Sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj termocentraleve dhe objekteve hekurudhore në Gjermani po e shqetësojnë popullsinë. Ekspertët thonë: Njerëzit duhet të përgatiten që kjo të vazhdojë.
Mëngjesi i së martës këtë javë: Autorë të panjohur u përpoqën të ndërpresin furnizimin me energji elektrike pranë termocentralit të rëndësishëm me qymyr në Jänschwalde, Brandenburg, dhe në disa raste ia dolën. Po atë mbrëmje, ndodhi një ndërprerje në një nënstacion pranë Këlnit, që dyshohet gjithashtu se është shkaktuar nga sabotimi.
Pastaj, të mërkurën, një shpërthim ndodhi pranë stacionit të trenit në Augsburg, i shkaktuar nga një granatë dore, sipas hetuesve. Ndërsa gjatë natës disa pajisje ndezëse u hodhën në një kantier ndërtimi në Mynih, në afërsi të disa kompanive të mbrojtjes. Dhe të enjten në mbrëmje, një objekt i dyshimtë u gjet në një nënstacion në Dormagen, midis Këlnit dhe Düsseldorfit. Hetuesit kanë marrë një letër nga një burim i paidentifikuar akoma që merr përgjegjësinë për këtë sulm, thonë ata.
Qindra raste
Vetëm këtë vit, ka pasur mbi 160 sulme ndaj infrastrukturës kritike. Ndërsa mbetet plotësisht e paqartë se kush qëndron pas sulmeve në Jänschwalde, Këln dhe Augsburg, të paktën dy të dyshuar, me sa duket shtetas bullgarë, u arrestuan në Mynih.
Ajo që kanë të përbashkët të gjitha këto incidente është se sulmet me sa duket drejtohen kundër të ashtuquajturës infrastrukturë kritike. Këtu përfshihen objektet e furnizimit me energji, hekurudha, kompanitë që janë thelbësore për sigurinë e vendit dhe prodhuesit e armëve.
Të gjitha këto vështirë se mund të mbrohen plotësisht. Mediat raportojnë, duke cituar një dokument të brendshëm, se Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) ka regjistruar tashmë 160 akte të mundshme sabotimi dhe më shumë se 700 pamje të dyshimta dronësh vetëm këtë vit.
Shqetësim, heshtje, frikë…
Edhe nëse sfondi i saktë i çdo incidenti individual është i paqartë, ato krijojnë një ndjenjë kërcënimi të vazhdueshëm midis popullsisë, edhe për shkak të vazhdimësisë së tyre dhe përsëritjeve të shpeshta. DW intervistoi njerëz në rrugë në Berlin.
“Frikë. Po flisja me kolegun tim: Është shumë shqetësuese. Po mendoj shumë për këtë, dhe në të njëjtën kohë, askush nuk po flet për të”, thotë një grua. Një burrë shton: “Së pari duhet të kuptojmë se diçka po ndodh, se po sulmohemi. Kam lidhje shumë të ngushta me Rusinë, kam miq shumë të ngushtë rusë, dhe më dhemb shumë, shumë të shoh se çfarë po ndodh.”
“Nuk jam i shqetësuar vetëm për rrezikun e sulmeve të mëtejshme, por edhe se kjo po krijon një atmosferë pasigurie. Dhe kjo nuk më duket e drejtë, veçanërisht në një muaj me kaq shumë zgjedhje të rëndësishme”, thotë një burrë tjetër.
Një Luftë e Ftohtë midis Gjermanisë dhe Rusisë
Fakti që shumë njerëz mendojnë menjëherë për Rusinë kur pyeten për këtë rritje të sulmeve ka një arsye. Gjithashtu këtë javë, të martën, Ministri Federal i Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU) dhe Ministri i Jashtëm Johann Wadephul (CDU) iu drejtuan shtypit dhe njoftuan: Qeveria gjermane është e sigurt se forcat ruse qëndrojnë pas sulmit të tentuar me dron në Aeroportin Halle/Leipzig më 4 gusht.
Qeveria reagoi duke mbyllur Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Bon. Ndërmorri edhe disa masa të tjera. Moska, nga ana tjetër, mbylli Institutin Goethe në Rusi. Raportet janë ftohur dukshëm midis Gjermanisë dhe Rusisë.
“Ne nuk jemi në luftë, por as nuk jemi më në paqe”, deklaroi Kancelari Friedrich Merz (CDU) vitin e kaluar. Fakti është: Që nga fillimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në pranverën e vitit 2022, Gjermania ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Ukrainës – financiarisht dhe ushtarakisht – edhe pse si qeveritë e mëparshme ashtu edhe ato aktuale kanë pohuar vazhdimisht se nuk janë palë në konflikt.
A është mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën një motiv?
Që atëherë, forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr), të cilat ishin reduktuar vazhdimisht për shumë vite, janë riarmatosur me shpejtësi – në përgjigje të një kërcënimi të mundshëm, përfshirë atë nga Rusia, në Evropën Qendrore.
Sönke Marahrens, kolonel në Bundeswehr dhe ekspert i sigurisë në Universitetin e Kiel, beson se do të ishte më mirë që popullsia gjermane të përgatitej për këtë formë të re konfrontimi, pavarësisht se kush është përgjegjës.
Ai i tha DW: “Sipas mendimit tim, lufta hibride ose aktivitetet hibride janë e njëjta gjë sepse përdorin të njëjtat mjete. Shtetet ose organizatat e huaja ndjekin interesat e tyre strategjike pa u shqetësuar me diplomacinë. Kjo mund të nënkuptojë sabotim, dezinformim dhe sulme ndaj infrastrukturës kritike.” Por akademiku thekson gjithashtu se një gjendje lufte është vështirë e arritshme.
Kompanitë private duhet ta mbrojnë më mirë infrastrukturën e tyre.
A është Rusia gjithmonë fajtore?
Por t’ia atribuosh secilën prej këtyre ngjarjeve menjëherë dhe drejtpërdrejt Rusisë është shumë e thjeshtë. Në fillim të vitit, për shembull, një sulm në një urë kabllore në Berlinin jugperëndimor shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike që zgjati disa ditë.
Qindra mijëra njerëz u prekën nga sulmi në të ftohtë dhe acar. Ekstremistët e krahut të majtë dyshohet se qëndrojnë pas sulmit, i cili mbetet i pazgjidhur.
Në Gjermani ka kohë që zhvillohet një debat se si të përgatitemi më mirë për sulme të tilla në të ardhmen. Në pranverë, qeveria miratoi një ligj të quajtur “Kritis” (Ligji për Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike) që synonte të mbronte më mirë infrastrukturën, por ligji ende nuk ka hyrë në fuqi.
Autoritetet thonë se objektet kritike, të tilla si ato që u përkasin kompanive private, tashmë mund të monitorohen nga kamerat, por monitorimi i mjedisit përreth është përgjegjësi e autoriteteve policore.
Ato rekomandojnë se vetë kompanitë duhet të investojnë më shumë në sigurinë e objekteve të tyre. Sindikata Gjermane e Policisë (DPolG) ndan një pikëpamje të ngjashme. Kryetari i saj, Heiko Teggatz, shpjegoi se mbrojtja e infrastrukturës kritike nuk është përgjegjësi kryesore e policisë, por më tepër përgjegjësi e vetë operatorëve.
“Kushdo që mban përgjegjësinë për sigurinë e objekteve të tyre duhet të investojë edhe në mbrojtjen e tyre”, tha Teggatz. Ai kritikoi mungesën e investimeve të vazhdueshme, jo mungesën e aftësive teknike.
Burimi: botasot.info


