Rritet numri i vizitorëve në parqet arkeologjike në Shqipëri

min lexim

Në Parqet Arkeologjike në Shqipëri ka nisur të rritet numri i turistëve pas një periudhe të vështirë, që u krijua dy vitet e fundit nga pandemia e koronavirusit. Parku i Apolonisë në Fier është nga nga sitet më të rëndësishme të vendit ku pasuritë arkeologjike kombinohen me Muzeun, Manastirin dhe shumë monumente që po bëhen gjithnjë e më të vizitueshme.

Mbi një kodër të butë në fushën më pjellore të Myzeqesë, Apolonia pret edhe këtë vit vizitorët në monumentet, muzeun dhe pasuritë e shumta arkeologjike. Rreth 12 kilometër larg Fierit, i themeluar në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit, qyteti antik me rreth 60 mijë banorë, ishte atëherë më i rëndësishmi ndër 24 qytetet në të gjithë botën mesdhetare që mbanin emerin e perëndisë “Apollon”.

Apolonia po njeh edhe këtë vit një numër të rritur të vizitorëve, thotë Drejtoresha e parkut Arkeologjik, Ornela Dyrmishi.

“Ky vit është një vit me një bum vizitorësh , jemi shumë më lart se viti i kaluar. Ende nuk jemi në shifrat e vitit 2019, por pak nga pak po i afrohemi dhe kjo është një gjë e mirë. Duke parë statistikat e këtij 5mujori jemi 50% më shumë vizitorë se viti 2021”, thotë ajo.

Parku i Apolonisë u vizitua vitin e kaluar nga rreth 30 mijë turistë, ku pjesën më të madhe e zënë turistët vendas. Por këtë vit ka një rënie të turistëve nga vendet e Europës Lindore si pasojë e luftës në Ukrainë, thotë zonja Dyrmishi.

“Duket që pandemia ka kaluar totalisht këtë vit dhe njerëzit janë më të lirë, më të qetë tek kjo pjesë , janë gjithashtu më të qetësuar nga gjithë ajo krizë që solli pandemia, por relativisht janë më të ngarkuar nga kriza ekonomike dhe ajo e Luftës në Ukrainë. Ka rënë fluksi vizitorëve që janë nga Lindja e Evropës dhe normalisht ai flusk vizitorësh që ka qenë më përpara nga Ukraina, Polonia, por edhe nga Rusia dhe kjo ka bërë që numri vizitorëve nga këto vende është më i vogël se vitet e mëparshme”, thotë ajo.

Drejtoresha e Parkut të Apolonisë flet për vendet më të vizitueshme në qytetin antik.

“Simboli i Apolonisë dhe arkeologjisë shqiptare është Agonotetët ku të gjithë shkojnë, bëjnë foto, kurse ajo që ndjell më shumë interes është edhe pjesa periferike e parkut si është Nimfeu apo muri rrethues i qytetit që tërheqin vizitorët që pëlqejnë dhe të ecin. Vizitorët që nuk përlqejnë ecjen i referohen vizitave të manastirit dhe muzeut arkeologjik që Apolonia ka”, thotë drejtoresha e parkut Arkeologjik, Ornela Dyrmishi.

Arkeologët e quajnë Apolloninë “Pompein” e Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot dhe edhe këtë vit nuk do t`i mungojnë gërmimet arkeoleogjike.

“Gërmimet nuk ndalojnë ansnjëherë. Momente më të vështira si ato të pandemisë ndikuan në ndërprerjen e gërmimeeve arkeologjike sic ishte vitit 2020 , por këte vit do rikthehen. Do jenë dy misione edhe ai francez dhe ai gjerman , i pari në zonën e Agorasë dhe i dyti në tempullin e Shtyllasit”, thotë drejtoresha e parkut Arkeologjik, Ornela Dyrmishi.

Menaxhimi i Parqeve arkeologjike ka ngjallur diskutime kohët e fundit në Shqipëri për shkak se shumë prej tyre janë në vështirësi financiare për të mbuluar nevojat e mirëmbajtjes dhe restaurimit të monumenteve, përballimit të presionit turistik dhe kryerjes së gërmimeve apo kërkimeve shkencore.

Zonja Dyrmishi thotë se nevojite një bashkëpunim më i madh sidomos me qeveritë vendore .

“Parqet arkeologjike kanë nevojë jo vetëm për një mbështetje nga të gjitha insittucionet por edhe bashkëpunim më të fortë jo vetmë me intsucionet qëndrore por sidomos nga qeveritë vendore. Parqet nuk janë një ishull në mes asgjëje por janë zona arkeolgjike dhe natyrore të shtrira në një sipërfaqe shumë të madhe. Përshembull, Apolonia shtrihet në rreth 700 hektarë dhe brenda territorit të saj ka pesë fshatra ku popullsia është mikse, tejet heterogjene nga Veriu në Jug. Normalisht bashkëpunimi me këto institucione duhet të jetë shumë i rëndësishëm jo vetëm për mbarëvajtjen dhe ecurinë por edhe për ato pjesë të jetës së përditshme së njerëzve”, thotë ajo.

Ndërsa qyteti antik pret dhe përcjell vizitorë banorët fqinjë të Pojanit, fshatit poshtë qytetit antik, përpiqen të rikthejnë ritet e vjetra në fushën e Myzeqesë e cila prodhon gjithnjë e më pak drithëra nga emigrimi masiv i banorëve./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kështu duket stadiumi në Gjilan! Agim Ademi: E lus ministrinë që të veprojë sa më shpejtë

Story i radhës

Mkhitaryan dhe Onana te Interi

Të fundit nga