Uragani Polo ka goditur pjesën veri-perëndimore të Meksikës duke shkaktuar vërshime dhe dëme duke nxitur autoritetet të urdhërojnë evakuimin e banorëve të pjesëve bregdetare të së paku dy shteteve federale.
Autoritetet lokale në së paku dy shtetet federale të Meksikës kanë urdhëruar evakuimin e mijëra familjeve që jetojnë përgjatë brigjeve të oqeanit atlantik pasi që uragani Polo goditi atë pjesë të vendit duke shkaktuar dëme dhe vërshime të cilat, në disa pjesë, paraqesin rrezik për jetë.
Deri me tani, Polo goditi shtetet Sonora dhe Baja Kalifornia, ku të reshurat masive, përveç vërshimeve shkaktuan edhe rrëshqitje të mëdha të dheut. Përveç evakuimeve të popullatës, zyrtarët gjithashtu urdhëruan mbylljen e disa rrugëve të vërshuara, linjave hekurudhore si dhe aeroporteve rajonale duke anuluar kështu qindra fluturime lokale dhe ndërkombëtare.
Edhe pse dëmet janë të mëdha, deri me tani nuk ka raporte për viktima apo lëndime dhe, sipas zyrtarëve, kjo është falë faktit se ata kanë pasur kohë të përgatiten.
Polo u formua javën e kaluar mbi Atlantik dhe, në një pikë, arriti fuqinë e shtrëngatës së kategorisë së pestë por, duke iu afruar tokës, e humbi një pjesë të fuqisë dhe kur arriti në Meksikë kategorizohej si shtrëngatë e kategorisë së dytë. Megjithatë, uraganet e kësaj kategorie janë ende tejet të rrezikshëm dhe vdekjeprurës.
Burimi: botasot.info


