Reagojnë emrat e futbollit: Ferizaj pa stadium! Turp për të gjitha pushtetet në Ferizaj!

min lexim

Sot e 23 vite Kosova është çliruar nga okupatori serb, ndërsa Ferizaj ende nuk e ka ndërtuar një stadium të ri të futbollit ashtu si i ka hije dhe si qytet që qëndron mirë financiarisht, i dyti më i forti në Kosovë. 

Reagojnë edhe emrat e futbollit: “Ferizaj pa stadium! Turp për të gjitha pushtetet në Ferizaj!”.

Ish trajneri i mirënjohur, Ahmet Hasani, ish futbollisti i spikatur Shaban Maloki, ish gjyqtar dhe ish sekretari i klubit të futbollit Dukagjini të Klinës, Miftar Dragidella, kontribues i madh në futboll dhe në sportin në përgjithësi, pastaj trajneri i futbollit Fetah

Veliu, komentojnë për situatën që po kalon KF Ferizaj dhe qyteti pa stadium! 

Ahmet Hasani është i habitur se si një qytet nuk ka stadium, që para shumë viteve ka qenë trajner i klubit ferizajas.

“Kjo gjendje e qytetit pa stadium mund të quhet gjendje turpi. Qyteti me gjithë këtë zhvillim ekonomik, gjithë këtë komunitet të futbolldashësve dhe prapë ngelemi pa të paktën një stadium vërtetë është turp për të gjitha pushtetet. 

Pse bartet faji nga një parti tek tjetra? Të bëhemi bashkë të gjithë dhe ndërtimi e lokacioni të zgjidhen sot, menjëherë!”, komenton Hasani.

Shava Maloki, ish futbollist, është i mllefosur kur sheh gjendjen se si ndodhet Ferizaj. 

“Unë personalisht Jam shumë i mllefosur si është e mundur në vitin 2022 Ferizaj mos të ketë stadiumin e futbollit për kushte normale.

Me keqardhje mundem me thënë se jeta sportive në Ferizaj ka dështuar plotësisht. 

Vlen të ceki para 50 viteve ku i kam marrë hapat e parë të futbollit, stadiumi i Ferizajt ka qenë një ndër stadiumet më të bukura në Kosovë. Por sot ka ardh koha të vrapojnë mbas ndonjë tenderi, ta çelin ndonjë lokal për përfitimet personale, ta helmojnë rininë e mrekullueshme me alkool, me tymos me duhan dhe më në fund probleme familjare.

Prandaj sikurse të ishin në stadium nuk kishin kohë për punët e këqija por thithin ajër të pastër dhe do t’i kish marrë gjumi më mirë dhe ditët në vijim do të ishin plot energji për punët pozitive”, komenton Maloki.

Miftar Dragidella, shpjegon se si trajtohen objektet sportive në qytetet gjermane. 

 “Në Kosovë disa gjëra rreth infrastrukturës janë duke shkuar jo siç veprohet në Evropë.

Objektet sportive rreth 90% në Gjermani janë pronë e qyteteve, kurse rreth 10% objekte private të klubeve.

Federatat nuk kanë lidhje me objektet sportive dhe as nuk financojnë as në ndërtimin e as në mirëmbajtjen e tyre.

Federatat organizojnë garat dhe në gara inkuadrojnë VETËM klubet që kanë kushte.

Në Frankfurt, psh: do të kishte klube më shumë por nëse klubi nuk ka fushë të garantuar nuk mund të inkuadrohet në gara.

Pos kësaj qyteti nuk i ndihmon klubet por i detyron ato të paguajnë për shfrytëzimin e fushave.

Qyteti e di a ka nevoje për objekte sportive dhe i ndërton ato ose klubi mund të ndërtojë objektin e tij.

Ndërtimi i objekteve sportive nuk kërkohet nga federatat e as nga ministritë!”, komenton Dragidella. 

Trajneri Fetah Veliu kërkon me ngulm që të ndërtohet stadiumi i ri. “Komuniteti i sportit, ai i futbollit, të bëhen bashkë, së pari, pastaj të sensibilizojnë opinionin ferizajas, pastaj nëse ka nevojë edhe të protestohet para institucioneve lokale, komunale dhe ato qeveritare!”, ka shkruar Veliu.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kryeministri spanjoll viziton nesër Tiranën

Story i radhës

Ekspertët thonë se banania ju dobëson, por vetëm nëse e konsumoni në këtë mënyrë

Të fundit nga