Briget Seitaj do të jetë drejtuesi i boksit profesionist në Shqipëri. Komisioni pranë Federatës së Boksit ka propozuar Seitajn dhe ka miratuar vendimin për emërimin e korçarit në postin e drejtuesit. Promotori i njohur është prezantuar mesditën e së hënës nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli, i cili e falënderoi Seitajn për mbështetjen që i ka dhënë boksit shqiptar.
“Këtë vitin e fundit në një vit starti të boksit profesionist Briget i ka qëndruar shumë afër duke qenë promotori kryesor duke qenë mbështetës i të gjithë boksierëve shqiptar, duke zhvilluar disa aktivitet, duke bërë atë që federata shqiptare e boksit nuk ka patur mundësi që ta bëjë. Jemi vetëm, në fillimet e këtij startimi e shpresoj që mos të ndalemi këtu”.
Vetë Seitaj tregoi se ai do të jetë i angazhuar maksimalisht dhe është besimplotë se pas eventeve të tjera boksi shqiptar do të jetë në një tjetër nivel.
“Boksi ka qenë pasioni im dhe dëshira ime. Kam patur dëshirën që të bëjmë një ekip të madh e t’i tregojmë botës që dhe ne ekzistojmë. Them se do ecim para, ekipin e kemi gati me Nelson Hysën dhe sportistët e tjerë. Them se do bëjmë ndeshje të mëdha e pas disa eventesh nëpër botë do të jemi në një tjetër nivel”.
KOKSH dhe Federata Shqiptare e Boksit ka akorduar certifikatën e mirënjohjes për Seitajn, për kontributin e dhënë në boks gjatë viteve të fundit.