raportoi dhunen dhe kerkoi mbrojtje por u vra pak ore me vone cfare deshtoi ne rastin e arlinda zekajt 6ae0e8c69b769

Raportoi dhunën dhe kërkoi mbrojtje, por u vra pak orë më vonë – çfarë dështoi në rastin e Arlinda Zekajt?

October 27, 2026
min lexim

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj e shoqëruar nga Policia e Kosovës. Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, ajo kishte raportuar sërish dhunë në familje atë mbrëmje, ndërsa ish-bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij ishte iniciuar procedurë për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Prokuroria ka bërë të ditur se viktimës i ishte ofruar mundësia për t’u strehuar, por ajo kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj. Rreth orës 21:00, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore, ndërsa pak minuta më vonë institucionet ishin njoftuar se ishte goditur me një mjet të fortë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, vazhdon të jetë në kërkim. 

Pas rastit, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar analizë të hollësishme të veprimeve institucionale për të vlerësuar nëse ka pasur lëshime apo përgjegjësi individuale. Po ashtu, Inspektorati Policor i Kosovës është ngarkuar të verifikojë mënyrën se si Policia i kishte trajtuar raportimet e mëparshme të viktimës.

Makasqi: Përgjegjësia është ndërinstitucionale, por detyrat duhet të jenë të përcaktuara qartë.

Kriminologia Dita Makasqi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si një grua që raporton dhunë në familje mund të humbë jetën brenda së njëjtës mbrëmje.

Ajo theksoi se institucionet duhet të vlerësojnë rrezikun në tërësi dhe të sigurojnë mbrojtjen konkrete të viktimës, duke analizuar kërcënimet, mjedisin familjar dhe qasjen e personave të tjerë tek ajo. Makasqi nënvizoi se rasti kërkon përgjigje të qarta institucionale për trajtimin e rrezikut dhe parandalimin e tragjedive të ngjashme. 

“Kur një grua raporton dhunë dhe humb jetën pak orë më pas, pyetja themelore është nëse informacioni për rrezikun u shndërrua në mbrojtje konkrete. Regjistrimi i denoncimit dhe ndalimi i një të dyshuari janë veprime të rëndësishme, por siguria e viktimës kërkon të vlerësohet edhe vendi ku ajo do të qëndrojë, personat që kanë qasje tek ajo dhe kërcënimet që mund të vazhdojnë.

Nga këndvështrimi kriminologjik, duhet analizuar i gjithë konteksti i dhunës: historia e kërcënimeve, kontrolli mbi viktimën, shkeljet e urdhrave mbrojtës dhe përfshirja e mundshme e personave të tjerë. Në këtë rast, dallimi ndërmjet personit të ndaluar dhe të dyshuarit për vrasjen ngre një pyetje konkrete: a u vlerësua siguria e mjedisit familjar ku Arlinda u kthye?

Studimet për vrasjet nga partneri ose ish-partneri identifikojnë si faktorë të rëndësishëm rreziku kërcënimet me armë, qasjen në armë dhe ndarjen nga një partner kontrollues. Këto gjetje ndihmojnë në identifikimin e shenjave paralajmëruese, por nuk mund të përdoren për të nxjerrë përfundime automatike për këtë rast, ku i dyshuari për vrasjen është një familjar tjetër. 

Në aspektin shoqëror, një ngjarje e tillë rrezikon të dobësojë besimin e grave te institucionet dhe të ushqejë frikën se raportimi nuk sjell siguri. Pikërisht për këtë arsye, reagimi institucional duhet të japë përgjigje të verifikueshme për mënyrën si u trajtua rreziku dhe si do të parandalohen raste të ngjashme”, tha ajo.

Makasqi, ka theksuar se mbrojtja institucionale nuk arriti ta ruante jetën e Arlinda Zekajt, ndërsa përgjegjësia konkrete duhet të përcaktohet përmes një hetimi të plotë dhe të paanshëm.

Ajo nënvizoi se institucionet duhej të shqyrtonin zbatimin e urdhrit mbrojtës, sigurimin e një vendqëndrimi të sigurt dhe aktivizimin e mekanizmave të tjerë mbrojtës. Makasqi theksoi gjithashtu se refuzimi i strehimores nga viktima nuk e përjashton përgjegjësinë e institucioneve për të shqyrtuar alternativa të tjera ligjore për mbrojtjen e saj.

“Mbrojtja e realizuar nuk arriti ta ruante jetën e Arlindës. Megjithatë, përgjegjësia konkrete ligjore e secilit institucion apo zyrtar duhet të përcaktohet përmes një hetimi të plotë dhe të paanshëm. Vetëm rezultati tragjik nuk provon automatikisht një shkelje individuale, por kërkon një shqyrtim rigoroz të çdo vendimi dhe mosveprimi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të përcjellë në media, Arlinda kishte urdhër mbrojtjeje dhe kthimi i saj në shtëpinë e përbashkët ishte vlerësuar më herët si rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Nëse rreziku ishte identifikuar, hetimi duhet të sqarojë çfarë masash konkrete u morën për ta menaxhuar atë dhe si u rivlerësua situata para kthimit të saj. 

Mekanizmat që duhej të shqyrtoheshin, sipas rrezikut dhe kompetencave ligjore, përfshijnë zbatimin efektiv të urdhrit të mbrojtjes, sigurimin e vendqëndrimit, mbrojtjen policore sipas nevojës, përfshirjen e mbrojtësit të viktimave dhe të shërbimeve sociale, si dhe kontrollin e kërcënimeve nga persona të tjerë. Nëse kishte fëmijë të ekspozuar, siguria e tyre duhej trajtuar bashkë me sigurinë e nënës.

Duhet theksuar edhe një parim: nëse viktima refuzon strehimoren ose kërkon të kthehet te fëmija dhe në pronën e saj, kjo nuk e bën atë përgjegjëse për dhunën që pëson. Autonomia e saj duhet respektuar, ndërsa institucionet duhet të shqyrtojnë alternativa të ligjshme mbrojtjeje. Refuzimi i një alternative nuk mund të trajtohet si përfundim i përgjegjësisë institucionale” – shprehet tutje ajo.

Duke folur mbi rastin, ajo ka theksuar se ndalimi i të dyshuarit për 48 orë nuk mjafton për të garantuar sigurinë e viktimës së dhunës në familje.

Ajo ka nënvizuar rëndësinë e vlerësimit të thellë të rrezikut dhe hartimit të një plani konkret sigurie, duke përfshirë zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj kërcënimeve të mundshme.

“Jo, ndalimi për 48 orë, i marrë veçmas, nuk mjafton për të konkluduar se viktima është e sigurt. Ai mund ta kufizojë përkohësisht rrezikun nga personi i ndaluar, por nuk zgjidh automatikisht kërcënimet e tjera dhe as siguron mbrojtjen pas përfundimit të ndalimit. Çdo masë e mëtejshme ndaj të dyshuarit duhet, natyrisht, të mbështetet në kushtet ligjore dhe në vendimmarrjen kompetente.

Nga aspekti shkencor, nevojitet vlerësim i strukturuar i rrezikut, i cili shqyrton historinë e dhunës, përshkallëzimin e saj, kërcënimet për vrasje, përndjekjen, qasjen në armë dhe tentativat e mëparshme për mbytje përmes shtrëngimit të qafës. Studimet e kanë identifikuar këtë të fundit si tregues të rëndësishëm të rrezikut për dhunë vdekjeprurëse në marrëdhëniet intime. Këta janë tregues të përgjithshëm dhe nuk po pretendoj se janë konstatuar të gjithë në rastin e Arlindës. 

Instrumente si “Danger Assessment” mund të ndihmojnë profesionistët për rastet e dhunës nga partneri, kur përdoren nga persona të trajnuar dhe në kontekstin e përshtatshëm. Ato nuk parashikojnë me siguri një vrasje dhe nuk zëvendësojnë gjykimin profesional. 

Vlerësimi duhet të përfundojë me një plan konkret sigurie dhe të përditësohet kur ndryshojnë rrethanat. Pyetjet praktike janë: ku do të qëndrojë viktima atë natë, kush mund t’i afrohet, si do të zbatohet urdhri mbrojtës dhe kush do të reagojë nëse kërcënimi përsëritet? Edhe Këshilli i Evropës thekson rëndësinë e lidhjes së vlerësimit me menaxhimin e rrezikut për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë”, tha ajo. 

Në fund, ajo u shpreh se Policia, Prokuroria, Gjykata dhe shërbimet sociale kanë përgjegjësi të ndara në vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimave. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit janë thelbësorë për të garantuar sigurinë e grave.

“Përgjegjësia është ndërinstitucionale, por detyrat duhet të jenë të përcaktuara qartë. Në praktikën e mbrojtjes, Policia ka rol të menjëhershëm në identifikimin e rrezikut, mbledhjen e informacionit dhe ndërhyrjen në terren. Prokuroria duhet ta marrë parasysh këtë informacion në drejtimin e hetimit dhe në vendimet apo kërkesat për masa procedurale. Gjykata vendos për masat brenda kompetencave të saj, ndërsa shërbimet sociale dhe mbrojtësit e viktimave kontribuojnë në vlerësimin e nevojave dhe organizimin e mbështetjes.

Për rastin konkret, sipas komunikatës së Prokurorisë të përcjellë në media, vendimi gjyqësor ia kishte ngarkuar Policisë zbatimin e urdhrit dhe njoftimin e Gjykatës për pengesat eventuale. Kjo duhet verifikuar në dokumentacionin e rastit dhe shqyrtuar bashkë me veprimet e institucioneve të tjera. 

Nga këndvështrimi kriminologjik, rreziku më i madh organizativ lind kur secili institucion merret vetëm me një pjesë të rastit dhe askush nuk sigurohet se viktima është realisht e mbrojtur. Prandaj nevojiten shkëmbim i menjëhershëm informacioni, dokumentim i vendimeve dhe përgjegjësi e qartë për ndjekjen e masave.

Si shqetësim social, dhuna ndaj grave kërkon edhe ndërhyrje te normat që e tolerojnë kontrollin, kërcënimin dhe nënshtrimin e gruas. Parandalimi kërkon edukim, mbështetje ekonomike e sociale dhe trajtim serioz të çdo raportimi. Matësi kryesor i një sistemi mbrojtës duhet të jetë siguria që ai arrin të krijojë për personin në rrezik” – përfundon ajo.

Hoxha: Vlerësoj që duhet të ketë një skanim të plotë të rastit dhe një hetim gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje dhe atë së paku për dy arsye

Kurse, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka kritikuar mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, pas rastit të fundit të vrasjes së një gruaje që kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Ai për “Bota sot” ka theksuar se mangësitë ligjore, mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare, si dhe komunikimi dhe koordinimi i dobët ndërinstitucional, janë ndër faktorët që pengojnë trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. 

“Rasti i fundit i vrasjes së një gruaje e cila ka kërkuar mbrojtje nga shteti, tregon dhe vë në pah mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë që kanë detyrë dhe përgjegjësi të ndërmarrin veprime ligjore për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve e veçanërisht të dëmtuarave dhe grave që kërkojnë mbrojtje para, gjatë dhe pas procesit të divorcit si dhe procedurave për besimin, ruajtjen e kundësinë e fëmijëve të mitur.

Në këtë kontekst, po shkelet e drejta elementare e garantuar me kushtetutë që është e drejta për jetë që është përgjegjësi direkte e shtetit.

Korniza e mangët ligjore, mosplanifikimi i duhur financiar, mungesa e resurseve njerëzore të mirëtrajnuara, moskomunikimi i duhur institucional në mes të mekanizmave kompetentë dhe mungesa e një sistemi funksional të vlerësimit dhe analizimit të rasteve e po ashtu mosintegrimi i të dhënave për trajtimin e rasteve në mes institucioneve, janë disa faktorë kyç që i tërë sistemi formal për trajtimin e rasteve të dhunës në familje të mos funksionojë si duhet, përkundrazi në disa raste edhe t’i përkeqësojë edhe më tej raportet njerëzore në rastet specifike të dhunës në familje” – thotë ai.

Hoxha ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës për vrasjen e gruas që kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj. Ai ka theksuar nevojën për të verifikuar përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve, për të identifikuar mangësitë institucionale dhe ka vlerësuar se dorëheqjet morale të zyrtarëve përgjegjës do të ishin shenjë e pjekurisë institucionale.

“Në rastin konkret, e ndjera përveç procedurës standarde ligjore të iniciuar përmes avokates së saj, vërtetohet se ka ndërmarrë edhe hapa shtesë duke njoftuar me shkrim edhe krerët e disa nga institucionet kompetente duke përfshirë edhe kryeprokuroren e prokurorisë themelore në Pejë, për rrezikun real të vrasjes, por pavarësisht kësaj ajo është vrarë. Kjo jep indikacione dhe krijon perceptimin që edhe përkundër mangësive sistemore, mekanizmat kompetentë nuk e kanë vlerësuar drejt situatën dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në specifikat dhe historikun e rastit.

Vlerësoj që duhet të ketë një skanim të plotë të rastit dhe një hetim gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje dhe atë së paku për dy arsye. Njëra, për të vërtetuar nëse janë ndërmarrë veprimet e duhura nga mekanizmat kompetentë dhe për ta adresuar përgjegjësinë zyrtare personale eventuale dhe e dyta për të identifikuar mangësitë ligjore, resurset njerëzore e financiare, integrimin e të dhënave të nevojshme në mes institucioneve dhe në përgjithësi identifikimin dhe rekomandimin e një mënyre efikase të veprimit të të gjithë mekanizmit shtetëror në raport me trajtimin adekuat të rasteve të dhunës në familje me theks të veçantë mbrojtjen e jetës së viktimave të dhunës që në vendin tonë janë afër 100% gra.

Do të ishte shenjë e pjekurisë institucionale dhe vlerë etike e morale që lidhur me këtë rast shumë të rëndë, pa paragjykuar për përgjegjësinë eventuale të personave zyrtarë, të kishim pasur dorëheqje morale nga disa zyrtarë me pozita kyçe që e kanë trajtuar këtë rast dhe kjo do të krijonte edhe një bazë solide si një pikënisje e menaxhimit dhe trajtimit të duhur të kësaj problematike ndër kryesoret në vend” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IMG 20261027 WA0017
Lajmi i mëparshëm

VLEN bashkëpropozon fundin e pasigurisë për punonjësit me kontrata

begaj njoftoi nisjen e konsultimeve per daten e zgjedhjeve lokale gazment bardhi teater politik presidenti i sherben rames 6ae0e91d22af0
Lajmi i radhës

Begaj njoftoi nisjen e konsultimeve për datën e zgjedhjeve lokale/ Gazment Bardhi: Teatër politik, Presidenti i shërben Ramës

Të fundit nga

ShkoLartë