Qendra e regjistrimit të refugjatëve ukrainas në Bruksel pret çdo ditë rreth 200 të ardhur të rinj, shumica gra dhe fëmijë që i largohen luftës në Ukrainë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Valentina Vasileva njofton se megjithë ndihmën që marrin, refugjatët i pret një realitet i vështirë ndërsa përpiqen të rindërtojnë jetët e tyre.
Mijëra persona mblidhen jashtë qendrës së regjistrimit për refugjatët ukrainas në Bruksel.
Refugjatë si Anna Pilyavskaya përballen me sfidën e tyre më të fundit – regjistrimin në një vend të ri, gjetjen e një pune dhe të një shtëpie.
“Nuk doja të lija prindërit, bashkëshortin, prandaj po prisnim. Por çdo ditë bëhej edhe më keq… Pastaj më tha burri ‘duhet të shpëtojmë vajzën, duhet të largoheni me makinë’”, tregon Anna Pilayvskaya, refugjate nga Kievi.
Iu deshën tre ditë të mbërrinin në kufirin me Hungarinë.
“Plani ishte që të gjenim një shteg të sigurtë, të qëndronim larg përplasjeve ushtarake, ku mund të plagoseshim apo të bombardoheshim. Kështu që morën rrugët më të vogla, qëndruam me njerëz të njohur gjatë natës dhe pastaj vazhdonim rrugëtimin. Një ditë arritëm të përshkojmë vetëm 150 kilometra”, thotë ajo.
Së bashku me të bijën, zonja Pilyavskaya po qëndron në Bruksel me partnerin e biznesit të bashkëshortit. Ai i drejtoi për tek qendra e regjistrimit, por ajo rezultoi se mbyllej shumë më herët nga ç’prisnin.
“Më kishin thënë që rrinte hapur deri në 5 pasdite, por tashmë është e mbyllur. Me sa duket duhet të kthehemi në shtëpi dhe të vijmë prapë nesër”, thotë ai.
Qendra mund të regjistrojë 2 mijë refugjatë ukrainas në ditë dhe ajo e arrin maksimumin e kapacitetit të saj që në mesditë, thotë autoritetet belge. Shumë e kalojnë natën përjashta në tenda për të pritur radhën. E megjithatë refugjatët thonë se janë mirënjohës për mbështetjen.
“Njerëzit këtu na mbështesin shumë. Bashkëshorti im shkruajti në internet duke kërkuar ndihmë për familjet ukrainase, dhe menjëherë një familje belge ofroi katin e dytë të shtëpisë së tyre. Kryqi i Kuq, dhe kishat vendase ofruan ushqime dhe furnizimet e tjera”, thotë Karina, refugjate nga Kievi.
Natalia Yliyanova u largua nga Ukraina Perëndimore më 9 mars dhe udhëtoi për në Bruksel për të jetuar me djalin e saj. Ndërsa udhëtonte nëpër rajonin Lviv, ajo thotë se sirenat e sulmit ajror binin çdo ditë, dhe ajo vraponte për t’u mbrojtur.
“Nuk fshihesha në një strehim, por në një bodrum të ndërtesës sonë. E di që ishte e rrezikshme, por nuk kisha zgjidhje. Strehimi ishte larg, dhe unë kam probleme me shpinën dhe nuk mund të eci për një kohë të gjatë”, thotë ajo.
Pasi të regjistrohet në qendër, zonja Yliyanova thotë se djali i saj do ta ndihmojë të përshtatet me vendin e ri. Por për shumë ukrainas të tjerë, këtu nuk kanë njeri t’i ndihmojë. Pavarësisht Udhëzimit të ri të BE-së për Mbrojtjen e Përkohshme që u dha refugjatëve ukrainas një leje qëndrimi të përkohshme dhe të drejtën për të punuar, gjetja e një pune është një sfidë.
“Problemi kryesor është gjuha. Unë jam mësuese dhe e vetmja gjë që mund të bëj tani është të bëhem pastruese ose dado. Aftësitë e mia profesionale dhe arsimi nuk kanë rëndësi”, thotë ajo.
Situata e Anës nuk është unike – ka mijëra të tjerë si ajo këtu në Belgjikë, dhe tashmë miliona të tjerë në vende të tjera evropiane./VOA