Ylli amerikan i futbollit për femra, Megan Rapinoe, ka kritikuar ashpër sjelljen e Luis Rubiales pas fitores së Spanjës në Kupën e Botës të dielën.
Megan Rapinoe thotë se sjellja e Luis Rubiales tregon “nivelin e thellë të mizogjinisë dhe seksizmit” në futbollin e femrave, shkruan CNN.
Rubiales, presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës u pa duke i dhënë yllit spanjoll Jennifer Hermoso një puthje në buzë pasi 33-vjeçarja mori medaljen e saj të artë pas fitores së ekipit në finalen e Kupës së Botës për femra kundër Anglisë.
“Më bëri të mendoj se sa duhet të durojmë”, tha Rapinoe për The Atlantic kur u pyet për puthjen.
“Mendoni se sa duhet të mbante skuadra spanjolle: disa nga lojtarët që u ngritën vitin e kaluar për të protestuar kundër keqtrajtimit ende nuk janë në ekip”.
Në shtator të vitit 2022, 15 anëtare të skuadrës së femrave dërguan letra të nënshkruara personalisht në RFEF përmes emailit për të njoftuar se nuk do të luanin më për ekipin kombëtar, përveç nëse do të kishte ndryshime me shumicë në të gjithë stafin stërvitor.
Ndryshe, Rubiales, sot pritet të jap dorëheqje nga posti i presidentit të Federatës së Futbollit të Spanjës.