Rusët ia mësyjnë Armenisë për shkak të luftës në Ukrainë

March 9, 2022
min lexim

Teksa Rusia përballet me sanksione të paprecedentë të Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe Kremlini po rrit presionin brenda vendit ndaj kujtdo që vë në pikëpyetje luftën e Moskës, Aleksei, një shtetas rus që punon në media, vendosi se ishte koha që të largohej nga shteti.

“Prandaj ndjeva një nevojë urgjente që të largohem nga shteti im”, tha për Radion Evropa e Lirë, Aleksei, i cili nuk pranoi që të identifikohej me emrin e plotë. Ai këto deklarata i bëri më 3 mars, pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Zvartnots në Jerevan të Armenisë.

Sulmi i paprovokuar dhe i përgjakshëm i presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, e ka kthyer Rusinë në një shtet të izoluar ndërkombëtarisht, duke komplikuar udhëtimin, pasi 33 shtete – përfshirë të 27 shtetet e Bashkimit Evropian – kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për transportuesit rusë.

Njëra prej destinacioneve të pakta që ende është e qasshme është Armenia, ku shumica e njerëzve flasin rusisht dhe Qeveria e së cilës deri më tani nuk e ka dënuar ushtrinë ruse apo nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Kremlinit dhe ekonomisë ruse.

Anëtare e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia – Armenia është një partnere strategjike e Rusisë. Moska jo vetëm që ka bazë ushtarake në Armeni, por trupat e saj kujdesen për armëpushimin e arritur pas luftës së shkurtër më 2020 midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për mosmarrëveshjet lidhur me rajonin e Nagorno-Karabakut.

“Zgjedhja ime ishte ndërmjet Armenisë dhe Gjeorgjisë, sepse këto ishin destinacionet më të lehta për të udhëtuar, pasi disa aeroporte veçse janë mbyllur. Në aspektin logjistik, opsioni më i lehtë për mua ishte që të shkoja në Jerevan”, shpjegoi Aleksei.

Aleksei, 25 vjeç, u zhvendos në Armeni pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

Biletat e fluturimeve nga Moska për në Jerevan u shitën plotësisht disa ditë përpara, raportoi The Guardian më 3 mars. Po ashtu, biletat ishin shitur për fluturimet nga kryeqyteti rus drejt Stambollit dhe Beogradit.

Disa shtetas rusë që arritën në Armeni i thanë Radios Evropa e Lirë se miqtë dhe të njohurit e tyre në Rusi ose po mendojnë që të largohen nga vendi, ose veçse e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas tyre, kjo po ndodh kryesisht për shkak të shtrëngimit të sanksioneve perëndimore për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Kam dëgjuar se shumë kompani do të largohen nga vendi në një të ardhme të afërt, sepse të bësh biznes në Rusi në fushat e lidhura me importin, eksportin, financat, më nuk është e mundur”, tha një tjetër rus që ka shkuar në Armeni, i cili zgjodhi që të mos e zbulojë identitetin e tij.

Ministri armen i Ekonomisë, Vahan Kerobian, pretendoi më 1 mars se kompanitë ruse të teknologjisë me të vërtetë po i zhvendosnin operacionet e tyre në Armeni me qëllim që t’iu shmangeshin sanksioneve perëndimore, të cilat janë të paprecedentë në shkallën e tyre, teksa kanë goditur bankat, bizneset dhe individët e fuqishëm të lidhur me Putinin.

“Dhjetëra kompani veçse janë zhvendosur, ndërsa disa të tjera janë duke e bërë një gjë të tillë”, tha Kerobian.

Kerobian nuk tregoi emrat e asnjë kompanie ruse apo detaje të tjera. Ai tha vetëm se shumica e këtyre kompanive ishin në sektorin e teknologjisë dhe të orientuara drejt “tregjeve perëndimore”.

“Kufizimet e fundit nuk u lejojnë atyre që të bëjnë punën nga shteti i tyre”, shtoi Kerobian.

Një inxhiniere që punon në një kompani ruse të teknologjisë, e cila ka blerë biletën për në Jerevan, tha se vendimi për t’u larguar nga Rusia nuk ishte vetëm për arsye ekonomike, por edhe në shenjë proteste kundër sulmit që shteti i saj po bën ndaj Ukrainës.

“Kompania jonë premtoi se do t’i ndihmonte punëtorët që po planifikojnë të largohen, por nuk tha se si”, shpjegoi ajo, ndërsa kërkoi të mos i publikohej emri në këtë artikull. “Prandaj, unë zgjodha që të largohesha vetë”.

Yevgeny, një inxhinier i softuerit nga Rusia, po ashtu po planifikon që të zhvendoset në Armeni. Ai tha se është i bindur që do të gjejë punë në sektorin e teknologjisë së informacionit – një sektor në zhvillim në Armeni – që veçse vlerësohet se punëson 20,000 persona në Armeni.

“Zgjedhja ime ishte midis Armenisë dhe Serbisë”, shpjegoi ai. “Në të dy shtetet, qëndrimet ndaj rusëve janë të mira…. Nuk ka asnjë pengesë gjuhësore dhe kulturat lokale janë të kuptueshme. Por, supozimi im është se Armenia tani është më e prirë që të pranojë specialistë të teknologjisë”.

Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përfshijnë masa që kanë për qëllim të kufizojnë qasjen e Rusisë në teknologjinë e lartë dhe të komplikojnë transaksionet financiare jashtë vendit për kompanitë ruse.

Një tjetër kompani që ofron konsulencë për bizneset vendore dhe të huaja po ashtu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se në ditët e fundit ka pasur kërkesa nga Rusia, dhe madje edhe nga Bjellorusia, për të ndihmuar kompanitë që tí zhvendosin operacionet e tyre në Armeni.

Profesionistët rusë veçanërisht janë të interesuar në sektorin e teknologjisë informative në Armeni dhe disa prej tyre tashmë kanë gjetur punë në këtë shtet, tha Hayk Chobanian, drejtor ekzekutiv i Unionit të Ndërmarrjeve të Teknologjisë së Avancuar.

“Ne do të mund të flasim për shifra pas rreth një jave kur gjërat të qetësohen, por tani mund të them se disa profesionistë nga Rusia veçse kanë gjetur punë në Armeni”, tha Chobanian.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.

Midis pasojave nga sanksionet e fundit perëndimore që kanë goditur ekonominë ruse dhe sektorin financiar të vendit, presidenti Putin nxori një dekret që ndalon të gjithë individët që të marrin më shumë se 10,000 dollarë kur udhëtojnë jashtë vendit.

Në aeroportin Zvartnots të Jerevanit, shumë rusë thjesht refuzuan të tregonin se pse kishin arritur në Armeni dhe disa të tjerë thanë se ishin në këtë shtet si turistë.

Një shtetas rus duke lexuar lajme në telefonin e tij. Jerevan, 4 mars 2022.

Në ditët e fundit, numri i rusëve që po shihen në rrugët e Jerevanit duket se po rritet. Disa prej tyre, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, pranuan se kishin ardhur në Armeni për shkak të luftës në Ukrainë, por jo të gjithë thanë se po planifikonin të qëndronin në këtë shtet.

“Me gjasë do të rri këtu për disa muaj. Pas kësaj do të gjej një punë në Evropë”, tha një i ri rus, teksa bisedoi me gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Jerevan të Armenisë.

Qëkur Rusia nisi sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës më 24 shkurt, Qeveria e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, ka tentuar që të jetë e kujdesshme në qasje, duke dashur që të jetë neutrale, por në të njëjtën kohë të tregojë një besnikëri të heshtur ndaj Putinit.

Armenia abstenoi gjatë votimit për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila dënoi “në termat më të fuqishëm” pushtimin rus të Ukrainës.

Rezoluta, që u miratua më 2 mars dhe për të cilën votuan për 141 anëtarë nga 193 sa ka kjo organizatë, kërkon që Rusia menjëherë të ndalë luftën në Ukrainë dhe t’i tërheqë trupat e saj nga territori ukrainas.

Rusisë iu bashkua Bjellorusia, – territori i së cilës u përdor nga Rusia për të nisur sulmin ndaj Ukrainës – Eritrea, Koreja e Veriut dhe Siria në votimin kundër kësaj rezolute, e cila nuk është detyruese.

Armenia vazhdimisht kishte votuar kundër rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonin aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe mbështesnin sovranitetin e Ukrainës mbi këtë gadishullin në Detin e Zi.

Më 25 shkurt, Jerevani po ashtu votoi kundër pezullimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës. Ky vendim u mbështet nga 42 anëtarë të kësaj organizate me seli në Strasburg. Armenia është i vetmi shtet anëtar që iu bashkua Rusisë për të kundërshtuar pezullimin e pjesëmarrjes së Moskës në këtë Këshill.

Në reagimin e parë zyrtar armen ndaj sulmit rus, kryeministri Pashinian tha më 2 mars se Jerevani ishte “thellësisht i pikëlluar” nga lufta në Ukrainë. Ai shprehu shpresën se negociatat e reja midis Ukrainës dhe Rusisë “do të japin rezultate”./Rel/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Gjest i madh i ish-kampionit të botës

Story i radhës

Google blen kompaninë e sigurisë kibernetike për 5.4 miliardë dollarë

Të fundit nga

Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua

12 Shkup, 29 nëntor – Numri i grave të vrara nga bashkëshortët apo familjarët e tyre në botë ishte 51,100 vitin e kaluar, njoftoi të hënën agjencia e Kombeve të Bashkuara për

Gresa për Rovenën: E sëmurë nga xhelozia

Konkurrentja e Big Brother VIP Kosova, Gresa, ka vazhduar përplasjet me Rovenën. Ajo e quajti atë si ‘e sëmurë nga xhelozia’ dhe shkak u bë interpretimi i një kënge në programin festiv
ShkoLartë