Përveç Ruskovskës, në prokurorinë e Shkupit duhet të dëshmojnë edhe koleget e saj Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, ndaj të cilëve gjithashtu është ngritur kallëzim penal nga Muaremi për shkak të bastisjes që kanë bërë këtë verë në DPF, që ka qenë edhe shkak për pezullimin e Ruskovskës.
Sipas informacioneve nga prokuroria e Shkupit, provat materiale janë mbledhur, Muaremi është dëgjuar si parashtrues i kallëzimit dhe tani duhet të dëgjohen tre prokuroret. Për momentin nuk ka informacione nëse persona të tjerë do të merren në pyetje.
Se Muaremi do të ngrejë kallëzim penal për shpërdorim detyre, është bërë e ditur dhjetë ditë pas bastisjes së kryer më 18 korrik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në DPF.
Zyrtarisht, çështja penale arriti në PThP Shkup më 8 gusht.
“Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, ku janë përfshirë të gjithë prokurorët për të cilët besojmë se ekzistojnë baza të dyshimit për kryerjen e veprave penale. Duke pasur parasysh se procedura për të gjithë personat e raportuar është e fshehtë që nga ky moment, duke respektuar prezumimin e pafajësisë së të raportuarve, kjo është gjithçka që mund të ndajmë me publikun në këtë moment, sipas Ligjit për Procedurën Penale”, njoftoi atë kohë Policia financiare.
Bastisja që përshkallëzoi antagonizmin mes Ruskovskës dhe Muaremit, siç deklaruan atëherë Prokuroria, ishte në kuadër të një rasti të formuar pas denoncimit të qytetarëve.
Më 16 gusht është suspenduar kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska. Nga ana tjetër, dorëheqje dha shefi i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, një ditë pas skadimit të mandatit të tij.
Në gusht të këtij viti në opinion bëri bujë përplasja mes prokurores së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska dhe kreut të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Të dy palët në kumtesat dhe deklarimet publike akuzonin njëri-tjetrin për ndërhyrje të paligjshme dhe presion.
Pas bastisjes që u krye më 18 korrik nga prokurorët e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Administratën e Policisë Financiare, Muaremi ngriti padi penale kundër Ruskovskës dhe prokurorëve Trajçeva dhe Josifovska.
Me reagim publik drejtuar ndërkombëtarëve doli Ruskoska e cila u ankua se po i bëhet presion. Nga ana tjetër, krye-prokurori Joveski dhe Shoqata e prokurorëve dolën kundër saj duke thënë se janë shkelur procedurat, ndërsa SHBA dhe BE thanë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga organet vendore dhe ata nuk mund të ndihmojnë Ruskoskën.
Burimi: portalb.mk