Sektori bujqësisë në krizë, por sërish mbeten 10 milionë euro të pashfrytëzuara për bujqësi!

3 shkurt – Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend, madje as për t’i plotësuar nevojat vetanake. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Por, për pjesën shqiptare nuk është vetëm kjo arsyeja e vetme, shumë prej bujqve shqiptarë ndjehen të diskriminuar edhe në subvencionet apo ndihmën që e marrin nga shteti. Nga ana tjetër, bujqësia ishte një nga sektorët që u goditi më së shumti nga kriza ekonomike botërore e paraprirë nga kriza e pandemisë dhe e vazhduar me invazionin rus në Ukrainë. Bota u përball me sfidën se si të sigurojë ushqim të mjaftueshëm. Kur po flasim për bujqësi dhe subvencionin e nevojshëm për bujqit e paktë që kanë mbet në vend është për të ardhur çudi se si në mungesë të projekteve të caktuara kanë ngelë 10 milionë euro të pashfrytëzuara nga IPARD II. Hiç më mirë nuk ka qenë gjendja edhe me fondet IPARD I kur në qeverisje ishin VMRO-BDI ku 80% të fondeve kanë mbet të pashfrytëzuara, pra vetëm 20% janë shfrytëzuar. Ndërkaq, tani për 5 vitet e ardhshme nga fondet IPARD III janë ndarë 157 milionë euro, po nuk u shfrytëzuan kthehen mbrapsht nga kanë ardhur, shkruan Zhurnal.

IPARD II, 10 milionë euro të pashfrytëzuara –

As sivjet nuk u shfrytëzuan plotësisht paratë e pakthyeshme nga Evropa përmes Programit IPARD 2. Ndonëse në një kohëzgjatje prej 2017 deri 2022, 60 milion eurot e Komisionit Evropian për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, nuk u shfrytëzuan 100%. Me tre masat dhe disa thirrje publike, janë lidhur 2369 kontrata nga firmat apo individët që merren me bujqësi dhe me ndërmarrësi për zhvillim rural. Drejtori i Agjencisë përkatëse, Nikica Baçovski, tha se përparësi do të kenë me financim shtesë për femrat nën 30 vjet, të cilat merren me bujqësi.

“Me shfrytëzimin e mjeteve të programit IPARD modernizohet mekanizmi bujqësor, instalohen teknologji të reja në prodhimtarinë bujqësore duke rritur kapacitete prodhuese vendore dhe mikro-bizneset, të cilat operojnë në zonat rurale. Janë mbështetur shumë investime në traktorë, mekanizime shtesë, sisteme të ujitjes, rrjete ndërtimore, pajisje për ferma të blegtorisë, ftohës, pika të shitjes, bulmetore, thertore si dhe objekte për turizëm rural dhe strehimore për të moshuar”, deklaroi Nikica Baçovski, Drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi-Zhvillim Rural.

Në programin IPARD 3, Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, tha se kanë lehtësuar procedurat që gjysma pagesës tu bëhet posa të lidhin marrëveshjet dhe gjysma tjetër në përfundim të projektit. Për shembull, nëse një bujk aplikon për 50 mijë euro subvencion, duhet që për të njëjtin investim të jep edhe 50 mijë euro nga xhepi tij për ndërtim, riparim blerje të pajisjeve, mekanizmave dhe makinerive në fermën e tij.

“Përmes programit IPARD ndihmojmë në zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë vendore, duke i furnizuar me pajisje të reja mekanike për të rritur prodhimtarinë. Ndihmojmë në përparimin ekonomik dhe posaçërisht me IPARD 3 edhe në zhvillimin rural dhe të turizmit rural”, tha Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.

Në programin IPARD 1, deri sa në pushtet ishte BDI-VMRO, gjatë 2012-2017 ishin realizuar vetëm 20% të projekteve ose thënë ndryshe 80% e parave të dhuruara nga Komisioni Evropian kanë mbetur të parealizuara dhe u kthyen prej nga kanë ardhur. Gjatë programit IPARD 3 për Maqedoninë e Veriut janë paraparë 157 milion euro, të cilat për 5 vitet e ardhshme do të subvencionojnë të gjithë personat fizik dhe juridik që merren me degët e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Sektori i bujqësisë është përballur rëndë me krizën ekonomike-

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim e shumë pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.

Nga 1 dhjetori i vitit që lamë pas hyri në fuqi mbështetja për kompanitë nga industria ushqimore. Ata marrin energjinë elektrike me subvencionim, çmim fiks prej 80 euro për megavat orë për shkak se duhet të nxisë ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë me rreth 10 për qind. Që sipas autoriteteve zyrtare kjo masë do të zbusë çmimet, praktika e thotë të kundërtën masi çmimet e bukës mbesin po të njëjta, ngjashëm edhe me produktet tjera bazë nuk është se ka pas ndonjë ndryshim që reflekton në xhepat e qytetarëve.

Përderisa sektori i bujqësisë mbetet ndër sektorët që më së shumti është dëmtuar nga kriza ekonomike, është absurde si ka mundësi që fondet e ndara mos të shfrytëzohen 10 milionë euro sikurse të ishin planifikuar për t’i ndihmuar këta bujq të paktë që kanë mbet në vend do të kishte qenë një stimul dhe ndihmë shumë e nevojshme që ata të vazhdojnë me prodhimet e tyre, që do të jenë në dobi të vendit. Por, nevojitet hartim i projekteve konkrete se ku dhe si do të shpenzohen këto fonde, e për hartim të projekteve nevojiten persona përgjegjës dhe të profiluar. Përndryshe, paratë vijnë dhe shkojnë nga kanë ardhur po nuk u ditë të shfrytëzohen. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Ideja gjeniale që duan ta rrëmbejnë të gjithë klubet

Story i radhës

Qendresa Demaj këtë vit e fillon me baladë

Të fundit nga