Rreziku nga zbrazja dhe asimilimi!

December 1, 2022
min lexim

Zbrazja e trojeve etnike dhe asimilimi në Diasporë janë dy rreziqet më të mëdha të këtij shekulli për shqiptarët. Përderisa, largimi masiv i popullatës shqiptare drejt vendeve perëndimore ka ndikuar në zvogëlimin e popullatës në trojet etnike, integrimi i shfrenuar në vendet evro-perëndimore rrezikon tretjen dhe asimilimin e shqiptarëve.

Asimilimi fillon nga ndërrimi i emrave

Është detyrë e secilit aktivist dhe veprimtar, është detyrë e secilit bashkatdhetarë që të kujdeset për gjeneratat e reja në mërgim, në mënyrë që të rinjët dhe të rejat të mos shkëputen nga rrënjët e trungut kombëtar, por ta ruajnë gjuhën amëtare dhe traditat e bukura shqiptare, në mënyrë që të rinjët të mos rrëshqasin në rrugën e asimilimit, por të shkojnë drejt rrugës së forcimit dhe ruajtjes së qenjes sonë kombëtare.

Jeta e të rinjëve në emigrim është e vështirë dhe tejët sfiduese. Për aq sa janë mundësitë e përfitimit material në mënyrë të ndershme, shumfish janë më të mëdha mundësitë e joshjes së të rinjëve për përfitime të shpejta, rrugë të cilat janë me 1001 rreziqe për të përfunduar keq dhe në mënyrë tragjike.

Është detyrë e secilit prind që të edukojë fëmijët e vet para se të marrin rrugën e emigrimit, e aq më tepër e prindërve që jetojnë prej vitesh në emigrim, që fëmijët e tyre, krahas integrimit në shtetet ku jetojnë, ta ruajnë në radhë të parë gjuhën amëtare, traditat dhe zakonet e bukura shqiptare.

Gjuha dhe emri janë bazike në ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgim

Kjo është lehtë e arritshme kur prindërit janë të kujdeshëm në përdorimin e gjuhës shqipe gjatë komunikimit me fëmijët e tyre, por rreziku i asimilimit bëhet i madh kur prindërit e papërgjegjshëm, duke u munduar ta dëshmojnë vetën para fëmijëve të tyre, se sa bukur e flasin gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë, me ose pa vetëdije e ndihmojnë asimilimin dhe degjenerimin kombëtar të pasardhësve të tyre.

Në secilin vend evro-perëndimorë, diku më pak dhe diku tjetër më shumë, hapur shfaqen tendecat e imponimit të ndërrimit të emrave gjatë komunikimit në vendet e punës përmes pseudonimeve apo shkurtimit të emrave, kinse si lehtësim për autoritetet vendore, por një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë, pasi, pikërisht nga emri fillon faza e parë e tjetërsimit dhe asimilimit të një emigranti në vend të huaj.

Le të më tregon dikush nga bashkatdhetarët, se cilët popuj të botës që jetojnë si emigrant në vendet evro-perëndimore pranojnë t’iu ndërrohet emri aq lehtësisht siq e pranojnë shqiptarët!?

Përgjigja është, asnjëri popull!

Ju bëjë thirrje shpirtërore dhe vëllazërore të gjithë bashkatdhetarëve në vendet evro-perëndimore, që t’i ruajnë me fanatizëm emrat e vënë nga etërit dhe gjyshërit në vendlindje dhe as të mos i pagëzojnë fëmijët e tyre të lindur në mërgim me emra të huaj, ngase ashtu e pranojmë tjetërsimin dhe ndihmojmë asimililin e gjeneratës së dytë dhe të tretë në perëndim.

Rikujtesë për gjeneratat e reja

Parardhësit tonë, edhe përkundër pushtimeve të gjata dhe barbare, kanë arritur ta ruajnë gjuhën e bukur shqipe, emrat, traditat dhe zakonet e bukura popullore shqiptare. Nga do që të shkojmë mos ta harrojmë origjinën tonë, mos të harrojmë se jemi njëri prej popujve më të vjetër të kontinentit evropian, mos të harrojmë se gjuha shqipe është njëra ndër 12 gjuhët më të vjetra në botë.

Në fund të shekullit të kaluar, pas shkëputjes nga Serbia, Diaspora shqiptare, përkatësisht mërgimtarët ishin ata që e ndihmuan dhe mbajtën gjallë jetën jetën institucionale në Kosovë, mërgimtarët ishin ata që e ndihmuan luftën çlirimtare, duke u bërë edhe vetë pjesë aktive e saj.

Edhe në filllim të këtij shekulli, gjegjësisht pas lufte, përseri mërgimtarët e ndihmuan rindertimin e vendit dhe kthimin e gjallërisë në trojet tona etnike. Do të ndalem me kaq, ngase ndihma e mërgatës është e madhe dhe shumdimensionale, kërkon kohë dhe hapësirë të madhe për shtjellim.

Andaj, të dashur bashkatdhetarë, duhet ta fitojmë edhe betejën e zbrazjes së trojeve tona etnike, ngase kjo është më fondamentale se gjithçka tjetër për ta parandaluar rikolonizimin e Kosovës nga armiqt shekullorë, sikurse që është jetike edhe mbrojtja e gjeneratave të reja në emigrim nga asimilimi dhe tjetërsimi në diçka që nuk është e jona.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Horoskopi ditor, e enjte 1 dhjetor 2022

Story i radhës

E mbështollën me çarçaf, e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në furgon, si ndodhi rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës dy vite më parë

Të fundit nga

ShkoLartë