Boksieria kosovare e ka siguruar medaljen e bronztë historike pasi u kualifikua në gjysmëfinale. Ajo tash e ka mision kualifikimin në finale, me ç’rast do ta siguronte të argjendtën dhe do të luftonte për të artën. Boksieria nga Gollaku do të përballet sot me amerikanen Rashida Ellis
Donjeta Sadiku do ta vazhdojë sot ëndrrën e saj në Kampionat Botëror.
Garuesja kosovare do të zbresë në ring për ta zhvilluar meçin gjysmëfinal të garës që po mbahet në Stamboll.
Boksieria nga Gollaku e siguroi medaljen historike për Kosovën pasi u kualifikua në gjysmëfinale.
Ajo tashmë e ka të sigurt medaljen e bronztë, por synon të shkojë deri në fund, për ta fituar të artën e Botërorit.
Në gjysmëfinale, Donjeta do të ketë punë me amerikanen Rashida Ellis, e cila në Botërorin e kaluar ishte e bronztë.
Sadiku është e vendosur për ta fituar këtë meç, i cili do t’ia hapte rrugën drejt titullit të kampiones botërore.
Me një kualifikim eventual në finale, ajo do ta siguronte të paktën medaljen e argjendtë.
22 vjeçarja e siguroi medaljen e bronztë pasi në çerekfinale e mposhti garuesen nga Taipei, Wu Shih-yi në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Me këtë rast, ajo ia siguroi Kosovës medaljen e parë në histori në një Kampionat Botëror të boksit.
Paraprakisht, boksieria më e mirë kosovare i kishte mposhtur japonezen Ayaka Taguchi dhe kongolezen Jocelyne Tshamala,
Donjeta kishte fituar medalje edhe në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian për juniore dhe për të reja.
Meçi gjysmëfinal i Donjeta Sadikut do të luhet sot duke filluar nga ora 18:00.
Botërori i boksit po mbahet në Stamboll të Turqisë.