Në Kiev mbretëron një qetësi e frikshme. Kryeqyteti është shpartalluar dhe rraskapitur nga sulmet ajrore si dhe detonimet në pjesët përreth. Nganjëherë godasin edhe në zemër të qytetit. Çfarë mund të vije në vijim, nuk e di askush, por mund të imagjinohet.
Banorët e kryeqytetit të rrethuar janë në kontakt me shokët dhe kushërinjtë, përderisa forcat ruse godasin zonat e banueshme me egërsi në qytetet veriore, jugore dhe lindore.
BBC ka raportuar për ukrainasen e quajtura Liana, e cila po qëndron në një bodrum, diku në Kiev, për t’u strehuar.
Ajo është e shqetësuar për babain e moshuar të saj, i cili jeton në jug, afër Çernobilit, ku trupat ruse kanë depërtuar dhe një ditë kanë trokitur në derën e tij, duke kërkuar cigare. Ende qëndrojnë aty, raporton BBC.
Kur e mori lajmin, Liana shpërtheu në të qara. Babai i saj qëndroi në bodrum për ditë të tëra dhe doli për të marrë ajër vetëm pas disa ditësh, kur krismat pushuan.
“Pa vetëm qiellin. Shtëpia e tij u shkatërrua. Gjithçka që ndërtoi në jetën e tij, humbi. Si mund t’ia nis nga fillimi?”, ka pyetur Liana, babai i së cilës është në gjashtëdhjetat.
Pranë shtëpisë së tij të rrafshuar nga luftimet, shtëpitë e fqinjëve ishin në flakë.
Pa pasur një vend të shkojë, ai bashkë me familjen kanë pirë vodka, e vetmja mbrojtje e mbetur kundër temperaturave nën zero në këtë luftë të pamëshirshme.