“Reforma në drejtësi në fazë kritike”, Yuri Kim në GJKKO: Mos u ndikoni nga kërcënimet që…

min lexim

Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën, veçanërisht në situatën kur Gjykata nuk është plotësuar ende me 16 gjyqtarët e nevojshëm dhe ka një numër gjithnjë e më në rritje të çështjeve, ndërsa theksoi se është kohë kritike për reformën në drejtësi.

Diplomatja u shpreh se kriminelët po e ndjejnë presionin, ndërsa ata duhet të rezistojnë pavarësisht situatave.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha ambasadorja gjyqtarëve.

Pak orë pas takimit, Ambasada ka përditësuar statusin në rrjetet sociale, duke e vënë theksin te Refoma në Drejtësi, për të cilën shkruan se është në fazë kritike. Ambasadorja u ka bërë thirrje gjyqtarëve që të mos ndikohen në punën e tyre, pavarësisht  nga ‘kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm’.  Kim ka theksuar se kërcënimet janë të paligjshme dhe duhet të hetohet pasi ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, pavarësisht sfidave. Duke nënvizuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, ajo u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm. Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht sundimin e ligjit dhe, më gjerë, reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë si një aleate demokratike, e begatë e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Europian”- thuhet në postimin e përditësuar të Ambasadës.

Takimi vjen vetëm pak ditë pasi ambasadorja amerikane shkroi në Twitter se ka përpjekje në vend për të joshur e frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë.

E dërguara e Washtingtonit në Tiranë i dërgoi një mesazh politikës shqiptare për të qëndruar larg punëve të drejtësisë, e të heqin dorë nga shantazhi prokurorëve që kanë nën hetim subjekte që vijnë nga politika.

Ajo paralajmëroi se veprimet e atyre që tentojnë të minojnë punën e reformës në drejtësi, nuk mbeten pa u mbajtur shënim.

Në kushtet kur herë pas here anatemohet reforma në drejtësi, ambasadorja Kim thotë se “gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integrite”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjukanoviq: Jam gati të pensionohem nga politika

Story i radhës

Përgjigja e Netflix ndaj shkëmbimit të llogarive vjen në 2023

Të fundit nga