Gjykata e Lartë në Los Angeles të SHBA-së shpalli fajtor për përdhunim ish-producentin holivudian, Harvey Weinstein (70), në vendimin e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Juria e shpalli Weinstein fajtor lidhur me akuzën e një gruaje për përdhunim, sipas mediave amerikane.
Juria diskutoi për gati dy javë përpara se të merrte vendimin e saj bazuar në pretendimet e një gruaje të paidentifikuar e cila tha se Weinstein e përdhunoi atë në një dhomë hoteli në Beverly Hills në vitin 2013.
Prokurorët thanë se ai përdori ndikimin e tij në Hollywood për të joshur aktoret ambicioze në takime private dhe më pas abuzoi seksualisht me to.
“Përdhunuesit përdhunojnë. Mund të shikoni formularin. Keni prova të pakundërshtueshme për natyrën e këtij personi dhe atë që u bëri këtyre grave”, tha prokurori Paul Thompson.
Avokatët e Weinstein thanë se akuzat kundër klientit të tyre ishin të sajuara ose janë bërë me marrëveshje si pjesë e një “marrëdhënieje transaksioni” me producentin e filmit. Ata theksuan se nuk kishte prova për abuzim ndërsa avokati Alan Jackson i quajti viktimat “kërkuese të famës dhe pasurisë”.
Weinstein tashmë është duke vuajtur një dënim me 23 vjet burg në New York, pasi u dënua për përdhunime të tjera.
Vendimi i dënimit për rastin e Los Angeles është planifikuar për në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithatë, çfarëdo dënimi të jepet, Weinstein duhet së pari të kryejë dënimin e tij aktual me burg në New York përpara se të transferohet në Kaliforni.
Producenti holivudian është i njohur për filmat si “Pacienti anglez” dhe “Shekspiri i dashuruar”.
Më shumë se 100 gra, përfshirë aktore të famshme amerikane, e kanë akuzuar atë për ngacmim seksual që nga viti 2017, por Weinstein mohon të gjitha akuzat dhe pretendon se gratë kanë pranuar marrëdhëniet seksuale.