Milovan Drecun, një nga emrat e njohur të partisë së Vuçiqit dhe politikës serbe, ka deklaruar se “Albin Kurti së shpejti bie nga pushteti”! Të njëjtën gjë përsërit vazhdimisht edhe Aleksandër Vuçiqi. Dhe e njëjta gjë ndodh jo vetëm kundër Albin Kurtit, por edhe kundër presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kreut të opozitës shqiptare, Sali Berisha, kreut të PL-së, Ilir Meta në Shqipëri si dhe kundër presidentit të Maqedonisë së Veriut dhe politikanëve jo serbë të Bosnjë-Hercegovinës.
Komploti kundër Kurtit dhe të tjerëve bazohet në interesat serbe dhe në marrëveshjen Vuçiq-Rama-Abazoviç. Opozita e Kosovës në masë të madhe i është bashkëngjitur këtij komploti. Po ashtu disa deputetë alibashistë të opozitës në Shqipëri. Prandaj, Drecun ka shprehur thjesht një realitet që zhvillohet në praktikën e veprimtarisë politike në rajon, në Kosovë e në Serbi!
Opozitarët anti-Kurti të Kosovës po bëjnë autogol në lojën e tyre politike. Ata duhet të kuptojnë se kanë hyrë në kurthin e Vuçiqit e të Edi Ramës! Nëse nuk e kuptojnë këtë, aq më keq për ta! Nëse në zgjedhjet e 14 shkurtit 20221 morën 20 e 12 për qind të votave, duke mbështetur projektet e Serbisë kundër qeverisë së Albin Kurtit, PDK, LDK dhe AAK do të prekin fundin e tyre! Mbi 80 për qind e shqiptarëve në Kosovë e mbështesin politikën anti-serbe në Kosovë nga ana e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Si politolog, më duhet t’u kujtoj Memlit, Lumirit dhe Ramushit, se pesha e partive politike matet me votat e qytetarëve dhe jo thjesht me përkrahjen nga jashtë. Me këtë nuk dua të them se përkrahja nga jashtë duhet të mungojë. Por, përparësi ka vota e besimi i qytetarëve që ju kanë zgjedhur për të zgjidh hallet e tyre! Dhe halli më i madh tani për tani në Kosovë është ta largojmë Serbinë prej territorit të saj! Sepse, Kosova, edhe pse u çlirua në vitin 1999, ende mbetet një territor ku ka ndikim shumë të madh Beogradi! Beogradi duhet ta “shohë Kosovën me dylbi”! Kjo do të çojë përfundimisht në prosperitetin e saj! Por kjo kërkon edhe bashkimin e të gjithë spektrit politik të Kosovës!