Rreth Projektkodit Civil të Kosovës “Martesa në mes gjinive të njëjtë

February 23, 2022
min lexim

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës Nr. 08/L-124  dhe me datë 11.01.2022 e ka proceduar Projektkodin Civil  Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim të mëtutjeshëm në procedurë të rregullt .

Projektkodi Civil  i hartuar nga Ministria e Drejtësisë,  ka kaluar të gjitha fazat procedurale të parashikuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovë, dhe se Kuvendit të Kosovës krahas Projektkodit Civil  janë dërguar edhe  Deklarata për përafrimin dhe harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian,  Memorandumi shpjegues, Opinioni ligjor dhe Deklarata për vlerësimin e ndikimit financiar. Në këtë vështrim  të Projektkodit Civil do të ndalem në pjesën e nënkapitullit të martesës, saktësisht të propozimit të “martesës në mes  gjinive të njëjtë”.

Neni 1138 par.1 dhe 2 i Projektkodit civil parasheh:

1. Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.

 2. Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë.

Edhe pse në Deklaratën e përputhshmërisë së legjislacionit të Republikës së Kosovës me acquis të Bashkimit Evropian(BE-së) të propozueses së Projektkodit Civil, Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë ceket se:” E drejta  civile mbetet kryesisht kompetencë e shteteve anëtare të Bashkësisë Evropiane!”, Kosova edhe po të ishte anëtare e Bashkimit Evropian, prap se prap e drejta civile mbetet në kompetencën e saj, e jo të BE-së. Përkundër kësaj, qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë  në kuadër të drejtës civile, propozon lidhjen e martesës në mes gjinive të njëjta, që është në kundërshtim me parimet fetare( të cilido besim monoteist), morale, kombëtare, kulturore, zakonore të popullit të Kosovës, dhe me këtë Kosova bëhet  rast”sui generis”, që propozon të legalizon këtë, duke marr parasysh se kjo nuk është e rregulluar në nivel të BE-së, dhe ka shtete anëtare të BE-së  që e kanë miratuar këtë, por ka edhe shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë legalizuar martesën në mes gjinive të njëjta.

Edhe pse kjo çështje nuk është rregulluar në nivel të Bashkimit Evropian, dhe se burimi primar i së drejtës në BE për këtë  nuk ekziston, propozuesja, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë thirret në një direktivë të burimit sekondar të së drejtës së BE-së, citoj  në origjinal në gjuhën angleze : Council Directive 85/374/EE Co f25 July 1985 on the approximation  of the laws, regulations and administrative provisions of theMember States concerning liability for defective products – në përkthim në gjuhën shqipe: Direktiva e Këshillit 85/374/EEC e 25 korrikut 1985 mbi përafrimin e përputhjes së ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të shteteve anëtare në lidhje me përgjegjësinë për produktet me të meta”.

Nuk kam të qartë se çfarë ka dashur propozuesi, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë të thirret në  këtë Direktivë  të BE-së që ka të bëjë me përgjegjësinë e shteteve anëtare të BE-së  për produkte me të meta,  e me këtë direktivë legjislacioni i Kosovës  lidhur me propozimin e martesave në mes gjinive të njëjta të jetë në përputhshmëri me acques të BE-së. Çka ka të bëjë kjo direktivë e Këshillit nr. 85/374/EEC për produkte me të meta me martesat e gjinive të njëjta!!!

Burimi tjetër në të cilin thirret propozuesja  e këtij Projektkodi Civil, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë, është: “Rasti C-673/16 i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian “Relu Adrian Coman and Others v Inspectorat  General pentit Imigridri and Ministend Afacerilor Interne”.

Në këtë rast, Gjykata e Drejtësisë së BE-së, thekson:” refuzimi i një shteti anëtar për të njohur me qëllim të dhënies së të drejtave për bashkim familjar martesat e gjinisë së njëjte në mes një qytetari të BE-së dhe të një vendi të tretë që është lidhur në një vend anëtar të BE-së  gjatë periudhës së rezidencës së qytetarit të BE-së në atë vend, mund të pengoj ushtrimin e së drejtës së lëvizjes së lirë të qytetarit të BE-së”. Sipas këtij rasti, një qytetar i BE-së mund t’i kërkoj shtetit të destinacionit që të pranoj në territorin e tij, bashkëshortin e gjinisë së njëjte, pavarësisht faktit qe shteti  e lejon ose jo martesën mes gjinisë se njëjte brenda territorit të tij.

Është jashtë çdo perceptimi logjik e më së paku juridik që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë aludon në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së që ka të bëjë me ushtrimin e drejtës  së lëvizjes së lirë të një qytetari të BE-së, të jetë mostër për propozimin për lejimin e martesës në mes gjinisë së njëjtët në nenin 1138 par. 2, sipas së cilit Projektkodi Civil i Kosovës duhet të jetë në përputhshmëri  me aques të BE-së !!!

Qeveria e  Kosovës, gjegjësisht Ministria e  Drejtësisë,  vazhdon më tutje me  keqinterpretimin e nenit 37 par. 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me të cilin  termin “bashkëshortë” në Kushtetutën e Kosovës e interpreton në gjininë asnjanëse, që është non sens në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës.

Neni 37 par. 2 i Kushtetutës së Kosovës thekson:” Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve”.

Në komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Botimi I, viti 2013, neni 37. par.2 është interpretuar me sa vijon:”Ajo që është me rëndësi për analizën e këtij neni , është fakti se martesa bazohet në barazinë e bashkëshorteve (paragrafi 2). Këtë dispozitë më tutje e përpunon Ligji i Kosovës për Familjen, i cili thekson se në martesë, në të gjitha raportet personale dhe pasurore, bashkëshortët janë të barabartë(neni 42 paragrafi 1). Prandaj , parimi i barazisë së bashkëshorteve garantohet jo vetëm me rastin e lidhjes së martesës, por edhe gjatë kohës së zgjatjes së martesës, si dhe me rastin e zgjidhjes së martesës”.

Nga ky interpretim i qartë shihet se barazia e bashkëshortëve nuk nënkupton  gjininë asnjanëse siç pretendon Qeveria, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë , por ceket se bashkëshortët  janë të barabartë në drejtat dhe detyrimet  e tyre  në martesë, në të gjitha marrëdhëniet personale dhe pronësore.

Në opinionin ligjor të qeverisë lidhur me përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së qartë theksohet se:” Forma e rregullimit të së drejtës civile ne nivel te shteteve anëtare te BE-se ka shumëllojshmëri të rregullimit. Shtetet anëtare të BE-së përmbajnë ligje, rregullore dhe dispozitat të ndryshme administrative që rregullojnë fushëveprimin e së drejtës së detyrimeve, pronësinë dhe të drejtat pronësore, të drejtën familjare, dhe rregullimin e trashëgimisë”.

Në opinionin ligjor të shprehur të Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë ceken llojllojshmëri të rregullimit  ligjor të shteteve anëtare të BE-së, të cilat  nuk janë të harmonizuara  në nivel të BE-së, e aq më pak kemi  harmonizimin  në çështjen e martesës  në nivel të BE-së, pasi ato janë lënë në kompetencë të shteteve anëtare të BE-së, të cilët i kanë rregulluar veç e veç duke marr parasysh  të gjitha specifikat  e ndryshme të popujve përkatës të shteteve  anëtare të BE-së.

Në memorandumin shpjegues për Projektkodin Civil të Kosovës të propozueses Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë theksohet:” Përkundër që në disa raste, sikurse që parashihet në draft Kodin Civil, lejohet rregullimi me ligje të veçanta, ato rregullime nuk mund të jenë në kundërshtim me parimet e draft Kodit Civil”.

Nga kjo nënkuptohet se disa institute të së drejtës civile mund të rregullohen me ligje të veçantë, sikurse parashihet  për lidhjen së martesës në mes  gjinive të njëjta, porse apriori  duhet të jenë në harmoni me Projektkodin Civil të Kosovës, që nënkupton se ligji i veçantë i cili më vonë do të miratohet, do të përfshijë medoemos  të drejtën e martesës në mes  gjinive të njëjtë.

Do të përmbyll këtë vështrim me porosinë drejtuar  deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të popullit, që kanë  mandatin e popullit, se Qeveria propozon dhe procedon ligjet në Kuvend, por  janë deputetët  që miratojnë ligjet. Para se të votojnë, të mendojnë mirë, dhe të refuzojnë votimin e propozimit të martesave në mes gjinive të njëjta, pasi që vullneti i popullit të Kosovës  në shumicë absolute është kundër  ligjërimit dhe legalizimit  të martesave  në mes gjinive të njëjta. Nëse deputetët nuk kanë guxim të refuzojnë këtë propozim për martesat në mes gjinive të njëjta , atëherë le të cedojnë (bartin) këtë propozim  për vet vendosje tek populli, i cili në referendumin që do të mbahej  do të refuzonte me shumicë absolute këtë propozim të qeverisë për martesat në mes gjinive të njëjta.

Në të kundërtën do të  merrni mbi vete një përgjegjësi të madhe, do të merrni në qafë jo vetëm veten e juaj, por si përfaqësues të popullit, do të katandisni   popullin e Kosovës drejt shkatërrimi nga Krijuesi Fuqiplotë, ashtu sikurse ka ndodhur para rreth 4000 vitesh  me popullin e Sodomës dhe Gomorës në brigjet e Detit të Vdekur, i cili u fshi nga  faqja e dheut nga Zoti fuqiplotë, për shkak se nuk u bindën profetit Lut(Lot) që të shmangen nga  homoseksualizmi të cilin e pasonin :”A shkoni pas meshkujve të kësaj bote! E gratë tuaja i leni anash, të cilat Zoti i juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kalon çdo kufi”(S. 26, v. 165-166).

          18. 02. 2022                                                                     Av. Faik MIFTARI

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Plasin pakënaqësitë brenda ASH-së, kundërshtohet rikandidimi i Ziadin Selës!

Story i radhës

Çfarë është gazsjellësi rus “Nord Stream 2” për të cilin po flitet kaq shumë?

Të fundit nga

ShkoLartë