Drejtuesit e Sindikatës së Arsimit nuk janë engjëjt që kujdesen vërtet për mësimdhënësit. Po të ishin të tillë, do të nginin zërin ndonjëherë për kushtet jo të mira të mësimdhënësve, për konkurset e manipuluara, në të cilat dija e kompetenca profesionale nuk janë faktori primar për punësim. Po të kishin hallin e mësimdhënësve, do të solidarizoheshin me ta edhe me paga. Sindikalistët përfitojnë dy deri në tre fish të pagës së një mësuesi.
Po të kishin hallin e mësimdhënësve, do të kujdeseshin për avancimin profesional të tyre, jo me seminare e organizime ekskursionesh turistike, por trajnime të mirëfillta e të vazhdueshme profesionale. Po të kishin hallin e mësimdhënësve e nxënësve, do të kërkonin laboratorë nëpër shkolla, do të protestonin kur nëpër klasë u bëhen nga 40-50 nxënës. Po të kishin hallin e nxënësve, nuk do t’u organizonin kurse private, për lëndët që i mbajnë në shkolla, e ku do të duhej që fëmijët të merrnin dijen e nevojshme. Po të kishin hallin e nxënësve, nuk do t’i torturonin psikologjikisht në çdo paragjysmëvjetor. Nuk do t’i përdornin ata si mburojë e shantazh. Po të donin të protestonin, do ta bënin këtë pas përfundimit të gjysmëvjetorit, atëherë kur nxënësit janë në pushim.
Duke vendosur nxënësit para si mburojë, për të kërkuar financa, ata po i përdorin keq fëmijët. Kjo është tepër e padrejtë, është jonjerëzore. Drejtuesit sindikalë të Arsimit janë rekordmenët e organizimit të grevave. Asnjëherë nuk e kanë arritur atë që kanë kërkuar, sepse nuk kanë qenë konsekuentë dhe kërkesat nuk i kanë bërë pothuajse kurrë të sakta. Gjithmonë kërkesa e tyre ka qenë paga. Jo diçka tjetër. Të tillë sindikalistë e dëmtojnë sindikatën dhe i dëmtojnë mësimdhënësit e dinjitetshëm.
Në mesin e mësimdhënësve, ka profesionistë të përgjegjshëm. Ata janë edhe shkaku pse arsimi nuk është krejtësisht në humnerë. Ata kanë edhe ideal, sepse mësimdhënësi i mirë është idealist. Të tillët bartin barrën kryesore, ndërsa pjesa e kolegëve të tyre, që janë punësuar me librezë partie, jo pse kanë vlera profesionale, por thjeshtë shkojnë në punë për të marrë pagën. Janë edhe kapadai, që nuk e respektojnë as hierarkinë, sepse e kanë krahun e fortë.
Për mësimdhënësit e punësuar partiakisht, që nuk honepsin as hierarkinë e as institucionoin, SBAShK-u nuk guxon as të flasë. Ama i pari i SBAShK-ut guxon të bëjë deklarime sa qesharake, aq edhe naive. Tha se pos vdekja mund ta ndalë nga greva. Ndoshta është e vërtetë, ama ka ndodhur që edhe darkat e shtrëngimet ta ndalin. Si i tillë, ai bashkë me drejtuesit e tjerë e kanë të humbur të drejtën morale për të qenë në krye të kësaj organizate, që në kushte e rrethana normale do të duhej të ishte me shumë peshë shoqërore. Paga e një mësimdhënësi sot është pagë shumë e ulët. Ajo duhet të rritet, e kjo rritje duhet të jetë e ndjeshme. Jo 100 euro periodike, siç është kërkesa, sepse kjo është njëfarë lëmoshe që nuk u shërben kushedi se sa as mësimdhënësve.
Arsimi nuk është një fushë dosido. Arsimi, duke qenë se jemi kaq keq me rezultate, duhet të jetë interesi i parë nacional në vend. Ne nuk e kemi luksin të kemi mësimdhënës që duhet të mendojnë vetëm për pagën. Të tillët prodhojnë lypsarë e mbjellin injorancë kolektive. Arsimi duhet të trajtohet meritueshëm. Nuk ka shëndetësi të mirë, ekonomi të mirë, politikë të mirë, siguri, drejtësi etj., pa arsimim të mirë. Është baza e ngritjes shoqërore, andaj shtetet më të zhvilluara në radhë të parë kanë arsim të mirë dhe investojnë pa ndalë për këtë. Shteti bashkë me të gjithë faktorët relevantë, e ata që kanë çfarë të ofrojnë profesionalisht për fushën, duhet të përfshijë në një platformë komplekse e të komcuar mirë çështjen e arsimit.
Ku do të jemi pas dhjetë vjetësh? Përsëri të fundit në PISA e të kënaqur me letër diploma? Apo një shoqëri që ofron kuadro të mirëfillta profesionale për tregun e punës? Këto dy rrugë janë, e kohën për orientim e kemi humbur moti, me qeverisje që nuk e patën arsimin kurrë prioritet parësor nacional. Drejtuesit e SBAShK-ut u treguan shpesh, shumë shpesh, të padenjë edhe kur protestonin e grevonin. Një darkë diku në restorantet e Kosovës, me ish-kryeministra, ua ndryshonte mendjen. Një takim me dike që kishte namin e të ‘fortit’, e të rrezikshmit, ua ndryshonte mendjen. Tani, darkë institucionale nuk ka, ngaqë lajkatarët mashtrues e të ‘fortët’ nuk janë në pushtet. Ata janë në opozitë, duke e përkrahur SBAShK-un, për të cilët pos darkave e shtrëngimeve, sa për sy e faqe, nja dy herë u ndanë ca euro centë, duke i lënë me pagat ndër më të ulëtat në gjithë vendin e me kushte të vështira të punës.
Duke qenë bashkë me opozitarët, arroganca e kryesindikalistëve po beson se ka terren të pëlleshëm për azginllëk. Opozitarët sërish po i vënë në lojë, sikur bënë në të kaluarën, në vazhdimësi. Ata nuk e kanë hallin e arsimtarëve, sikur nuk e kishin me dekada. Po i përdorin e po i fyejnë këto frustrime sindikale, për qëllimet e tyre. Mos po do Zoti e po rrëzohet Qeveria, është shpresa që kanë. Prandaj, sindikalistët duhet të lexojnë mesazhet, të lexojnë gjendjen reale, të mos kërkojnë lëmoshën prej 100 eurove, por të kthehen në shkolla, të bashkëpunojnë me Qeverinë për ta ngritur aq sa është e mundur pagën bazë, që pritet të rregullohet me ligj.