Rizvanolli: Po punojmë që Trepça përsëri të kthehet në qendër të zhvillimit ekonomik të Mitrovicës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vlerëson se Republika e Kosovës sot gëzon lirinë e demokracinë sepse minatorët e Trepçës i mbrojtën ato 35 vjet më parë.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo shprehet se kur shënojmë Javën e Grevës së Minatorit, kujtojmë mundin e vendosmërinë e minatorëve të cilët e shndërruan Trepçën jo vetëm në një gjigant ekonomik, por edhe politik.

Sipas saj, me investime të reja e me menaxhment të ri po punojnë që minatorëve t’u përmirësojnë kushtet e punës dhe që kjo ndërmarrje të kthehet në qendër të zhvillimit ekonomik të Mitrovicës.

Tutje shprehet se me po të njëjtin mund e vendosmëri tash po punojnë për të zhvilluar ndërmarrjen e Trepçës e për të lehtësuar barrën e minatorit aq sa përmirësojnë performancën operative e financiare.

“Me investime të reja e me menaxhment të ri, po punojmë që minatorëve t’u përmirësojmë kushtet e punës e të shtojmë numrin e tyre. Kemi mbështetur “Trepçën” me mjete për investime kapitale dhe me kapital pune, me 25 milionë euro subvencione gjatë këtyre tri vjetëve të fundit. Trepçën po e përkrahim për të investuar në teknologjinë e re, që e rrit efiçiencën e prodhimit, e ngrit performancën operative e financiare, përmirëson kushtet e punës, por edhe hapë vende të reja të punës. Kështu po punojmë që Trepça përsëri do të kthehet në qendër të zhvillimit ekonomik të Mitrovicës”.

“Trepça është një nga 17 ndërmarrjet e Republikës së Kosovës e mbase më e përzemërta për atë që simbolizon. Qëndresa e sakrifica e minatorëve ndër dekada vazhdojnë të jenë burim i krenarisë së popullit tonë”, shkroi Rizvanolli.

35 vjet më parë, përmes grevës e cila zgjati tetë ditë, minatorët kërkuan të drejtat kushtetuese dhe protestuan kundër revokimit të autonomisë së Kosovës të garantuar sipas Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste.

Story i mëparshëm

Gjatë janarit 187 raste me Kovid, katër të vdekur

Story i radhës

KShZ-ja gati për realizimin zgjedhjeve të dyfishta

Të fundit nga