Është fakt i pranuar edhe nga shtetet më të fuqishme perendimore se Turqia ka një rol kyç strategjik dhe me potencial të madh ekonomik e ushtarak në Lindjen por edhe më gjerë. Këtë e kanë thënë e stërthënë shumë burrështetas, politikanë e shtetarë të lartë europianë. Ky fakt i rolit të Turqisë është në të mirë edhe të shqiptarëve, pasi Turqia është provuar se ajo është aleat strategjik Shqipërisë dhe Kosovës, deklaruar kjo nga të gjithë si ish-pushtetarët ashtu edhe nga ata te sotëm të Tiranës.
Lufta në Ukrainë është konflikti më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, luftë mes Rusisë dhe Ukrainës, luftë që zhvillohet në dyert e BE-së dhe të NATO-s, e që përbën një kërcënim serioz për luftë globale.
E gjithë bota pret me padurim që kjo luftë të përfundojë sa më parë, dhe të vendoset paqja. Një interesim të madhe dhe rol , ndoshta dhe më kryesorin sot për përfundimin e kësaj lufte po e luan Turqia.
Në fjalën e rastit gjatë pritjes, ambasadori amerikan Flake u shpreh se ai vetë, bashkëshortja dhe stafi i tij ndihen si në shtëpinë e tyre edhe pse kanë kaluar vetëm pak muaj që ardhja e tyre në Turqi. “Unë dua të shpenzoj disa fjalë për periudhën nëpër të cilën po kalojmë. Këto ditë janë kohë të vështira për Ukrainën. Më lejoni të falënderoj qeverinë turke për mbështetjen e saj të vendosur në lidhje me sovranitetin e Ukrainës dhe për të gjithë asistencën e saj për ata që kanë nevojë për ndihma humanitare”, deklaroi shefi i misionit diplomatik amerikan në Ankara.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, vlerësoi disa nga kryefjalët e marrëdhënieve turko-amerikane dhe vizitën që Mevlut Çavusoglu do të realizojë në Uashington gjatë majit, në konferencën e tij të përditshme për shtyp.
Ned Price tha se Turqia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe se së fundmi janë mbajtur shumë takime mes sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe homologut Çavusoglu për marrëdhëniet dypalëshe.
“Turqia po luan një rol të rëndësishëm për të siguruar që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën që filloi (më 24 shkurt 2022) kundër Ukrainës. Prandaj kjo mundësi që do të realizohet së afërmi (vizita e Çavusoglu), do të jetë një element i rëndësishëm i përpjekjeve që synojnë t’i kërkojnë llogari Rusisë për luftën e saj kundër popullit, qeverisë, shtetit të Ukrainës. Por në të njëjtën kohë, si dy partnerë në NATO, ne kemi interesa të përbashkëta me palën turke për një sërë kapitujsh”, vlerësoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
Dhe nuk është “rastësi” që Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së vizitoi Turqinë, dhe më pas u takua të martën me Presidentin rus, Vladimir Putin, në kryeqytetin Moskë të Rusisë, si dhe më 28 prill me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin Kiev të Ukrainës.
Escobar i dërguari i ri amerikan për Ballkanin tha për mediat greke: “Jam shumë i shqetësuar për ndikimet dashakeqe ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon”, tha ai
Lufta në Ukrainë, pas takimit me Erdogan, Vjosa Osmani kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO
Presidentja e vendit, në një konferencë për media pas takimit tha që Kosova është interesuar që të vazhdojë të mbajë marrëdhëniet e mira me Turqinë.
Osmani ka vlerësuar rolin e Erdoganit në mbështetje të Kosovës dhe ndihmën që Turqia i ka dhënë Kosovës për njohjet e reja.
“Kosova duhet të anëtarësohet në NATO, ku Turqia ka rol të rëndësishëm dhe e falënderoj presidentin Erdogan për punën në këtë drejtim. Në kuadër të NATO-s Turqia mund të bëjë shumë duke i dhënë përkrahje Kosovës”, ka thënë ajo.
“Ndër aleatët që kurrë nuk na ka kthyer shpinën që nga çlirimi e deri më sot ka qenë Republika e Turqisë”, tha Osmani
Kryeministri Edi Rama ka realizuar një vizitë zyrtare në Gjermani, ku është pritur në takim nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe ka takuar kancelarin Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë.
Pas ceremonisë së pritjes dhe përfundimit të takimeve, Rama dhe Scholz mbajtën një konferencë të përbashkët për media, dhe Rama i pyetur nga një gazetar se a ka pasur gjatë një-dy viteve të fundit rritje të ndikimit të vendeve si: Rusia, Kina, Turqia Rama tha:
Turqia nuk është një aktor i tretë, ajo është partnere strategjike e Shqipërisë,shtoi: “Për mua Turqia është një pikë sigurie shumë e rëndësishme për të gjithë Evropën”.
Pra, është pë t’u përshëndetur politika dhe diplomacia e dy shteteve shqiptare të cilat kanë një vizion e qëndrim real me rëndësi jetike e strategjike për interesin shqiptar: atë të mirënjohjes e të vlerësimit të marrëdhënieve strategjike si me aleatin e madh global SHBA-të, ashtu edhe me supershtetin e Turqisë.
Ndërsa për Perendimin ja cfarë thotë ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, i cili ka kritikuar liderët botërorë për justifikimet dhe masat gjysmake kundrejt Rusisë ndërsa bëri thirrje për vendosjen e embargos të naftës ruse, shkruan the Guardian
“Nëse liderët dhe bizneset botërore janë të angazhuar për t’i dhënë fund krimeve ruse të luftës, ata së pari duhet ta privojnë Putinin nga të ardhurat e naftës. Mjaft me justifikime dhe masa gjysmake ndërsa ukrainasit bombardohen, vriten, torturohen dhe dhunohen.Nafta ruse është me gjak ukrainas. Vendosni embargos naftës ruse,” tha Kuleba.
Dhe unë po i them BE-së: mjaft më me hipokrizira e djallëzira, por pranojeni Kosovën, Shqipërinë dhe Ukrainën në BE, dhe leni më BE ,”filozofitë” e justifikimet mashtruese për standardet.
Dhe prandaj shteti eropian më aktiv që është i interesuar seriozisht për dhënien fund të këtij konflikti është Turqia, ku si resultat i kësaj përpjekje është berë i mundur edhe realizimi i një takimi midis ministrave të jashtëm të të dyja shteteve të përfshira në këtë luftë, gjë për të cilën Turqia ka marrë falenderime edhe nga Rusia, nga Ukraina por edhe nga shtete te tjera europiane si edhe nga shefi i NATO-s i cili deklaroi se “Turqia është një aleat shumë i vlefshëm i NATO-s. Turqia kontribuon në mbrojtjen kolektive të NATO-s në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg, i cili shtoi se Turqia në të njëjtën kohë luan një rol kyç në luftën kundër terrorizmit dhe ndodhet në një pozicion strategjik.
Stoltenberg vuri në dukje se Turqia ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në misionet e NATO-s, si në Kosovëdhe Irak, si dhe ka marrë pjesë në misionet e NATO-s duke dërguar në shumë rajone të tjera avionë dhe anije.
Më tej Stoltenberg iu referua takimit që u zhvillua në mes ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov dhe ministrit të jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. “I përgëzoj përpjekjet e Turqisë për të lehtësur proceset diplomatike dhe politike të cilat mund të shkojnë në një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.
Pra shefi i NATO-s citon edhe faktin se Turqia ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në Kosovë, dhe prandaj politika më e lartë e Kosovës dhe e Shqipërisë, si presidentë, kryeministra e diplomatë shqiptarë me të drejtë i janë mirënjohës Turqisë.
Kjo tregon seriozitetin dhe kontributet e jashtëzakonshme të Turqise kudo ku kërkohen ndihma humanitare dhe sidomos për vendosjen e paqes ajo kontribuon aq shumë.
Dhe prandaj edhe Putin beson se ndermjetësimi i Turqisë mund të sjellë paqen në Ukrainë, dhe nuk beson te BE.
“Është shumë e vështirë të gjesh njerëz në politikë që ‘Po’-në e kanë Po dhe ‘Jo’-në e kanë Jo”,– ka thënë Kryeministri i Shqipërisë për Presidentin turk Erdogan, nisur nga ato se cfarë mbështetje të jashtëzakonshme reale e miqësore që Presidenti turk i ka dhënë Shqipërisë në ditët më të vështira të tërmetit, të pandemisë Covid -19, si dhe në ndihma të tjera për zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit, për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për njohjen dhe mbështetjen e fuqishme për Kosovën, për antarësimin e saj në organizma nderkombëtare dhe për njohje të reja për shtetin e Kosovës.
Duke u nisur nga deklarata e pas takimit me Putinin në Moskë, në kryeqytetin e Rusisë, kancelari Nehammer iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve austriakë per Putin se :
“Ai ende u beson bisedimeve në Stamboll dhe do ta bisedojë këtë çështje me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan”.
Pra Putin, sipas kancelarit austriak beson si ndermjetës për bisedime me Ukrainën , beson Erdoganin, pavarësisht se Turqia ka qenë i vetmi shtet i NATO-s i cili ka kundërshtuar fuqishëm aneksimin apo pushtimin nga Rusia të Krimesë; pavarësisht se Erdogan ia tha hapur dhe drejtpërdrejt Putinit para se ai ta sulmonte Ukrainën , se ne rast sulmi Turqia do ishte përkrah Ukrainës; dhe pavarësisht se dronët luftarak turq deri tani janë arma kryesore e ushtrisë së Ukrainës kundër rusëve me të cilat Turqia e ka pajisur Ukrainën në një kohë kur më parë askush nuk i kishte dhënë armë asaj.
Putin beson te Erdogan pavarësisht se Erdogan ka qenë kritik edhe ndaj NATO -s dhe BE-së dhe kur filloi lufta ai pati deklaruar se: “Kjo nuk do të duhej të kthehej në një vërshim të dënimeve të zakonshme. NATO duhet të kishte ndërmarrë një hap më të vendosur. BE-ja dhe të gjitha mentalitetet perëndimore nuk kanë treguar një qëndrim të caktuar serioz. Të gjithë ata vazhdimisht po e këshillojnë Ukrainën”, u tha Erdogan gazetarëve. “Me këshillë nuk mund të arrihet diku. Kur shikoni hapat e ndërmarra, ata nuk janë fare”.
Dhe për këto qëndrime presidenti, populli dhe Shteti i Ukrainës kanë shprehur respektin dhe mirënjohjen më të lartë për Erdoganin dhe për shtetin turk, pasi shtetet e BE-së me në krye si Franca djallëzisht sillen e bëjnë sikur u vjen keq për Ukrainën, pasi ndryshe sillen e veprojnë duke parë interesat e veta për gazin e naftën ruse.
BE gjithnjë e më shumë ka mbajtur anën e Serbisë në bisedimet Kosovë, si dhe ka neglizhuar padrejtësisht duke mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe as liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo ndodh për arsye të ndikimit të madh që kanë lobet serbo-rusofile në politikën dhe në shtetet e BE-së, gjë e cila vërehet efekti rusofil i BE-së edhe në qëndrimet joserioze edhe në luftën e Ukrainës.
Dhe Rusia duke shfrytëzuar lobin rusofil në BE nuk i llogarit shtetet e BE-së si potencialisht të besueshme e as si garant të paqes qe mund të vendoset mes Rusisë e Ukrainës.Këtë ndërmjetësim mund ta bëjnë shtete të fuqishme si SHBA, Britania e Turqia.
Putin beson te Erdogan , sepse ai tashmë e njeh seriozitetin e Presidentit Erdogan , personalitetin dhe si burrështetas serioz e të drejtë; sepse Putin e njeh edhe faktin e fuqisë së Turqisë për të qenë garante e asaj marrëveshjeje nëse arrihet; pasi Turqia pas SHBA-ve është forca e Dytë Ushtarake e NATO-s.
Putin beson te ndermjetësia turke për marrëveshjen me Ukrainën për faktin se në rajonin ku zhvillohet lufta, Turqia ka edhe pozicionin kyc gjeostrategjik e gjeopolitik, si dhe Turqia është shteti më i interesuar për ndërprerjen e luftës dhe për vendosjen e paqes pasi Turqia ka marrëdhënie të mira ekonomike, turistike, tregtare dhe energjitike si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën. Putin beson te Turqia sepse ai e ka parë dhe ia njeh fuqinë asaj, pasi këtë Turqia e ka treguar në Siri, Libi, Egjipt, Etiopi, Nagorni Karabak etj.
Pra, është fakt i pranuar edhe nga shtetet më të fuqishme perendimore se Turqia ka një rol kyc strategjik dhe me potencial të madh ekonomik e ushtarak në Lindjen por edhe më gjërë. Dhe me këtë ndoshta mund të mos jenë dakord apo nuk e dëshirojnë një fakt të tillë verbëria urrejtëse e disa turkofobëve.
Unë thjesht po bëj analizë në këtë shkrim bazuar në fakte dhe në të vërteta të thëna e të deklaruara nga personalitete e politikanë të rangut të lartë si ndërkombëtar perendimor ashtu edhe kryetarë shteti e kryeministra shqiptarë, dhe nëse dikush ka opinion të kundërt, komentin ta bëjë me fakte dhe të debatojë konkretisht dhe jo me fantazira e fjalë të papërshtashme.