Trajneri i Bayernit të Mynihut, Julian Nagelsmann, thotë se nuk mund ta kuptojë pse Freiburgu ka apeluar pasi skuadra e tij futi 12 lojtarë për 17 sekonda gjatë fitores së thellë 4-1 të shtunën. Incidenti ndodhi kur gjyqtari i katërt tregoi numrin e gabuar në tabelë dhe Kingsley Coman qëndroi në fushë.
“Unë do ta kisha njoftuar klubin tim që të mos merrej më me apelin. Personalisht nuk e kuptoj pse Freiburgu po e bën këtë. Nuk do ta kisha bërë sepse po përdor një gabim të kundërshtarit për të marrë pikë për shkak të presionit të madh nga tifozët apo sponsorët,” – tha 35-vjeçari.
Vendimi i gjykatës pritet këtë javë, por sipas rregullave të futbollit gjerman, çdo skuadër që nxjerr 12 lojtarë dënohet me humbjen e ndeshjes dhe zbritje pikësh.
Bayern po kërkon titullin e 10-të radhazi dhe ka një epërsi prej nëntë pikësh ndaj sfiduesit më të afërt, Borussias së Dortmundit. Freiburg, ndërkohë, është i pesti dhe me këtë pozicion e çon në Europa League sezonin e ardhshëm.
Nëse rezultati përmbyset, tri pikët mund të jenë vendimtare për Freiburgun me gjashtë ndeshje të mbetura në ligë dhe çdo ndëshkim për Bayernin mund t’i japë shpresë Dortmundit në garën për titull.
“Nuk është se ata do të kishin shënuar dy gola në ato sekonda”, – vijoi Nagelsmann. – “Është një procedurë që tani i takon gjykatës sportive dhe për mendimin tim mund të shkojë vetëm në një drejtim. Megjithatë unë nuk po gjykoj”.