Në një intervistë për “Bota sot” për zhvillimet e fundit në vend dhe projektet e planet në Drenas ka folur kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Fillimisht Lladrovci tha se një pjesë e vogël e projekteve është në zbatim, por shumica, janë me vonesa, anulime dhe pritje për aprovim të buxhetit.
Ai u shpreh i zhgënjyer nga Qeveria, pasi kishte pritur më shumë mbështetje për komunën të cilën ai e drejtoi.
Kurse, bashkëpunimin ndërpartiak në Asamble e vlerësoi si shumë të mirë, duke potencuar se në kohë pandemie dhe për çështjet jetike për qytetarët, ka pasur unitet të plotë.
Sa i përket situatës politikë në vend, tha se është e ndjeshme.
“Situata politike është e ndjeshme, kur kihet parasysh gjendja në rajon e më gjerë. T’i jepet zgjedhje problemeve me prioritet si marrëveshja finale me Serbinë me njohje reciproke”, deklaroi Lladrovci.
Në fund, kreu i Drenasit foli edhe për procesin gjyqësor në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Lladrovci si është gjendja në komunën e Drenasit, sa keni arritur t’i realizoni projektet e parapara që nga rimarrja e mandatit?
Ramiz Lladrovci: Gjendja në komunën e Drenasit, sa i takon realizimit të projekteve, nuk është e kënaqshme. Një pjesë e vogël e projekteve është në zbatim, por shumica, janë me vonesa, anulime dhe pritje për aprovim të buxhetit. Kam pritur më shumë nga Qeveria, por, shpresojmë që të bëhet më shumë për komunën tonë. Të tjerat, niveli i sigurisë, shëndetësia, arsimi, etj. janë në nivel të duhur dhe punojmë pa u ndalë.
“Bota sot”: Duke marrë parasysh se ju vini nga një subjekt politik që gjendet në opozitë, sa keni marrë mbështetje nga partia në pushtet – Qeveria, në realizimin e projekteve?
Ramiz Lladrovci; Për fat të keq, nuk e kemi marrë ndihmën e duhur, le që janë anuluar projekte dhe ato që kanë qenë të planifikuara, por s’kemi aprovime për projekte të reja. Ne nuk do të ndalemi me punë, për aq sa kemi mundësi dhe buxhet. Drenasi ka shumë nevoja, të cilat presin zbatim, nga rrugët, uji i pijshëm, ujërat e zeza, çerdhet etj.
“Bota sot”: A ka bashkëpunim në kuvendin komunal të Drenasit mes jush dhe partive opozitare?
Ramiz Lladrovci: Po, bashkëpunimi ndërpartiak në Asamble është shumë i mirë, në kohë pandemie dhe për çështjet jetike për qytetarët, kemi pasur unitet të plotë. Qëllimi i mirë për partitë politike, nëse janë në favor të qytetarëve pa dallim, edhe sjell unitet.
“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha në komunën tuaj dhe si po ia arrini t`i tejkaloni ato?
Ramiz Lladrovci: Sfida më e madhe është gjendja ekonomike dhe largimi i të rinjve, sigurimi i ujit të pijes, vonesat në ndërtimin e rrugës me katër korsi Gllobar-Komoran, rruga qarkore nga Kroni i Mbretit-Drenas-Skenderaj, Kolektori i ujërave të zeza… Ne po përpiqemi të theksojmë se kemi nevojë për Qendrën e Biznesit “Drenasi 2”, po përpiqemi të theksojmë se Stadiumi nacional është interes për të gjithë, përpiqemi të punojmë që të dëshmojmë se meritojmë më shumë investime, e meritojnë qytetarët e komunës tonë.
“Bota sot”: Krahas kësaj, vendi po përballet me situata të ndryshme politike, ku shpeshherë ju kemi parë të reagoni nëpër rrjete sociale, si është sot Kosova z. Lladrovci?
Ramiz Lladrovci: Situata politike është e ndjeshme, kur kihet parasysh gjendja në rajon e më gjerë. T’i jepet zgjedhje problemeve me prioritet si marrëveshjen finale me Serbinë me njohje reciproke. Kjo situatë e rënduar reflekton në mosdurimin dhe bashkërendimin politik, ndikon në perspektivën e të rinjve tanë, biznesin, koordinimin e brendshëm dhe me aleatët. Situata ka nevojë të përmirësohet dhe krijohen kushte me perspektivë për të rinjtë tanë dhe jetën në Kosovë me kushte e mundësi sa më të mira.
“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani?
Ramiz Lladrovci: Qeveria do të duhej të punonte më shumë se qeveritë e mëparshme. Të zbatojë zotimet e veta, nuk ka kohë për të pritur. Tashmë është në gjysmë mandati dhe ndihmat sociale nuk janë të mjaftueshme të arrihet synimi për një Kosovë të integruar në rrugën euro-atlantike.
“Bota sot”: Marrë parasysh se dialogu është një nga temat më të përfolura në nivel qendror, sa besoni se do të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?
Ramiz Lladrovci: Konsideroj se Evropa nuk e ka as fuqinë, e as mundësinë ta detyrojë Serbinë për marrëveshje finale. Pa faktorin amerikan, nuk pres zgjidhje as të shpejtë, as të duhur. Serbia nuk e kupton gjuhën e barazisë në detyrime dhe përgjegjësi për marrëveshjen, nuk e kupton të drejtën tonë, e as nuk pres të heqin dorë nga mendësia e tyre kolonialiste, por, me angazhimin amerikan, pres t’ju qartësohet agjenda.
“Bota sot”: Sa po mbrohet interesi i vendit nga Qeveria aktuale në dialog me Serbinë?
Ramiz Lladrovci: Mendoj se disa hapa janë ndërmarrë, si ndalesa e referendumit dhe zgjedhjeve, por, nuk pajtohem se duhet të lëshoj dikush tjetër letërnjoftime në vend të institucioneve tona për shtetasit tanë.
Dialogu për Marrëveshjen finale nuk duhet të degradojë në fatura të rrymës, stikersa, as në tabela. Ne jemi të pavarur dhe do mbrojtur pavarësia nga çdo cenim që vije nga Serbia apo kushdo qoftë.
“Bota sot”: Gjithashtu, ish-udhëheqësit e PDK-së dhe UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli gjenden në Hagë. Si e komentoi procesin gjyqësor deri më tani, a është zvarritur ky proces?
Ramiz Lladrovci: Ky proces që po zhvillohet në Hagë është i padrejtë, besoj fort në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve. Besoj fort se as ata që gjenden atje, as Kosova nuk e ka merituar barrën e akuzave, të cilat duhen vite të hidhen poshtë. Akuzat monstruoze se çlirimtarët dhe udhëheqësit tanë “ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale”, flet mjaft për këtë akuzë. Kjo flet edhe për autorësinë e akuzave. Lufta jonë ishte e drejtë dhe është zhvilluar në pajtim me normat ndërkombëtare, askush, kurrë nuk do të mund ta njollos.