refleksionet e historianit me 1 tetor 1943 enver hoxha i dergoi leter qarkore liri geges ku urdheronte nisjen e luftes 68be6c00b527c

Refleksionet e historianit: Më 1 tetor 1943, Enver Hoxha i dërgoi letër-qarkore Liri Gegës, ku urdhëronte nisjen e luftës…

September 8, 2025
min lexim

Për të përcaktuar qëllimet, shkaqet dhe karakterin e luftës civile, duhet saktësuar së pari, kujt i interesonte, kush e përgatiti dhe kush e nisi atë. Nga parashtrimi i mësipërm dhe argumentet e mëposhtme të dokumentuara, rezulton se atë e përgatiti dhe e filloi Partia Komuniste Shqiptare me formacionet e saj ushtarake. Data 1 tetor 1943,  mund të konsiderohet si fillimi zyrtar i luftës civile, meqenëse në këtë datë urdhërohet nisja e saj. Në letrën dërguar më 1 tetor, Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste të Gjirokastrës, Enver Hoxha urdhëronte: “Bashkimi me ‘Ballin Kombëtar’ tani është një punë e vdekur dhe s‘bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij.”

Po më 1 tetor 1943, Enver Hoxha i dërgonte një letër-qarkore Liri Gegës (“Muzhikut”) dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të PKSH-së, në të cilën urdhëron nisjen e luftës, pa marrë parasysh asnjë rrethanë e pasojë kundër ‘Ballit Kombëtar’, si armik kryesor.

“Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë deçizive, nuk mjaftojnë mitingje e konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti”, – kërkonte me këmbëngulje Enver Hoxha.

Në këtë qarkore shpallet hapur synimi, mënyra dhe vendosmëria e patundur për të marrë pushtetin nëpërmjet luftës së armatosur dhe asgjësimit politik e fizik të ‘Ballit Kombëtar’ dhe të çdo partie tjetër.

Ky ishte fillimi i luftës për marrjen e pushtetit me mjete dhune dhe vendosjen e sistemit totalitar, kamufluar me luftën kundër pushtuesit. “Neve jemi drejt likuidimit të Ballit, dhe jo bashkimit me të”, – udhëzonte Enver Hoxha

Qëllimet, programet, forcat njerëzore pjesëmarrëse, metodat dhe mjetet e përdorura përcaktonin karakterin e përmasat e kësaj lufte. Të gjitha urdhëresat e Hoxhës drejtuar komiteteve qarkore të partisë, apo drejtuesve të lartë Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe që mbajnë datën 1 tetor, e kanë të shprehur qartë dhe prerë arsyen madhore të shpalljes së kësaj lufte civile: marrjen e pushtetit.

“Në radhë të parë na paraqitet çështja e pushtetit, dua të them vendosja kudo e këshillave nacionalçlirimtare, forcimi i tyre dhe mbrojtja nga çdo tentativë e ‘Ballit’ ose e ndonjë partie tjetër që do të paraqitet të sabotojë ta luftojë haptas.

Për këtë punë nuk duhet të ketë dy kuptime: vetëm pushteti i këshillave duhet të ekzistojë dhe asnjë pushtet tjetër, nuk ka kompromis dhe dualitet në këtë gjë”, – urdhëronte Enver Hoxha.

Ai dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar i konsideronin Këshillat Nacionalçlirimtare, jo vetëm si organe të pushtetit, por më së shumti si organe të luftës.

Madje, këtë militarizim të pushtetit qeverisës vendor, ata e deklaronin publikisht: “Gjithë bota sot, jashtë dhe brenda Shqipërisë, e kanë kuptuar se vetëm këshillat nacionalçlirimtare janë organe lufte, janë i vetmi pushtet që përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar.

Çdo pushtet tjetër jashtë këshillave, nuk mund të jetë veçse organ kompromisi e bashkëpunimi me armikun, organ tradhtie.”- sanksiononte kryesia Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Ky qëndrim i PKSH-së dhe i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, është shprehje e një totalitarizmi ekstrem: jo vetëm që nuk do të njihej dhe nuk do të ekzistonte asnjë qeverisje tjetër veç asaj që do të buronte nga gryka e pushkës, por quhej armik e tradhtar çdo përfaqësim tjetër.

Rruga që zgjodhi PKSH-ja për të marrë pushtetin, ishte ajo e luftës me armë kundër kundërshtarëve politikë. Në emër të Partisë Komuniste, Enver Hoxha lëshon thirrjen: “Me forcë dhe me armë të marrim pushtetin në duar”. Tashmë te Partia Komuniste zotëron tërësisht fryma, idetë e praktikat e revolucionit bolshevik dhe ushtria nacionalçlirimtare u kthye në një instrument të këtij revolucioni.

Vetë Lufta Nacionalçlirimtare e humbi karakterin fillestar, sepse komisarët me në krye Enver Hoxhën e braktisën çështjen nacionale, ndërsa luftën çlirimtare e tjetërsuan në luftë civile, luftën e partizanëve, idealin dhe gjakun e dëshmorëve i shfrytëzuan për interesat e tyre pushtetore e ideologjike.

Enver Hoxha, i dominuar përherë e më shumë nga ambicia për pushtet, vihet në krye të kryqëzatës për të prerë kokat e kundërshtarëve politikë, edhe nëse këto, sipas shembullit të Leninit, do të bëheshin kodra, por edhe për të prerë kokat e shokëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë, me gjakftohtësinë kriminale të mësuesit të tij gjallë, Stalinit.

Lufta e armatosur kundër organizatave, formacioneve ushtarake dhe individëve të cilësuar “armiq e tradhtarë”, u bë fillimisht kundër çetave vullnetare të ‘Ballit Kombëtar’, më pas të Legalitetit dhe të krerëve të Veriut. Lufta civile në Shqipëri nuk ishte as e rastit, as aksidentale.

Ishte e provokuar nga PKSH-ja dhe e nxitur nga emisarët e Partisë Komuniste Jugosllavë dhe drejtohej realisht kundër të djathtës shqiptare. Por në propagandën e majtë, u paraqit e kamufluar si “një luftë kundër okupatorëve dhe tradhtarëve të vendit”, ashtu siç ishte paravendosur.

Nëse ‘Balli Kombëtar’ ishte bashkëpunëtor më fashizmin, atëherë si u bë me një organizatë të tillë kolaboracioniste marrëveshja Mukjes? Apo, menjëherë pas prishjes së marrëveshjes, të djathtët u kthyen brenda ditës në bashkëpunëtorë të fashizmit?

Si ideologji e si praktika totalitare dhe antinjerëzore, fashizmi dhe komunizmi përkojnë me njëri-tjetrin dhe aspak e djathta liberale e demokratike me to. Qysh në atë kohë, liderët e djathtë atdhetarë e demokratë, e bënë diferencën midis filozofisë së tyre dhe fashizmit e komunizmit, dy ekstremeve që rivalizonin e luftonin për sundim në Shqipëri.

“Komunizmi i sotshëm dhe klika dushano-miladiniste, s‘ka asnjë ndryshim nga fashizmi i djeshëm i Musolinit dhe i Jakomonit, – shkruhet në një trakt të ‘Ballit Kombëtar’. Fashistat njollosën flamurin tonë, tue i vue shpatat e Liktorit, komunistët njollosën flamurin tonë tue i vue yllin e kuq sovjetik…”!

“Fashistët terrorizuan shqiptarët me anën e sekretarëve politikë, komunistët terrorizojnë shqiptarët me anën e komisarëve politikë…fashistët kanë organizue balilat…, komunistët kanë organizue kalamajtë… dhe kanë rekrutue të huejt, përveç grekëve e serbëve edhe italianët, për me vazhdue luftën kundër shqiptarëve…”!

Ushtarët e Musolinit vranë, prenë e coptuen popullin tonë, ushtarët e Meladinit e të Dushanit vrasin, presin e copëtojnë popullin tonë…! Fashistët thoshin: “Kush nuk asht fashist, asht komunist”, komunistët thonë: “Kush nuk asht komunist, asht fashist”! Krerët komunistë urdhëruan goditjen e rivalëve apo kundërshtarëve politikë dhe gjithë atyre që nuk bashkoheshin me ta, duke i quajtur fashistë apo bashkëpunëtorë me fashizmin.

Veprimi i brendshëm, goditës e kundërgoditës, ballë përballë apo pas krahëve, i paralajmëruar apo i beftë, kolektiv apo individual, frontal apo partizan, filloi, së pari në jug dhe u përhap kudo.

Liri Gega, e cila vepronte në qarkun e Vlorës së bashku me Dushan Mugoshën, i shkruante Enver Hoxhës: “Balli e ka humbur toruan me vrasjen e Hysni Lepenicës…! Azis Çami, komandanti i tyre, kërkoi të bisedojë dje për bashkim. Ne nuk duam asnjë bashkëpunim në luftë, luftën e bëjmë vetë. Pranojmë vetëm ata që duan të luftojnë si anëtarë të Frontit Nacional-Çlirimtar”.

Në një letër që Enver Hoxha i shkruante më 5 tetor 1943 Koci Xoxes, që drejtonte Partinë Komuniste të qarkut të Korçës, e udhëzonte për asgjësimin kudo të çetave të ‘Ballit Kombëtar’, këshillat balliste dhe personalitetet nacionaliste: “Ballin duhet ta likuidojmë pa mëshirë në çdo anë qoftë.

Çetat e atjeshme të ‘Ballit’ të likuidohen pa u grumbulluar dhe pa e marrë veten. Sa për bashkëpunimin me Fazlli Frashërin, mos u gënjeni. I bini, pra edhe Faslliut, edhe atij që e ka bërë Faslliun”.

Vendi-marrja dhe përpjekja për ta marrë pushtetin gjatë luftës dhe nëpërmjet luftës, ishte premisa e parë e luftës civile dhe e vendosjes së një regjimi ushtarak në Shqipëri.

“Në këto momente, – udhëzon Koci Xoxe, krahu i djathtë i Hoxhës në atë kohë, – përpara Ushtrisë Nacionalçlirimtare paraqitet urgjente marrja e pushtetit, duke zaptuar krahina e qytete”!

Nisja e luftës civile vërtetohet edhe nga një dokument i Shtabit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar: “Në vjeshtë 1943, Partia Komuniste dhe Fronti Nacional-Çlirimtar, u detyruan t‘i shpallin luftë për vdekje Ballit Kombëtar”!

Vendimmarrja dhe përpjekja për ta marrë pushtetin gjatë luftës dhe nëpërmjet luftës ishte premisa e parë e luftës civile dhe e vendosjes së një regjimi ushtarak në Shqipëri. “Në këto momente, – udhëzon Koci Xoxe, krahu i djathtë i Hoxhës në atë kohë, – përpara Ushtrisë Nacionalçlirimtare paraqitet urgjente marrja e pushtetit, duke zaptuar krahina e qytete”. / Memorie.al 

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

23 vjet nga hyrja e shqiperise ne organizaten boterore te tregtise 68be6b94e4caa
Lajmi i mëparshëm

​23 vjet nga hyrja e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë

operacion i madh antidroge ne elbasan 40 te arrestuar gjate nates sekuestrohet droge dhe arme 68be6ca3933b2
Lajmi i radhës

Operacion i madh antidrogë në Elbasan/ 40 të arrestuar gjatë natës, sekuestrohet drogë dhe armë

Të fundit nga

Njihuni me milionerin kërçovar në Zvicër (VIDEO)

Kërçovari Ngadhnjim Sadiku ka ndërtuar një nga historitë më të suksesshme të biznesit në diasporë, duke u bërë pronar i dhjetëra pompave të benzinës në Zvicër. Emisioni “N’Kosova Show” ka realizuar një
ShkoLartë