Poeti ynë, Mitrush Kuteli, para disa dekadave kishte thënë; “Atdhe, të dua edhe kur ti më vret..”, sepse në ty u linda, u rrita, u bëra burrë, por edhe bëra emër kur nuk më njihte askush. Madje, dikur në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, kur nëna ime mua me dy motrat dhe vëllain e dytë, në sofër gati për çdo ditë na binte bukë misri hibrid farëkuq, pak djathë dhe një sahan të ngjyem kos dhe kripë të holluar…!?
Kështu, iknin vitet e ne rriteshim duke i ruajtur bagëtinë, duke punuar arat, duke shkuar në shkollë me opingë llastiku të zeza, me pantolla zhguni dhe xhemper prej leshi të bardhë, pa e ndjerë kurrë varfërinë, ani se shpeshherë si nxënës që ktheheshim nga shkolla, hynim dhe vidhnim lakra në arat e Ruhotit, pronë e berishëve dhe gashjanëve, të cilat i hanim si “gjaja” me dy-tri kafshatë, duke e zvogëluar sado pak urinë derisa të arrinim në shtëpi, kur na priste e njëjta sofër me të njëjtit artikuj ushqimorë, shto kësaj ndonjë patate të zier në kusi nga nëna jonë, e cila tërë ditën do kishte menduar se çka do t’iu bëjë sonte për darkë fëmijëve të saj, sepse na mungonte çdo gjë në vatër, meqë asokohe Kosova dhe ne shqiptarët rropateshim me një robëri tepër të egër serbo-sllavo-komuniste..!?
Mjerisht, gjendja e sotme e rënd sociale dhe ekonomike në Kosovë për shumë nëna shqiptare, pothuajse nuk ka ndryshuar shumë pas gati 62 viteve, të cilat sot fëmijëve të tyre në vend të koreve të forta të bukës së misrit hibrid, lëngut dhe djathit, iu ofrojnë pak bukë furre bajatë, pak çokollatë Nutella, ndonjë pashtetë, nga një copë butër dhe nga një gotë me kos të holluar me ujë, sepse nuk kanë me çka t’iu blejnë mish pule, viçi ose mish peshku, kur të ardhurat mujore nuk ua kalojnë 250-300 euro, të cilat nuk u mjaftojnë fare që ta lidhin muajin me muaj, për së paku 4-5 anëtarë të familjes.
Ndërsa, në shumë mjedise tjera në Kosovë, oligarkët dhe hajnat e shtetit si dhe profiterët e luftës dhe lirisë, çdo ditë dhe natë hanë dreka dhe darka nëpër hotelet më të shtrenjta të Kosovës dhe në botën e jashtme, vozisin makina luksoze dhe xhipa në vlera marramendëse, deri në 200 mijë euro, duke mos e çarë fare mendjen prej tajkunëve debilë për shtresën e varfër në Kosovë, se a kanë çfarë t’iu qesin në sofër fëmijëve të tyre të uritur në një shoqërie e cila 22 vite pas luftës vazhdon të bëjë luftë me varfërinë, urinë, sëmundjet, papunësinë, me rroga minimale prej 250 eurove në muaj, etj. Pra, duke mos gjetur zgjidhje tjetër për t’i mbajtur familjet, detyrohen, sidomos të rinjtë tanë, t’ia mësyjnë rrugëve të ikjes nga atdheu në kërkim të një kafshatë bukë më të sigurt, diku në vendet e zhvilluara perëndimore, asht siç e kanë gjetur shpëtimin para 22 viteve mbi një milion e gjysmë shqiptarë në shtetet e Perëndimit, duke e shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga varfëria, skllavëria dhe vrasja e dinjitetit të tyre njerëzor dhe kombëtar..!?
Përveç sezonit veror si dhe gjatë festave të vitit të ri, kur atë e vërshojnë mijëra mërgimtarë, gjatë muajve tjerë Kosova pothuajse është gjysmë e zbrazur, dyqanet janë të zbrazëta pa asnjë blerës, madje nuk arrijnë ta shesin as një artikull të vetëm, fjala është për dyqane rrobash, mjete elektrike, barnatoret bujqësore, por edhe atë të ilaçeve, meqë konkurrenca në fushën e farmaceutikës është shumë e madhe (në Pejë p.sh. ka mbi 120 sosh), pastaj rrugët janë të mbushura plotë me këpucë, rroba të paluara njëra mbi tjetrën, tavolinat me plotë gjësende dhe artikuj të importuar nga jashtë nga një (1) e deri në 10 euro, por të cilat rralë ua blenë ndokush, ndërsa kur ecën pranë rrugëve kryesore nëpër qytete, aty sheh se si kalojnë me mijëra makina kapur njëra pas tjetrës, secila më e shtrenjtë se tjetra, ku gati të gjitha janë me regjistrime vendore, thua se po bëjnë garë se kush e ka makinën më të shtrenjtë dhe më të bukur. Po ashtu, kur njeriu ecën rrugëve tjera të qytetit vetëm gjatë një kilometri të kërkojnë lëmosh me dhjetëra lypsarë, njëjtë ndodhë edhe nëpër lokale-kafene, ku dhjetëra lypsarët fëmijë, gra dhe burra (të aftë për punë) nuk të lënë të qetë ta pijesh një kafe ose çajë, duke bërtitur, “Zoti të ruajt, falma një euro”, ku përpos se ndjehesh keq për gjendjen e tyre, në fakt ata i japin qytetit dhe krejt Kosovës një pamje të shëmtuar, meqë pushteti qendror dhe ai lokal nuk kujdeset fare për gjendjen e tyre të mjerueshme, për t’iu siguruar ndihma sociale dhe strehim elementar të pastrehëve, dhe kështu me radhë, kur para syve të botës ndodhin drama të tmerrshme varfërie, duke dërguar imazh tepër të keq në botë për vendin tonë, të cilin e duam edhe kur na lenë pa bukë dhe ujë, kur një pjesë të banorëve e ka lënë nën mëshirën e atyre, të cilët as për vete dhe familjet e tyre nuk gjejnë dot hall se si ta mbijetojnë varfërinë e pafund..!?
Pamje të njëjta të shëmtuara i japin Kosovës edhe qindra e mijëra qen endacak nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona, ku grupe-grupe bredhin si llava fushave dhe lagjeve të qyteteve në kërkim të ushqimit, kudo që gjejnë stogje dhe kontejnerë bërllogjesh për ta shpëtuar jetën, sepse askush nuk kujdeset për ta, madje shpeshherë duke i kafshuar fëmijët, gratë dhe njerëzit e moshuar, madje ka pasur raste kur nga kafshimet e qenve kanë vdekur disa fëmijë dhe vjaza të reja..!?
Ja, këto janë vetëm disa fakte të cilat e përbëjnë jetën dhe vuajtjet reale të një pjese të madhe të popullit tonë në Kosovë, gjersa në anën tjetër qeveria dhe organet kompetente në dy nivelet, atë qendror dhe komunal, vazhdojnë të merren me politika të “larta” shtetërore në nivel ndërkombëtar, mbase duke i vu “sanksione” ekonomike Rusisë cariste një shtet që nuk është as sa një lagje e Moskës, për gjoja shkakun se po na u rrezikuaka siguria e Kosovës dhe e Ballkanit, vetëm se Rusia hegjemoniste e ka sulmuar Ukrainën, një vend me mijëra kilometra larg Kosovës, si dhe broçkulla të ngjashme që nuk i gëlltisin as adoleshentët..!?