Rusia ka thënë se një sulm raketor – në natën e Vitit të Ri – që vrau të paktën 89 ushtarë rusë ndodhi për shkak se trupat po përdornin telefonat e tyre celularë.
Ukraina goditi një kolegj për rekrutë në Makivka, në zonën e okupuar të Donjeckut, pak pas mesnatës së 1 janarit.
Përdorimi i telefonave nga ushtarët, i cili ishte i ndaluar, i lejoi armikut të gjente objektivin e tij, tha ushtria ruse.
Ndërsa numri i njerëzve të vrarë është i paverifikuar, ai është numri më i madh i vdekjeve të pranuara nga Rusia në luftë.
Ukraina pretendon se shifra është shumë më e lartë, duke thënë se 400 ushtarë u vranë në sulm dhe 300 të tjerë u plagosën.
Rusia tha se në orën 00:01 me orën lokale – në natën e Vitit të Ri, gjashtë raketa u hodhën nga një sistem raketor HIMARS, i prodhuar në SHBA-ja, në një kolegj profesional, dy prej të cilave u rrëzuan.
Zëvendëskomandanti i regjimentit, nënkoloneli Bachurin, ishte në mesin e të vrarëve, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë në Telegram në orët e para të së mërkurës.
Një komision po heton rrethanat e ngjarjes, u tha në deklaratë.
Por është “tashmë e qartë” se shkaku kryesor i sulmit ishte prania dhe “përdorimi masiv” i telefonave celularë nga trupat tona, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar, vazhdoi deklarata.
“Ky faktor i lejoi armikut të lokalizojë dhe të përcaktojë koordinatat e vendndodhjes së personelit ushtarak për një sulm raketor”.
Zyrtarët e shpallur fajtorë në hetim do të sillen para drejtësisë, u tha në deklaratë, “dhe po ndërmerren hapa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen”.
Rusia gjithashtu rriti numrin e ushtarëve rusë të vrarë në sulm në 89, nga 63 që deklaroi më herët, megjithëse nuk ka mënyrë për të verifikuar numrin e ushtarëve të vrarë.
Është jashtëzakonisht e rrallë që Moska të konfirmojë ndonjë viktimë në fushëbetejë.
Kolegji profesional ishte i mbushur me rekrut në kohën e sulmit – burra që ishin në mesin e 300.000 të thirrurve në mobilizimin e pjesshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në shtator.
Disa komentatorë dhe politikanë rusë kanë akuzuar ushtrinë për paaftësi, duke thënë se trupave nuk duhet t’u jepej kurrë strehim kaq i cënueshëm.
Pavel Gubarev, një ish-zyrtar kryesor rus në Donjeck, tha se vendimi për të vendosur një numër të madh ushtarësh në një ndërtesë ishte “neglizhencë kriminale”.
“Nëse askush nuk dënohet për këtë, atëherë gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë”, paralajmëroi ai.
Nënkryetari i parlamentit lokal të Moskës, Andrei Medvedev, tha se ishte e parashikueshme që ushtarët të fajësoheshin në vend të komandantit që mori vendimin fillestar për të vendosur kaq shumë trupa në një vend.
Presidenti Putin nënshkroi një dekret të martën që familjet e ushtarëve të Gardës Kombëtare të vrarë në shërbim të paguhen 5 milionë rubla (69.000 dollarë).
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Kievit, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë./REL