Në pesë ditë Rexhep Qosja ka lëshuar katër statuse dhe intervista në të cilat ai godet ashpër dhe me tone kritike kundërshtarët e tij e të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës. Këtë të fundit e lartëson si askush tjetër, edhe pse veprat e kryeministrit të Shqipërisë flasin të kundërtën.
Dje zoti Qosja hodhi në llogarinë e vet sociale një kritikë të ashpër për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në okelion “Një a dy atdhe i kanë shqiptarët”, Qosja shkruan: “Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht, etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po
Në fakt presidentja e Kosovës gjatë një vizite dhe fjalës së saj në parlamentin e Shqipërisë në dhjetor 2020 e shprehu qartë pozicionin e Kosovës ndaj Shqipërisë. Ajo tha asokohe se “Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë”! Ndërkaq Rexhep Qosja është zemëruar me presidenten e vendit pse ajo thotë se “Kosova është atdheu ynë”. Nuk dua të merrem me atë që një akademik i kaluar në kohë sulmon presidenten e vendit të vet. Por replika ime me Rexhep Qosjen qëndron në përmbajtjen e kritikës së tij.
Rexhep Qosja konsideron se atdheu i shqiptarëve është edhe Kosova, edhe Shqipëria. Populizëm i pastër! Askush nuk ka dy atdhe, përpos atyre që njërin prind e kanë nga një vend (shtet) dhe tjetrin nga një vend (shtet) tjetër. Ky është rregull i përgjithshëm i dy atdheve në të gjithë botën. Nga ana tjetër, ekspertiza dhe ekspertët e së drejtës ndërkombëtare para luftës në Kosovë thoshin se shqiptarët në Kosovë janë popull. Kam lexuar për këtë me dhjetëra e qindra. Po përmend George Brunner të Koelnit, Holm Sundhaussen të Universitetit të Lirë të Berlinit, Konrad Clewing të Institutit të Studimeve të Evropës Lindore e Juglindore në Gjermani, por mund të përmend pa fund emra të tjerë. Atëherë, sa kohë që Kosova nuk kishte shpallur pavarësinë, na pëlqente pikëpamja se shqiptarët në Kosovë janë popull, që do të thoshte e drejtë për shtetin e tyre. Me themelimin e shtetit, Kosova u bë komb. Komb pa shtet nuk ka dhe shtet pa komb gjithashtu nuk ka.
Nëse nisemi nga këto kritere shkencore të së drejtës ndërkombëtare, atëherë rezulton se Kosova është komb, pra është atdheu i të gjitha tyre që jetojnë në atë vend. Nëse e kontestojmë këtë fakt, atëherë rezulton se kontestuesit nuk e njohin pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe kur Rexhep Qosja nuk e njeh shtetin e Kosovës, atëherë nuk kemi pse drejtojmë gishtin nga Beogradi për ta fajësuar atë pse bën të njëjtën gjë! Rexhep Qosja kësisoj është populist. Manipulon me injorancën dhe është e ditur se injoranca është shumica. Akademikëve nuk iu lejohet jo kjo. Por edhe shtetarëve jo. Vjosa Osmani nuk mund e nuk duhet të bëjë populisten. Duhet të qëndrojë në binarët e së drejtës ndërkombëtare dhe të së vërtetës. E vërteta është se Kosova është shtet i pavarur, i shpallur sipas vullnetit të lirë të saj. Askush nuk ia ka imponuar asaj pavarësinë. Përkundrazi e ka kërkuar me ngulm e madje me presion ndaj faktorit ndërkombëtar!
Spekulimi i dytë i Rexhep Qosjes lidhet me historinë. Në këtë rast ai që e konsideron veten akademik përsëri në formë populizmi e deformon historinë dhe spekulon me të. Historia e shqiptarëve, deri në krijimin e kombeve, është histori e principatave, mbretërive dhe pushtimeve perandorake. Kombet i përkasin periudhës pas pavarësisë së SHBA-ve dhe revolucionit francez të fundit të shekullit XVIII. “Historiani” Rexhep Qosja spekullon me antikitetin, mesjetën e derisa u krijua shteti shqiptar në vitin 1912. Referimi më i saktë i atyre periudhave do të ishte se Kosova dhe disa pjesë tjera të Ilirsë, Arbërisë dhe Shqipërisë ishin principata të pavarura, ose vilajete më vete, pavarësisht gjuhës së përbashkët shqipe. Po sikur i gjithë Ballkani të fliste shqip dhe të kishim këto shtete siç i kemi sot, çfarë do të ishte vlerësimi për to?! A nuk ndodh kjo në gadishullin arabik e përtej tij? A nuk ndodh kjo me vendet anglisht-folëse?
Ndërsa historia e Kosovës e shekullit XX e deri më sot është histori e ndarë nga historia e Shqipërisë, edhe pse jo me vullnetin tonë të përbashkët. Por shprehja më e koncentruar e asaj që ka ndodhur është theksuar në fjalën e zonjës Osmani në parlamentin e Shqipërisë pak më shumë se dy vite më parë. Historia është një disiplinë e rreptë, gati njësoj si edhe shkencat ekzakte. Ajo që ka ndodhur dje është e mbetet histori, madje edhe ajo që ka ndodhur para një ore mbetet e tillë. Deri sot për Kosovën kanë ndodhur ngjarje që mbeten jo vetëm në memorien e shqiptarëve, por të të gjithë globit, të të gjithë njerëzimit. Dhe ato ngjarje identifikohen me Kosovën. Jo me Shqipërinë. Historia është ngjarje, fenomen, luftë, vullnet, përpjekje, sakrificë. Të gjitha këto patën një përfundim me vullnetin e lirë të shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë: Pavarësinë!
Nga Luftrat Ballkanike e deri më sot vetëm Perandoria Austro-Hungareze (1916-1918) dhe pushtuesit fashistë italianë e ata nazistë gjermanë (1939-1944) e patën bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën në një të vetme. Por Qosja i urren jo vetëm italianët, i urren edhe gjermanët, edhe pse këtë ëndërrën e sotme të tij e bënë ata realitet. Gjithë periudha tjetër e historisë mbi njëshekullore e Kosovës është histori e përpjekjeve për liri e për shtetësi. Disa sekuenca të përpjekjeve për bashkimin me Shqipërinë morën fund në vitin 1924 me revolucionin e qershorit, kur Noli e përzu Bajram Begun në shpellat e malësisë. Qosja i di këto fakte, por nuk i pëlqejnë. E di se si çeshtjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e sabotoi idhulli i tij, Enver Hoxha, pas Luftës së Dytë Botërore. E di se si nën mbrojtjen e ushtrisë dhe sigurimit të Enver Hoxhës serbët masakruan 1200 shqiptarë të Kosovës gjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër dhe 3000 të tjerë në Tivar! I di të gjitha, se bën historianin. Por i pëlqen të bëjë populistin.
Historia e Kosovës në 50 vitet e fundit është histori e luftës për “të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Jugosllavisë” dhe histori e luftës për pavarësi, për shtet sovran e demokratik! Pra që vetë Rexhep Qosja, familja e tij, të afërmit njerëzit e tij, të gjithë shqiptarët dhe pakicat në Kosovë të kenë një atdhe – Kosovën! E ku qëndron devijimi i Vjosa Osmanit në këtë pikë?! Çfarë të keqe ka kur ajo u thotë ndërkombëtarëve se “Ne kemi atdhe Kosovën”?! A nuk është kjo formula për t’i bindur ata se Kosova e ka vendin në NATO e BE?! Çfarë do të ndodhte sikur presidentja, kryeministri dhe të tjerët t’u thonin ndërkombëtarëve se “Ne kemi një atdhe, Shqipërinë”?!
Por për Qosjen ka një problem në këtë deklaratë të presidentes së Republikës. Ndërsa Rexhep Qosja ishte i pari akademik dhe zë i Kosovës që kërkoi shkëmbimin e territoreve, Vjosa Osmani është një personalitet i fuqishëm që ka reaguar me forcë kundër këtij projekti serb. Ndërsa Rexhep Qosja ia injektoi Edi Ramës idenë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, Vjosa Osmani luftoi me shpirt për ta mbrojtur Kosovën nga Qosja, Thaçi dhe Rama! Ndërsa Rexhep Qosja e bekon çdo qasje të lidhjeve miqësore me Serbinë në dëm të Kosovës nga ana e Edi Ramës, Vjosa Osmani është kundër kësaj politike të çmendur që vendos interesat e Serbisë mbi interesat e Kosovës! Jo rastësisht akademiku pro-serb, Rexhep Qosja, i kundërvihej Ibrahim Rugovës dhe i kundërvihet të gjithë atyre që ruajnë vlerat rugoviane!
Thashë se historia fillon e lexohet mprapshtë nga ky moment që unë po shkruaj këtë replikë, jo vetëm nga momenti që Rexhep Qosja hodhi në rrjetin e tij social kritikën për Vjosa Osmanin. Dhe nëse i përmbahemi kësaj aksiome të pandryshueshme, atëherë duhet thënë se historia ka shënuar edhe dështimet e vetë Rexhep Qosjes. Cilat për shembull:
– Se ai ka pohuar që demonstratat e vitit 1981 janë reaksionare. Se mund të ishin të tilla, Qosja duhej të sillte fakte e prova, gjë që ai nuk e ka bërë!
– Edhe dekorata “7 Korriku” e Serbisë për Rexhep Qosjen është gjithashtu histori.
– Hezitimi për të marrë përsipër drejtimin e Lidhjes Demokratike, pa pasur ndonjë opsion tjetër më të mirë nga ana e akademikut me famë, është po ashtu histori.
– Përpjekja e akademikut Qosja për ta shpëtuar Ramiz Alinë nga përgjegjësitë e krimeve të diktaturës dhe elozhet e tij për ish udhëheqësin e fundit komunist në Shqipëri janë një histori tjetër.
– Nderimi që ai i bëri në momentet më kritike (1991) diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që Ibrahim Rugova nuk e pranoi këtë sfidë, është po ashtu një histori më vete.
– Deklaratat pozitive për regjimin mizor e diktatorial të Enver Hoxhës, ashtu si ato për diktatorin tjetër, Titon, më parë, janë shënuar në librin e historisë.
– Përçarja e faktorit politik në Kosovë në periudhën e luftës nga ana e Rexhep Qosjes është një dëshmi historike e pakundërshtueshme. Po ashtu dështimi elektoral i tij në vitin 2000 e kështu me radhë.
– Komplotet anti-Rugovë nga vila 31 e ish-diktatorit Hoxha në Tiranë janë dëshmi historike.
– Dhe dështimi i fundit historik i Rexhep Qosjes është produkti i mendjes së tij të çmendur me emrin Edi Rama!
Të gjitha këto janë njëkohësisht histori. Por mbi gjithçka do të mbetet në histori çmenduria e Rexhep Qosjes për shkëmbime territoresh, ndryshim kufijsh dhe ndarje të territorit të Kosovës. Ndërkaq deklarata e tij për “ekzistencën e dy atdhe-ve” për shqiptarët është në funksion të idesë së ndarjes së Kosovës. Sepse të përpiqesh që në emër të bashkimit me Shqipërinë të shkatërrosh shtetin e Kosovës, do të thotë që ai i është bashkëngjitur projektit të Serbisë për këtë qëllim. Edhe replika me Vjosa Osmanin shkon në këtë drejtim!
Thoshin “plakut mos ia dëgjo pordhët, por dëgjoja fjalët”! Këtij plakut Qosja mos ia dëgjoni as fjalët, se i ka helm, jo kundër autoriteteve që ai nuk i pëlqen, por kundër Kosovës dhe atdheut të shqiptarëve në Kosovë. Dhe mos u ndalni në përpjekjet për ta forcuar shtetin e Kosovës. Me Shqipërinë duhet të bashkohemi gjithnjë e më shumë shpirtërisht, ekonomikisht, nga pikëpamja sociale, arsimore e në çdo fushë. Por shtetet duhet të mbeten të paprekura! Kjo e garanton perspektivën e shqiptarëve në Ballkan. Nuk e garantojnë spekulimet me histori heronjsh dhe nacionalizmash që dëmtojnë interesat tona. Nëse Rexhep Qosja dëshiron bashkimin ta qortojë Edi Ramën pse vendosi trarin dhe pse forcon kontrollin e kufijve me Kosovën, ndërkohë që liberalizon çdo gjë me Serbinë.