RMV, institucionet kursyen energji elektrike në shtator, por jo të gjitha shpenzuan 15 për qind më pak

min lexim

Institucionet shtetërore gjatë muajit shtator të këtij viti kanë kursyer gjithsej 20 për qind të energjisë elektrike në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë, jo të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe komunat e kuptojnë seriozisht nevojën e kursimit të energjisë elektrike dhe planin “Kursimi i energjisë elektrike për një dimër të sigurt”, për të cilin Qeveria premtoi që në gusht se do të ketë sanksione për organt që menaxhojnë institucionet, parashikuar me vendim të posaçëm të Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e publikuara dje nga ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kanë të bëjnë me konsumin e energjisë elektrike në shtator 2022 nga ministritë, me të gjitha njësitë rajonale, Qeverinë, gjykatat, Kuvendin, si dhe Kabinetin e Presidentit të Shtetit, duke përfshirë ELEM-in dhe MEPSO-n.

Burimi: Ministria e Ekonomisë
Burimi: Ministria e Ekonomisë

Më shumë energji elektrike është munduar të kursejnë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku konsumi i reduktuar i energjisë elektrike është rreth 75 për qind krahasuar me shtatorin 2021. Ndryshe nga kjo, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kishte faturë më të lartë për 79 për qind në shtator 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Detyrimin për të kursyer energji të paktën 15 për qind gjatë shtatorit 2022 nuk e ka përmbushur as Ministria e Mbrojtjes, e cila në shtator të këtij viti ka kursyer vetëm 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme ka kursyer vetëm 8 për qind, e Shëndetësisë 9 për qind, MEPSO dhe Ministria Punëve të Brendshme 10 për qind, Ministria e Arsimit dhe Shkencës 11 për qind, ndërsa kursimi në Ministrinë e Drejtësisë është 12 për qind.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithëve se situata në sektorin energjetik jo vetëm në Maqedoni, por edhe në mbarë Evropën nuk është shaka. Çdo shkallë më pak është kursim prej rreth 5 përqind të energjisë. Sezoni i ngrohjes ka nisur dhe të gjithë duhet të fokusohemi sadopak në periudhën e ardhshme dhe mënyrat për ta bërë këtë. Një ndryshim i vogël në zakonet e përditshme mund të bëjë një ndryshim të madh në menaxhimin e krizës energjetike”, tha ministri Bekteshi.

Megjithatë, në pyetjet e gazetarëve nëse dhe çfarë sanksionesh do të ketë për ato institucione që nuk e kanë përmbushur detyrimin për të kursyer energjinë me 15 për qind, ministri Bekteshi ka sqaruar se informacioni për kursimet është dorëzuar dje në Qeveri, ndërsa përshkak se kryeministri dhe ministri i financave nuk kanë qenë të pranishëm, nuk është diskutuar në fushën e përgjegjësisë.

Ministri Bekteshi tha se vetë Qeveria në shtator 2022 krahasuar me shtatorin 2021 ka kursyer 27 për qind në konsum. Kursime të mëdha të energjisë ka edhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve prej 43 për qind, si dhe ELEM prej 41 për qind. Kuvendi i RMV-së ka kursyer 29 për qind në shtator krahasuar me shtatorin 2021, ndërsa gjykatat kanë kursyer 35 për qind në shtator 2022 në krahasim me shtatorin 2022 dhe kabineti i kryetarit të RMV-së ka kursyer 17 për qind në krahasim me shtatorin 2021.

Nëse konsumi i energjisë analizohet vetëm në ndërtesat administrative të ministrive, presidentit të shtetit, Kuvendit të RMV-së, Qeverisë së RMV-së, EMV-së, MEPSO-së, kursimi i energjisë elektrike është 25 për qind. Por edhe për këto ndërtesa administrative, pragu i kursimit prej 15 për qind nuk u arrit në Ministrinë e Mjedisit (-13 për qind), në Ministrinë e Shëndetësisë (-2 për qind), në Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes ( -8 për qind), në Ministrinë e Drejtësisë (-12 për qind), dhe në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale fatura është rritur për 81 për qind.

Burimi: Ministria e Ekonomisë
Burimi: Ministria e Ekonomisë

Nga analiza e konsumit të energjisë elektrike për muajin shtator 2022 rezulton se kursimet në ndërmarrjet shtetërore janë 8 për qind dhe janë të mbuluara gjithsej 17 kompani shtetërore. Nga këto ndërmarrje, nëntë subjekte kanë realizuar kursime prej së paku 15 për qind në muajin shtator 2022, pesë subjekte kanë arritur kursime më pak se 15 për qind dhe dy subjekte kanë konsum më të madh të energjisë elektrike për 10, gjegjësisht mbi 144 për qind, edhe atë në Ndërmarrjen Publike e Ujësjellësi i Maqedonisë.

Burimi: Ministria e Ekonomisë
Burimi: Ministria e Ekonomisë

Bekteshi shtoi se analizat kanë treguar se komunat kanë reduktuar konsumin e energjisë elektrike me gjithsej 29 për qind në shtator 2022. Megjithatë, në shtator 2022, 25 komuna nuk kanë arritur kursime prej 15 për qind. Më së shumti devijojnë Komuna e Haraçinës, Komuna e Gostivarit dhe Komuna e Shën Nikollës, theksoi ministri Bekteshi.

“Këto të dhëna tregojnë se nëse të gjithë jemi racional dhe nuk e shpërdorojmë energjinë elektrike pa nevojë, mund të bëhen kursime të mëdha. Nëse të gjithë do të japim kontributin maksimal në uljen e konsumit të energjisë elektrike në vend, secili me kontributin e tij personal, mund të na ndihmojë ta përballojmë këtë krizë energjitike më lehtë dhe me pasoja sa më të vogla”, tha Bekteshi.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Burimi: portalb.mk

Story i mëparshëm

VMRO-DPMNE-ja kërkon dorëheqjen e Arsovskës, kjo është arsyeja

Story i radhës

Chelsea kërkon shërbimet e Victor Osimhen

Të fundit nga