Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë liderët e rajonit dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për Samitin e Procesit të Berlinit.
Mësohet se në këtë samit, nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Arsyeja duket se nuk është krisja e marrëdhënies me Ramën, por Kurti ndodhet në Greqi për edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar.
Ndërkohë sipas mediave, mësohet se në vend të tij do të vijë zëvendëskryeministri Besnik Bislimin.
Në takimin kanë konfirmuar pjesëmarrjen liderët e rajonit, Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i RMV Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç.
Samiti i Berlinit është një format i nisur nga Gjermania, në të cilin kanë marrë pjesë pa rezerva të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirë edhe Kosovën, që ka qenë një kritike e madhe e Open Balkan, të cilin Rama për momentin e ka lënë mënjanë.
Mbërritja e krerëve të Ballkanit, ishte paralajmëruar nga Rama në turin Ballkanik të zhvilluar pak ditë më parë, ndërsa në Samitin e NATO-n në Lituani, kryeministri foli edhe për një vizitë të Presidentit francez, Emanuel Macron.
Kujtojmë se më 6 dhjetor 2022 në Tiranë, u mbajt samiti i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.