Sipas disa raportimeve të mediave të ndryshme, mbi 100 ushtarë të Gardës Kombëtare të Rusisë janë liruar nga detyra për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave për të luftuar në Ukrainë.
Të gjithë 115 gardistët kombëtarë ishin pjesë e njësisë Rosgvardia, njësi kjo e veçantë nga ushtria, grup të cilin Kremlini zyrtar zakonisht e përdor si një forcë të brendshme sigurie për luftën ndaj terrorizmit dhe shtypjen e disidentëve politikë, raporton The Guardian.
Lirimi nga detyra i 115 gardistëve u bë publik me datën 25 maj, pasi që një gjykatë ushtarake ruse refuzoi padinë e tyre, me të cilën ata e kundërshtonin vendimin për lirimin e tyre. Në një vendim i cili u publikua online gjatë javës së kaluar, u shkrua se ushtarët me të drejtë u liruan nga detyra.
Sipas The Guardian, në vendimin e gjykatës shkruhej se ushtarët “refuzuan që të kryejnë detyrën zyrtare” dhe u kthyen në bazën ku ata po shërbenin më herët, në vend se ti zbatojnë urdhrat për të marrë pjesë në luftën e Ukrainës.
Kjo seancë dëgjimore u mbajt pas dyerve të mbyllura në mënyrë që mos të bëhen publike “sekretet ushtarake ruse”, raporton media e pavarur lokale The Moscow Times.
Ushtarët ngritën padi të përbashkët për të kundërshtuar vendimin për lirimin nga detyra, por që padia u refuzua nga gjykata, ndërsa avokati i tyre tha se komandantët e gardistëve u kishin dhënë atyre mundësinë e mospjesëmarrjes në luftë.