Reja: Me 2-3 për qind më shumë bëhemi konkurrentë

Trajneri i përfaqësues shqiptare, Edi Reja, e ka pranuar se Shqipëria është favorite ndaj Islandës. Por në konferencën e sotme për shtyp, ai theksoi se kuqezinjtë duhej të ishin të vëmendshëm pasi çdo skuadër do të kërkonte maksimumin në këtë grup pas përjashtimit të Rusisë.

“Nga Islanda më kujtohet që kishim vështirësi në fillim, nga atëherë jemi rritur shumë dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira. Fituam grupin në Ligën e Kombeve, bëmë ndeshje të mira dhe skuadra është rritur shumë.

Tani pres përmirësime të tjera, se kur e nis nga poshtë, nga përqindja e rendimentit është e vështirë të arrish optimalen. Por unë pres në këtë kualifikuese paraqitje të nivelit të lartë, se kemi mbërritur në 90% dhe na mungon 2-3 përqind që të jemi konkurrentë me skuadrat e rëndësishme.

Nuk është e lehtë të fitosh me Islandën, duhet të bësh ndeshje me vëmendje, se janë të fortë. Ata dhe Izraeli e dinë që mund të luajnë për vendin e parë duke mos qenë favoritja, Rusia. Ndaj të gjithë do luajnë shanset, ne në veçanti se jemi favoritë, por duhet treguar në fushë se jemi të tillë dhe unë pres një paraqitje të madhe.

Ata lojtarë që janë këtu, janë gati. Kur kanë munduar lojtarë, kemi bërë paraqitje të mira edhe me të tjerë. Stimuli duhet të jetë edhe për ata që kanë luajtur më pak, nëse e nisin nga fillimi është e qartë që duhet të japin një paraqitje të mirë. Jam i bindur, se kemi punuar mirë, djemtë e kanë mendjen në vendin e duhur se e dinë rëndësinë e kësaj ndeshje. Por duhet bërë një paraqitje e bukur. Mendërisht skuadra është në rregull, këtë e kemi parë gjatë përgatitjeve. Pres nesër që djemtë të na e tregojnë se është një ndeshje e vështirë ndaj një ekipi që është rinovuar në krahasim me tre vite më parë, janë të rinj me entuziazëm. Nuk mendoj se është ndeshje e lehtë, duhet ndeshje e nivelit të lartë për një rezultat pozitiv.

Ne do të gabonim shumë nëse do ta interpretonim këtë ndeshje me një paraqitje të mjaftueshme, rreziku është prezent. Nuk ka skuadra të dobëta, aq më pak kjo se e pamë në Izrael, mund të vendosë në vështirësi se kanë zgjidhje në lojën ajrore, e kanë si filozofi formimin fizik. Ndaj favoritë nuk ka, ata i shohim në fund të ndeshjes. Sipas meje është një ndeshje e vështirë, duhet përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Barazimi i Islandës me Izraelin na përshtatet por duhet fituar se nëse nuk fitojmë mund të jemi në një plan të gjithë. Favoritë nuk ka, ne kemi luajtur me skuadra që mendohej se fitonim dhe kemi pasur eksperienca me Andorrën e vështirësi me San Marinon. Janë ekipe inferiore ndaj nesh por nëse nuk bën ndeshjen e duhur e nuk konkretizon, bëhet e vështirë. Ndaj djemtë duhet të bëjnë një ndeshje me shumë vëmendje, që të shfrytëzojmë mundësitë që kemi, duke qenë të kthjellët në fazën ofensive. Për të fituar duhet konkretizuar. Kjo skuadër islandeze është ndryshe nga ajo para saj, është një skuadër që nuk e hedh topin para, propozon lojën, nuk e hedh topin se kishte lojtarë që luanin në ajër. Ky është ekip që mban topin në tokë dhe të vë në rrezik dhe nëse nuk jemi të vëmendshëm, mund të kemi surpriza. Uroj që jo. Por ne synojmë që të bëjmë një paraqitje si duhet.

Kam krijuar një grup me 24-25 lojtarë që janë pak a shumë të gjithë në të njëjtin plan. Nga kjo pikëpamje duhet marrë në konsideratë kur ke një grup të një niveli, jemi qartësisht në kushte të mira nga pikëpamja cilësore. Se mungon Bare apo Laçi, lojtarë me karakteristika të veçanta, por ata që janë kanë të tilla se është kthyer Abrashi, Bajrami është një tjetër i ri që mund të futet, e tani kemi edhe Asllanin, një lojtar i ri që ka treguar personalitet. Në këtë zonë kemi para edhe Uzunin që mungon, por janë katër lojtarë të rëndësishëm, katër sulmues të fortë në dispozicion, ndaj ekipi mendoj se është konkurrues. Ndaj mendoj se skuadra nuk do të ndjejë mungesën”, tha ndër të tjera Reja.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rrëfimi i veçantë i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti

Story i radhës

Vritet gjenerali rus në Ukrainë

Të fundit nga