Aksidentet rrugore mbeten të larta në Shqipëri

min lexim

Kufizimet e lëvizjes gjatë pandemisë nuk e ulën numrin e aksidenteve rrugore në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2021 u shënuan mbi 1300 aksidente ku humbën jetën 197 persona, dhe u plagosën rreth 350 të tjerë. Ekspertët thonë se duhet përmirësuar sistemi që përgatit drejtuesit e mjeteve dhe krijuar një organizëm për mbikqyrjen e sigurisë rrugore.

Vetëm në harkun e një jave të fillimvitit policia e një qarku të vogël, siç është Gjirokastra, vendosi mbi 400 masa ndaj drejtuesve të mjeteve në shkelje të kodit rrugor. Sipas zyrtarëve vendorë kontrollet e shtuara policore synojnë të rrisin sigurinë rrugore.

Të dhënat zyrtare dëshmojnë se kufizimet e pandemisë së koronavirusit, përmirësimet ligjore në kodin rrugor dhe ndëshkimet më të ashpra për raste e shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve nuk e ulën numrin e aksidenteve rrugore në Shqipëri.

Shefi i sigurisë rrugore në policinë e shtetit Skënder Ismaili flet për Zerin e Amerikës për bilancin e aksidenteve.

“Viti 2021 ka pasur një rritje të ngjarjeve rrugore në përgjithësi dhe të aksidenteve me pasoja. Gjatë këtij viti në mbi 1300 aksidente humbën jetën 197 persona dhe u plagosën 348 të tjerë”.

Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të Statistikave shifrat e vitit 2021 janë 11,5% më të larta se viti 2020.

Zoti Ismaili flet më tej për disa nga faktorët kryesorë të aksidenteve në Shqipëri.

“Faktorët kryesorë të aksidenteve rrugore dhe të ngjajrjeve rrugore në tërësi kanë qenë shpejtësia tej normave vë të lejuara, parakalimet e gabuara dhe përdorimi pijeve alkolike. Një moment i veçantë është edhe shkelja e rregullave nga këmbësorët që zë rreth 16 % të aksidenteve rrugore vitin e kaluar”, thotë zoti Ismaili.

Shërbimi policisë rrugorë gjatë vitit 2021 ka gjetur mbi 580 mijë shkelje,thotë zoti Ismaili dhe kjo flet për një ndërgjegjësim jo të lartë të drejtuesve të mjeteve.

Gëzim Hoxha, një ekspert i sigurisë rrugore thotë se nuk mjafton vetëm puna e policisë për të parandaluar aksidentet.

“Policia rrugore aktualisht po punon me 12 orë në ditë, megjithatë ajo nuk mund t`i ndalë aksidentet sepse kërkohet që i gjithë ky mozaik dikateresh përgjegjëse të plotësohet dhe të kontrollohet nga dikush që të jetë autoriteti mbykqyrjes së sigurisë rrugore.”

Eksperti Hoxha vlerëson se një masë tjetër përmirësuese për sigurinë rrugore do të ishte vëmendja më e madhe ndaj autoshkollave që përgatisin drejtuesit e rinj të mjeteve.

Maksi Hoxha,drejtor i transportit në Gjirokastër thotë se disa shërbime në këtë drejtim janë përmirësuar.

“E gjithë kjo gamë shërbimesh që po kryhet në drejtoritë tona të transportit fokusin kryesor e ka tek rritja e sigurisë rrugore. Si në testimet dhe në pjesën e praktikës për marrjen e lejedrejtimeve të kursantëve të rinj të gjitha proçeset kanë kaluar në sisteme dhe është ulur abuzivizmi që kryhej më parë me marrjen e lejes së drejtimit pa kryer përgatitjen teorike dhe praktike”.

Në Shqipëri shumë segmente rrugore njihen për numrin e lartë të aksidenteve. Shefi i sigurisë rrugore në policinë e shtetit Skënder Ismaili flet për disa prej tyre.

“Më të prekura nga aksidentet rrugore janë rrugët urbane. Aksi rrugor Fushë-Krujë.

-Lac Shkodër, po kështu edhe pjesa e Autostradës së Kombit ka pasur një seri ngjarjesh por dhe aksi tjetër Elbasan Peqin që është një rrugë me ngarkesë shumë të madhe dhe parametrat e saj lënë për të dëshiruar”.

Shqipëria renditet në Europë ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore në raport me popullsinë, mesatarisht nga 70 deri në 78 vdekje në vit për 1milionë banorë.

Ndërkohë pasojat edhe të disa qindra të aksidentuarve çdo vit janë një barrë e shtuar sociale jo vetëm për familjet, por edhe vetë shtetin./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Cassano: Vlahovic bëri një zgjedhje të gabuar, investim i rrezikshëm

Story i radhës

Sazan Ibrahimi: Komunat kanë mijëra mësimdhënës të infektuar me COVID-19

Të fundit nga