RMV, progres i kufizuar në lirinë e shprehjes – gazetarët në kushte të vështira socio-ekonomike, sulmet fizike ndaj tyre të pazgjidhura

October 23, 2022
min lexim

Rastet e vjetra të sulmeve fizike ndaj gazetarëve mbeten të pazgjidhura. Të drejtat e punës, të tilla si e drejta për pushim vjetor, orët jashtë orarit të paguar dhe ndërrimet e paguara të natës, shpesh shpërfillen. Shumë gazetarë kanë status kontraktual të cenueshëm dhe kushte të vështira socio-ekonomike, gjë që kontribuon në një kulturë të vetëcensurës dhe krijon mundësi për pronarët e mediave që të ndikojnë fuqishëm në politikën editoriale. Nuk u gjetën zgjidhje për borxhet e vjetra të transmetuesit publik ndaj institucioneve shtetërore. Parlamenti ka vonuar emërimet e anëtarëve të rinj të këshillit të servisit publik dhe këshillit të rregullatorit të medias, duke demonstruar kështu mungesën e konsensusit politik për reformat në media. Këto janë kritikat e BE-së për lirinë e shprehjes, përkatësisht reformat në media, transmeton Portalb.mk.

Liria e shprehjes

Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel përgatitjeje/është e përgatitur mesatarisht në fushën e lirisë së shprehjes. Në përgjithësi, ka bërë progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese për të adresuar rekomandimet paraprake. Duhet transparencë më e madhe në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike. Autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të reformuar transmetuesin publik, duke siguruar pavarësinë e tij, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. Procesi i reformës së servisit publik, në përputhje me strategjinë e tij pesëvjeçare të zhvillimit, kufizohet nga vonesat në emërimin e anëtarëve të këshillit të tij. Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ende duhet të emërohet. Të drejtat e punës së gazetarëve ende duhet të trajtohen. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet:

  • të rishikohet kuadri ligjor që rregullon median në përputhje me acquisin e BE-së dhe standardet evropiane, në veçanti duke vazhduar punën për të harmonizuar ligjet kombëtare me Direktivën Evropiane të rishikuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive;
  • të rriten aksionet për zbatimin e strategjisë për reformimin e servisit publik dhe finalizimin e emërimeve për këshillin e programit të servisit publik dhe këshillin e rregullatorit të medias;
  • të adresohn menjëherë të gjitha rastet e kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe të sigurohet që autorët të sillen para drejtësisë.

Sfidat mbeten në zbatimin e kornizës ligjore që përfshin punën e mediave, veçanërisht në Ligjin për shërbimet mediale audio dhe audiovizive. Edhe pse rastet e dhunës fizike dhe verbale janë ulur, kërcënimet online ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë në rritje. Kushtet e punës për punonjësit e medias mbeten sfiduese, veçanërisht të drejtat e tyre të punës dhe sociale. Autoritetet dhe rregullatori i medias mbështetën mediat gjatë pandemisë COVID-19. Vendi tani duhet të hartojë një strategji për reformën e medias, me mbështetjen e të gjithë aktorëve.

Frikësimi i gazetarëve

Nevojiten veprime të mëtejshme për të siguruar hetime të paanshme, të shpejta dhe efektive. Politikanët nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe zyrtarët publikë duhet të japin vazhdimisht një shembull të standardeve të larta për respektimin e lirisë së medias në ndërveprimet e tyre me gazetarët. Ngacmimet online dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve, veçanërisht në mediat sociale, kanë vazhduar. Rastet e vjetra të sulmeve fizike ndaj gazetarëve mbeten të pazgjidhura.

Mjedisi legjislativ

Procesi i përafrimit të Ligjit për shërbimet mediale audio dhe audiovizive me acquis të BE-së duhet të vazhdojë.

Parlamenti vonoi gjithashtu emërimet e anëtarëve të rinj të këshillit të servisit publik dhe këshillit të rregullatorit të medias, duke demonstruar kështu mungesën e konsensusit politik për reformat në media. Gjuha e urrejtjes është e ndaluar si online ashtu edhe offline, por  njëjta vazhdon online.

Stabiliteti financiar dhe pavarësia e rregullatorit të medias duhet të konsolidohet pas harmonizimit të legjislacionit kombëtar me Direktivën e BE-së për Shërbimet Mediatike Audiovizive.

Transmetuesi i servisit publik

Reforma gjithëpërfshirëse e transmetuesit publik u vonua më tej. Pavarësisht kërkesave të Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audiovizive që specifikojnë sasinë e financimit publik për transmetuesin publik si përqindje e buxhetit të shtetit që të jetë 1% në vitin 2021, norma aktuale arriti vetëm në 0.59% në korrik 2022 për shkak të përdorimit të autoriteteve të kompetencave diskrecionale të dhëna me ligj. Kjo ishte e pamjaftueshme. Buxheti i përgjithshëm i Transmetuesit Publik në vitin 2021 ka qenë 13.4 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 është 15 milionë euro. Financimi i transmetuesit publik ka parë rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Rënia e vazhdueshme e financimit po pengon zbatimin e strategjisë së zhvillimit të transmetuesit publik, duke krijuar pasiguri në proceset e planifikimit dhe duke ndikuar në cilësinë e përgjithshme të performancës. Nuk u gjetën zgjidhje për borxhet e vjetra të transmetuesit publik ndaj institucioneve shtetërore, duke përfshirë zbatimin e vendimeve të favorshme gjyqësore për objektet e transmetuesit publik. Pavarësia dhe qëndrueshmëria e transmetuesit publik, si financiarisht ashtu edhe për sa i përket kuadrit ligjor, ende nuk është siguruar plotësisht.

Faktorët ekonomikë

Përhapja e COVID-19 përkeqësoi tendencën e vazhdueshme të të ardhurave më të ulëta për industrinë e medias, duke bërë që qeveria të miratojë masa për të ndihmuar industrinë. Nevojiten hapa shtesë për të mbështetur gazetarinë profesionale dhe investigative. Duhet të bëhen përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e medias nga ndërhyrja politike.

Interneti

Mediat online nuk drejtohen nga një ligj specifik dhe ka pikëpamje të ndryshme për nevojën për rregullim, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet në rritje nga dezinformimi. Mediat online dhe platformat e mediave sociale janë burimi kryesor i dezinformimit, keqinformimit, gjuhës së urrejtjes, shkeljes së standardeve profesionale dhe shkeljeve të të drejtave të pronësisë intelektuale. Nevojiten fushata për të rritur të kuptuarit e palëve të interesuara dhe publikun e gjerë dhe për të rritur qëndrueshmërinë e tyre përballë dezinformatave.

Dialogu i sindikatave me qeverinë duhet të përmirësohet, për të gjetur zgjidhje të pranueshme për sfidat e vazhdueshme, si numri i lartë i kontratave afatshkurtra ose me kohë të pjesshme pa sigurime shëndetësore dhe sociale. Të ardhurat e shumicës së punonjësve të medias janë më të ulëta se paga mesatare kombëtare. Të drejtat e punës, të tilla si e drejta për pushim vjetor, orët jashtë orarit të paguar dhe ndërrimet e paguara të natës, shpesh shpërfillen. Shumë mediave u mungon kodi i brendshëm i etikës, si dhe mundësitë profesionale dhe karriere për formim profesional. Shumë gazetarë kanë status kontraktual të cenueshëm dhe kushte të vështira socio-ekonomike, gjë që kontribuon në një kulturë të vetëcensurës dhe krijon mundësi për pronarët e mediave që të ndikojnë fuqishëm në politikën editoriale. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat, liritë dhe sigurinë profesionale dhe të punës së gazetarëve. Nevojiten masa shtesë për të promovuar barazinë gjinore në industrinë e medias.

Ndryshe, Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Burimi: portalb.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Regjim i veçantë i komunikacionit sot në Shkup

Story i radhës

​Ja arsyet pse Milani e do me çdo kusht Armando Brojën

Të fundit nga

ShkoLartë