​Raportet Kurti-Rama, ja si i komenton Mazllum Baraliu

December 20, 2024
min lexim

Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama, i bëri bashkë seanca e dy kuvendeve e mbajtur të premten në Prishtinë – në kohën kur raportet e tyre konsiderohen “të ftohta”. Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu thekson nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Ai e sheh si veprim pozitiv mbajtjen e seancës së sotme dhe sipas tij, liderët e të dy vendeve duhet të kuptojnë rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve zyrtare.

Baraliu: Kurti e Rama ta kuptojnë që marrëdhëniet zyrtare Kosovë-Shqipëri duhet të jenë më të ngrohta

“Si akt pozitiv, institucional, dhe ndërinstitucional në këtë rast mes dy shteteve vëllazërore, mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe është shenjë e mirë përkundër intonacioneve hera herës që nuk mund të kamuflohen pa dalur në sipërfaqe të marrëdhënieve mes eksponenteve të dy qeverive, jo aq të ngrohta. Megjithatë kjo është shenjë e mirë që janë takuar, dhe do duhej që domosdoshmërisht të kuptojnë liderët të dy vendeve se marrëdhëniet mes nesh duhet të jenë më të ngrohta, ato zyrtare, sepse nuk janë aq të ngrohta. Popujt gjithsesi janë të palëkundur andej dhe këndej kufirit, patjetër do duhej bashkëpunim me shumë dhe jo inate”, thotë Baraliu.

Ai thotë se marrëdhëniet Kurti-Rama nuk janë në pikën zero por sipas tij është një hapësirë e cila “do më tepër koordinim dhe mirëkuptim”.

Baraliu: Ftohja e raporteve Kurti-Rama, për protagonizëm

“Si një vijimësi e ftohtësisë në marrëdhënie dhe sinjaleve që diçka nuk shkon aty mes tyre. Mendoj, se ka të bëjë me tepër me egot e tyre shumë të forta “betejën” për të qenë më tepër protagonist njëri dhe tjetri. Pra një betejë mes dy protagonisteve të fortë që kanë intransigjentë në qëndrimet e tyre që nuk i bënë mirë vijimësisë së marrëdhënieve dhe integrimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë që do duhej të ndryshonte patjetër. Do duhej të vetëdijesoheshin të dy se me atë epërsinë baraktareste, individualiste të tepruar të protagonizimit të pretenduar as njëri as tjetri nuk mund të fitojë por me bashkim, bashkëpunim dhe me koordinim, patjetër, sepse është i domosdoshëm…Megjithatë, nuk është pika zero e marrëdhënieve, por është një hapësirë e cila do shumë më tepër koordinim dhe mirëkuptim në kuptimin e afrimit, integrimit mes dy vendeve”, shton Baraliu.

Në seancën e mbajtur sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë miratuan deklaratën e përbashkët përmes të cilët synohet ecja përpara.

Një tjetër mbledhje e dy kuvendeve ishte mbajtur në nëntor të vitit 2022.

Mbledhja e dy kuvendeve, sipas institucioneve në të dy anët e kufirit, vjen si nevojë e koordinimit të agjendës për realizimin e synimeve që përfshijnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës. Gjithashtu, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Të dy qeveritë tashmë kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje por takimet ndërqeveritare nuk janë duke u mbajtur.

I fundit që kishte dështuar të mbahet ishte në qershor të vitit 2023, pas mospajtimeve në mes të Kurtit dhe Ramës.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zv/kryeministri Stoilkoviq me urim për Ditën e Mësimit në Gjuhën Turke

Story i radhës

Transfertat në SEPA, data më e afërt për bankat shqiptare është 5 tetori 2025

Të fundit nga

ShkoLartë