Të paktën dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos në një shpërthim herët sot në Urën e Kerçit, që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë që Moska e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, thanë autoritetet ruse, transmeton Anadolu.
Duke ndryshuar deklaratat e mëparshme të dy zyrtarëve të lartë rusë se viktimat ishin rezultat i një “emergjence”, Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se bëhet fjalë për një “sulm terrorist” dhe se një hetim penal ka nisur për incidentin.
Në një deklaratë herët në mëngjes, Vladimir Konstantinov, kreu i Këshillit Shtetëror pro-rus të Krimesë, pretendoi në Telegram se Ukraina “sulmoi” Urën e Kerçit.
Megjithatë, Sergey Aksyonov, kreu i Krimesë i instaluar nga Rusia, më vonë njoftoi në Telegram se trafiku në Urën e Kerçit është ndalur dhe se një “emergjencë” ka ndodhur në zonë.
Guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov gjithashtu deklaroi në Telegram se incidenti ndodhi për shkak të një situate “emergjente”.
“Këtë mëngjes, u zgjuam me informacione rreth emergjencës që ndodhi në urën e Krimesë. Çfarë informacioni është në dispozicion për momentin: një vajzë u plagos në masë të moderuar…Gjëja më e vështirë është se prindërit e saj, babi dhe nëna, vdiqën”, tha ai.
Vajza është nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe do të transportohet menjëherë në rajonin e Belgorodit sapo mjekët ta lejojnë, shtoi Gladkov.
Ndërkohë, mediat ukrainase si “Ukrinform” dhe “RBK-Ukrainë” raportuan, duke cituar burime “të panjohura” në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU), se SBU-ja dhe Marina e Ukrainës qëndrojnë pas shpërthimit të Urës së Kerçit.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas nuk i janë përgjigjur ende pretendimit.