjeje për të riafirmuar angazhimin e SHBA-së ndaj rajonit në një kohë kur fokusi i politikës së jashtme të SHBA-së është Ukraina.