SHBA, Gjykata e Lartë shqyrton pretendimin e ish-presidentit Trump për imunitet absolut ndërsa ishte në detyrë

Anëtarët e Gjykatës së Lartë, si ata liberalë edhe ata konservatorë, duket se janë në një emërues të përbashkët për një të vërtetë bazë të sistemit amerikan të qeverisjes: Askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti.

“Ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë personat, edhe nëse një person qëllon të jetë president për një periudhë kohore”, shkruante anëtari i kësaj gjykate Samuel Alito në vitin 2020.

Më pak se një vit më parë, anëtarja më e re e gjykatës, Ketanji Brown Jackson, në atë kohë gjykatëse federale, shprehej: “E thënë thjesht, ajo që kuptojmë nga historia amerikane e 250 viteve të fundit, është se presidentët nuk janë mbretër”.

Por ish-presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij ligjor po e vënë në provë këtë parim themelor të enjten, ndërsa Gjykata e Lartë po shqyrton përpjekjen e kandidatit republikan për të shmangur ndjekjen penale lidhur me akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat ai humbi ndaj demokratit Joe Biden.

Avokatët e zotit Trump po argumentojnë se ish-presidentët gëzojnë imunitet absolut për veprimet e tyre ndërsa janë në detyrë. Përndryshe, thonë ata, ndjekjet e motivuara politikisht të ish-presidentëve do të bëheshin diçka rutinë dhe presidentët nuk do të mund të funksiononin si komandantë të përgjithshëm, nëse do t’u duhej të shqetësoheshin se mund të ekspozoheshin ndaj akuzave penale.

Gjykatat më të ulëta i kanë hedhur poshtë këto argumente, përfshirë një trupin prej tre anëtarësh të gjykatës së apelit në Uashington që arriti unanimisht në këtë përfundim. Por edhe nëse Gjykata e Lartë arrin në të njëjtin përfundim, koha e dhënies së vendimit mund të jetë po aq e rëndësishme sa edhe vetë vendimi. Arsyeja është se zoti Trump, kandidati i pritshëm republikan për president në zgjedhjet e nëntorit, ka bërë presion që gjyqi ndaj tij nën akuzat për përpjekje të përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve, të shtyhet deri pas zgjedhjeve të nëntorit. Sa më vonë ta nxjerrë vendimin Gjykata e Lartë, aq më shumë gjasa ka që ai të arrijë ta realizojë synimin e tij.

Gjykata pritet ta nxjerrë vendimin në fundit të sesionit të tanishëm, në qershor, afërsisht katër muaj përpara zgjedhjeve.

Akuzat për ndërhyrje në zgjedhje, të ngritura nga prokurori i posaçëm Jack Smith, është vetëm një nga katër sfidat ligjore të zotit Trump, ish-presidenti i parë që përballet me ndjekje penale.

Ai po gjykohet aktualisht në Nju Jork nën akuzat se falsifikoi të dhënat e biznesit, në mënyrë që të parandalonte bërjen publike të informacioneve që nëse dilnin në dritë mund të dëmtonin shanset e tij para votuesve në vitin 2016. Konkretisht mes të tjerash bëhet fjalë për pagesë në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me një marrëdhënie jashtëmartesore që ajo thotë se pati me zotin Trump.

Ekipi i prokurorit të posaçëm Smith thotë se hartuesit e Kushtetutës amerikane, nuk synonin që presidentët të ishin mbi ligjin dhe se veprimet për të cilat akuzohet zoti Trump – përfshirë pjesëmarrjen në një skemë për të regjistruar elektorë të rremë në disa shtete përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve ku fitoi presidenti Biden – nuk janë gjithsesi pjesë e detyrave zyrtare të presidentit.

Gati katër vjet më parë, të nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë hodhën poshtë pretendimin e zotit Trump se kishte imunitet absolut që të mos i bindej një urdhri të një prokurori të qarkut për të dorëzuar të dhënat e tij financiare. Ky rast ndodhi gjatë kohës kur zoti Trump ishte president dhe përfshinte një hetim penal, por jo akuza.

Gjyqtari konservator Clarence Thomas, megjithëse ishte në favor të ndalimit të zbatimit të kërkesës së prokurorit për shkak të përgjegjësive të zotit Trump si president, e hodhi poshtë pretendimin e tij për imunitet absolut dhe vuri në dukje formulimin e Kushtetutës dhe se ç’kishin patur parasysh ata që e ratifikuan atë.

“Teksti i Kushtetutës … nuk i jep Presidentit imunitet absolut,” shkroi gjykatësi Thomas në vitin 2020.

Mungesa e mbështetjes për këtë lloj imuniteti të përgjithshëm që kërkon zoti Trump që mesa duket dominon tek anëtarët e Gjykatës, ka ngjallur spekullime lidhur me motivet që i shtynë ata që të pranojnë ta shqyrtojnë pretendimin e tij.

Phillip Bobbitt, një ekpert i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Kolumbias, tha se ai ka shqetësime për vonesën që mund të shkaktojë ky proces në gjyqin ndaj zotit Trump, por e sheh të vlefshëm një vendim të Gjykatës së Lartë që do të konfirmonte përfundimisht “se ne jemi një qeveri bazuar në ligje dhe jo në njerëz të veçantë”. 

Gjykata gjithashtu mund të ketë qenë e motivuar nga ndikimi i vendimit të saj tek presidencat e ardhshme, shprehet profesori i së drejtës më Universitetin e Harvardit, Jack Goldsmith në blogun “Lawfare”.

Por Kermit Roosevelt, një profesor i së drejtës në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se gjykata nuk duhet ta kishte pranuar kurrë çështjen, pasi Gjykata e Apelit në Uashington me anëtarë me prirje të ndryshme ideologjike, i kishte dhënë përgjigjen e duhur asaj.

“Nëse do ta shqyrtonte çështjen, duhet të kishte vendosur më herët, sepse tani ka shumë gjasë që do të pengojë zhvillimin e gjyqit para zgjedhjeve. Edhe Richard Nixon ishte shprehur se populli amerikan meriton të dijë nëse presidenti i tyre është mashtrues. Gjykata e Lartë duket se nuk pajtohet”, tha prof. Roosevelt.

Gjykata përballet me disa alternativa për vendimin e saj.

Gjyqtarët mund të refuzojnë argumentet e zotit Trump dhe të zhbllokojnë çështjen në mënyrë që gjyqtarja e qarkut amerikan Tanya Chutkan të mund të rifillojë procesin gjyqësor që ajo ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë deri në tre muaj.

Gjykata mund t’i japë fund çështjes penale të ngritur nga prokurori Smith nëse deklaron se ish-presidentët nuk mund të ndiqen penalisht për veprime zyrtare që kanë ndërmarrë gjatë kohës që ishin në detyrë.

Gjykatësit mund të vlerësojnë gjithashtu se në cilat raste ish-presidentët kanë imunitet nga ndjekjet penale dhe ose të deklarojnë se sjellja për të cilën akuzohet zoti Trump e kapërceu këtë kufi, ose t’ia kthejnë çështjen gjyqtares Chutkan, në mënyrë që të jetë ajo që të vendosë nëse zoti Trump duhet të dalë në gjyq./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tirana e tronditur nga eliminimi në Kupë

Story i radhës

Rama njofton se korporata hoteliere me renome botërore ‘Hyatt’ pritet të investojë në kryeqytet

Të fundit nga