Gjatë takimeve me ndihmësit e tij, Trump kishte sugjeruar të niste një sulm bërthamor ndaj Koresë së Veriut dhe të fajësonte një vend tjetër, sipas një libri që flet për kohën e ish- presidentit në Shtëpinë e Bardhë.
Thuhet se deklarata e Trump është bërë në vitin 2017, në vitin e tij të parë në detyrë, kur foli me tone të ashpra në deklaratat e tij publike për Korenë e Veriut, duke paralajmëruar Kim Jong Un në gusht të atij viti që të mos kërcënonte SHBA-në sepse këta të fundit do të kundërpërgjigjeshin në një mënyrë që bota se kishte parë kurrë.
Muajin pasues, nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump paralajmëroi Kim se do të “shkatërronte plotësisht” vendin e tij. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nën shefin e shtabit John Kelly thuhet se ishin shumë më të shqetësuar, për bisedimet e tyre kokë më kokë me Trump për Korenë e Veriut, raporton abcnews.al.
Në një pjesë në librin e tij “Donald Trump V. Shtetet e Bashkuara”, korrespondenti i New York Times në Uashington, Michael Schmidt shkruan se Trump po kërcënonte Korenë e Veriut në mediat sociale vetëm disa ditë pasi Kelly mori detyrën.
“Ajo që e trembi Kelly-n edhe më shumë se postimet në Twitter, ishte se pas dyerve të mbyllura në Zyrën Ovale, Trump vazhdoi të fliste sikur donte të fillonte një luftë.
Ai diskutoi me arrogancë idenë e përdorimit të një arme bërthamore kundër Koresë së Veriut, duke thënë se nëse vendos ta bëjë këtë, administrata e tij mund ta fajësojë dikë tjetër duke hequr kështu dorë nga përgjegjësia.
Schmidt tha për NBC News se “prapa dyerve të mbyllura për ndihmësit, Trump ka folur për përdorimin e forcës kundër Koresë së Veriut dhe ka pasur shumë shqetësime për këtë sepse Trump ka thënë publikisht gjëra që lënë të hapur mundësinë e konfliktit ushtarak”.
Trump vazhdoi të përshkallëzojë tensionet në Korenë e Veriut në vitin 2018, duke postuar një mesazh në T witter drejtuar Kim.
“Udhëheqësi i Koresë së Veriut sapo deklaroi se “Butoni Bërthamor është në tavolinën e tij gjatë gjithë kohës”. Por le ta dijë se edhe unë kam një buton bërthamor, por ai është shumë më i madh dhe shumë më i fuqishëm se i tij, dhe i imi funksionon!
Një vit më pas, megjithatë, Trump u bë presidenti i parë amerikan që u takua me një homolog të Koresë së Veriut, në një takim në zonën e demilitarizuar midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.