RMV, qytetarët raportojnë ushqime të prishura për shkak të fikjes së frigoriferëve në markete

November 1, 2022
min lexim

Produkte të qumështit, mish, por edhe spinaq e bizele. Këto janë vetëm disa nga produktet që qytetarët i blenë të prishura, edhe pse nuk iu kishte kaluar afati i përdorimit. Këto raste momentalisht janë duke i raportuar në Organizatën e Konsumatorëve (OKM), nga ku për Meta.mk sqarojnë se kjo është për shkak se në markete janë fikur frigoriferët për të kursyer para dhe është pikërisht ndërprerja e zinxhirit të ftohtë që prish produktet, transmeton Portalb.mk.

“Kemi shumë reagime për raste të tilla si në Shkup ashtu edhe në qytete të tjera. Ata i referohen më së shumti produkteve të prishura të qumshtit, pasi me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe këmbënguljes se duhet kursyer, marketet fikin frigoriferët. Po, mund t’i fikin për birrën, por nuk guxojnë t’i fikin te mishi dhe produktet e qumështit”, thotë Tatjana Tasevska nga OKM.

Magazinimi joadekuat duhet të raportohet në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), ku ka inspektorë që kryejnë inspektime në terren dhe marrin masa. Nga AUV, për Meta.mk, sqarojnë se operatorët e ushqimit kanë obligim ligjor që të ruajnë zinxhirin e ftohjes dhe ta mbajnë ushqimin në pajisje ftohëse në temperaturë të përshtatshme, pra në temperaturë të rekomanduar nga prodhuesit si një nga kushtet për vendosjen e produkteve të sigurta në treg.

“Deri më tani janë paraqitur 4 ankesa nga qytetarë të cilët janë ankuar për mos ruajtje të rregullt të produkteve për shkak të shkyçjes së pajisjeve ftohëse. Është vepruar sipas të gjitha ankesave nga shërbimet inspektuese. Nga katër ankesat e marra nga konsumatorët mbi këtë bazë, dy janë të përgjithshme dhe i referohen dyshimit për fikjen e frigoriferëve për ruajtjen e ushqimeve, njëra nga ankesat i referohet dyshimit për një produkt mishi të përpunuar në mënyrë të pasigurt (salami) dhe e dyta për dyshim për qumësht me çokollatë të pasigurt”, informojnë nga atje.

Në pyetjen nëse inspektorët kanë ndëshkuar pronarët e marketeve lidhur me këtë fenomen, nga AUV janë përgjigjur se kanë nisur me intensifikimin e kontrolleve inspektuese pasi kanë pasur informacion për shkyçjen e frigoriferëve në markete.

“Nga data 15 shtator janë kryer 370 kontrolle të jashtëzakonshme në markete dhe objekte hoteliere, si dhe është vepruar edhe pas ankesave të paraqitura në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë se për të kursyer energjinë elektrike janë fikur aparatet ftohëes në markete dhe objekte hotelerie, sidomos pas përfundimit të orarit të punës. Fenomeni i fikjes së frigoriferëve nuk është konstatuar, pra janë konstatuar devijime në regjimin e temperaturës vetëm në 3 operatorë, më saktë, të mbajtjes së produkteve në një temperaturë që nuk korrespondon me temperaturën e kërkuar të deklaruar në produkte”, bëjnë të ditur nga atje.

Për mospërputhjet e konstatuara, shtojnë ata, operatorëve i janë dorëzuar 3 urdhërpagesa. Te 17 operatorë, me kontrollet e jashtëzakonshme u konstatua se nuk mbanin evidencë për monitorimin e temperaturës në aparatet ftohëse, për të cilat u dhanë 12 vendime dhe 5 edukime për heqjen e mospërputhjeve.

“Kontrollet inspektuese do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim dhe do të kryhen si deri tani në orët e hershme të mëngjesit, pra para fillimit të punës në tregje dhe objekte hoteliere për të konstatuar gjendjen reale faktike me ruajtjen e ushqimeve në pajisjet ftohëse”, thonë nga Agjencia.

Çdo mospërputhje në aspektin e sigurisë ushqimore nga operatorët e aprovuar/regjistruar në Agjenci, konsumatorët mund të raportojnë çdo mospërputhje në aspektin e sigurisë ushqimore personalisht, me shkrim, në mënyrë elektronike në [email protected], ose në linjën telefonike falas për konsumatorët 0800 3 22 22.

Burimi: portalb.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Zgjedhje parlamentare në Danimarkë

Story i radhës

Rina Rexhepi, golashënuesja e spikatur

Të fundit nga

ShkoLartë