Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se nga rritja e rasteve të reja me COVID-19 që po regjistron vendi, janë prekur të gjitha komunat.
Ibrahimi, në “Edicionin Special”, tha se mijëra nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar me COVID-19 dhe problematike mbetet zëvendësimi i mësimdhënësve.
“Dje kemi pasur takim me drejtorët komunalë të arsimit dhe të gjithë ishin të mendimit se situata është rënduar, pasi kemi me mijëra nxënës dhe mësimdhënës të infektuar me COVID-19”.
“Shqetësimi më i madh i tyre ishte pamundësia e zëvendësimit të mësimdhënësve që po infektohen me COVID-19. Kemi bërë kërkesë në MASHT që zëvendësimi i mësimdhënësve të bëhet më shpejt, pasi prej kësaj më së shumti po pësojnë nxënësit”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi, mes tjerash, tha se të gjithë drejtorët ishin dakord që të vazhdojë mësimi me cilindo skenar.