Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

min lexim

Ministrat e mbrojtjes së NATO-s po zhvillojnë të enjten në Bruksel një ditë të dytë bisedimesh për të vlerësuar situatën në Ukrainë, një ditë pasi aleanca u zotua të dërgojë më shumë furnizime të mbrojtjes ajrore në vend. Takimi i NATO-s mbahet gjithashtu mes planeve të aleancës ushtarake për të mbajtur një stërvitje bërthamore javën e ardhshme si edhe mes shqetësimeve për paralajmërimet e Presidentit Vladimir Putin se ai do të përdorë çdo mjet të nevojshëm për të mbrojtur territorin rus.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mbrojnë aleancën.

“Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të përkushtuara ndaj angazhimeve të nenit të pestë. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s nëse është e nevojshme”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha se Perëndimi do të qendrojë në krah të Ukrainës për aq kohë sa duhet.

“Në veçanti, ne do t’i ofrojmë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore. Unë gjithashtu mirëpres mesazhin shumë të fortë nga komuniteti ndërkombëtar dje. Votimi në OKB ishte një dënim i qartë i aneksimit të paligjshëm të territoreve të Ukrainës dhe një thirrje e qartë ndaj Rusisë, Presidentit Putin që t’i anulojë këto vendime dhe të respektojë integritetin territorial të Ukrainës”, tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg.

Udhëheqësit ukrainas po u kërkojnë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze më të gjatë veprimi për të vazhduar kundërsulmin e tyre të suksesshëm ndaj Rusisë dhe për t’u bërë ballë sulmeve të intensifikuara të Moskës.

Ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë mes të tjerash mbi stërvitjen e planifikuar të NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme

Stërvitja e quajtur “Steadfast Noon,” mbahet pothuajse në të njëjtën periudhë çdo vit dhe zgjat rreth një javë. Pjesë e stërvitjes janë avionë luftarakë të aftë për të mbajtur mbushje bërthamore, por aty nuk përfshihen bomba aktive.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se bëhet fjalë për një stërvitje rutinë lidhur me gatishmërinë e aleancës.

“Takimi i NATO-s ka synimin që të sigurohemi se jemi gati për çdo gjë. Kjo është detyra e kësaj aleance, të sigurohet që 30 partnerët së bashku të jenë gati për çfarëdo skenari. Dhe ne vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Stërvitja është pjesë e kësaj gatishmërie,” tha ai.

Katërmbëdhjetë vende anëtare të NATO-s do të përfshihen në stërvitjen, e cila ishte planifikuar përpara se Rusia të filonte agresionin e saj në Ukrainë më 24 shkurt./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Osmani: Raporti i KE-së na motivon të vazhdojmë me ritmin e njëjtë edhe vitin e ardhshëm

Story i radhës

14 aleatë të NATO-s bien dakord për të rritur mbrojtjen ajrore evropiane

Të fundit nga