RMV/ Nënat vetëushqyese: Asnjë ndihmë nga shteti

February 12, 2022
min lexim

Hatixhe Ismaili, nënë vetushqyese nga Maqedonia e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kategori e grave mbetet e padukshme për institucionet e shtetit, kur ato u drejtohen për çfarëdolloj ndihme.

Ajo tregon se e ka pasur shumë të vështirë marrjen e kredisë për banesën ku jeton me dy fëmijët e saj, për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme, si garanci për të mbuluar këstin e kredisë.

Ismaili thotë se është paradoksale që sa herë konkurron të shfrytëzojë çfarëdolloj ndihme për shkollimin e fëmijëve, në atë rast nuk evidentohet që një pjesë e madhe e pagës së saj shkon për pagesën e këstit të kredisë.

“Në Maqedoninë e Veriut, të jesh nënë vetushqyese vërtet është një sfidë shumë e madhe. Nuk arrin të marrësh asnjë ndihmë nga shteti nëse je e punësuar dhe ke pagë qoftë edhe një cent mbi pagën mesatare. Unë, para disa vitesh, jam interesuar të marr shtesat për fëmijë. Edhe pse kam dy fëmijë binjakë, brenda kësaj dekade nuk kam mundur asnjëherë të shfrytëzoj ndonjë ndihmë financiare, me arsyetimin se jam e punësuar dhe automatikisht jam refuzuar”, thotë Hatixhe Ismaili.

Madje, ajo thotë se statusi i saj si e punësuar, ia ka pamundësuar që të marrë edhe ndihmën financiare që Qeveria ndau për këtë kategori si pjesë e masave antikrizë në muajt e parë të pandemisë së koronavirusit, gati dy vjet më parë.

“Masat antikrizë prashihnin mjete edhe për nënat vetushqyese si ndihmë për t’u përballur me krizën e pandemisë, por edhe në këtë rast u refuzova”, tregon ajo.

Ndërkohë, Doroti Daçkova, e cila drejton organizatën joqeveritare të nënave vetushqyese “Edna Mozhe” (Njëra mundet), thotë se institucionet e shtetit, nënat vetushqyese nuk i njohin si kategori e veçantë, pasi për të shfrytëzuar çfarëdolloj ndihme financiare, këto gra nuk duhet të posedojnë asgjë në emrin e tyre.

Doroti thotë se edhe në rastet kur ndahen mjete për fëmijët e nënave vetushqyese, të cilat janë me pagë minimale ose pa punë, vlera e këtyre mjeteve është shumë e ulët, përkatësisht vetëm 1 mijë e 700 denarë, që është shumë më pak se pagesa e ushqimit për fëmijët në shkollë, që arrin nga 2 mijë e 500 deri në 2 mijë e 900 denarë.

“Mungesa e politikave adekuate pamundëson funksionimin e denjë të këtyre familjeve. Si kërkesë thelbësore e jona mbetet të na njihet statusi si nëna vetushqyese. Gjithashtu, pasi të definohet një regjistër me numrin e nënave vetushqyese, kërkojmë të përcaktohen benifitet që i takojnë kësaj kategorie, siç është sigurimi i banesave nga shteti, ose dhënia e kredisë pa kamatë, si dhe krijimi i mekanizmave për përfshirjen në punë të kësaj kategorie dhe sigurimi i shtesave për fëmijë, për të gjithë fëmijët, pavarësisht të ardhurave që ka nëna vetushqyese”, thotë Paçkovka për Radion Evropa e Lirë.

Nënat vetushqyese thonë se në mungesë të një regjistri me numrin e saktë të familjeve me një prind, është e pamundur të hartohen politika të shëndosha për realizimin e të drejtave të kësaj kategorie.

Paçkova thotë se organizata që drejton ajo, “Edna Mozhe” (Njëra mundet), numëron mbi 5 mijë anëtare dhe ky numër, shton ajo, flet për seriozitetin e çështjes që institucionet duhet t’i qasen.

Rreth kërkesave të nënave vetushqyese, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoninë e Veriut, por nga ky dikaster nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Të dielën, organizata joqeveritarë “Edna Mozhe” (Njëra Mundet) ka paralajmëruar se do të mbajë një marsh protestues për t’i bërë nënat vetushqyese, siç është shprehur, të dukshme për institucionet e shtetit.

Shkak i protestës, nga kjo organizatë thonë se është “marrja në mënyrë të padrejtë e kujdestarisë së fëmijëve të një anëtareje të kësaj organizate”.

Doroti Paçkova thotë se nënat vetushqyese krahas problemeve të shumta ekonomike, mbeten pre e gjykimeve të stërzgjatura të ndarjes së pronës mes bashkëshortëve të shkurorëzuar dhe marrjes së kujdestarisë së fëmijëve përmes korrupsionit. (REL)

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbi 1 miliard euro remitenca, por kritikohet orientimi në konsum

Story i radhës

Telefonata Biden-Putin, Robert Papa: Lufta është e pashmangshme, urdhri për pushtim është dhënë

Të fundit nga

Barcelona i jep ultimatum de Jong-ut

Zhgënjimi te Barcelona në lidhje me Frenkie de Jong është aktualisht mjaft i lartë. Kjo kryesisht për faktin se mesfushori në fakt shumë i talentuar nuk i arrin kufijtë e performancës, megjithëse
ShkoLartë