Ramadani tha se që prej 5 nëntorit të viti të kaluar e sidomos pas ngjarjeve të 26 majit, lidershipi i Kosovës ka obligim institucional e qytetar të rrisë transparencën për atë që po ndodhë në veri të vendit, ku, sipas tij, gjendja që po mbretëron atje ka arritur në një situatë të bllokimit, që, siç u shpreh ai, nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.
“Në kuptimin e veprimeve strategjike mund të jetë në një fazë shumë të shkurtër për një përfitim të caktuar për të përfituar në një epilog në kuptimin e sigurisë dhe politik”, deklaroi Ramadani, në “InfoPlus”, në RTK.
Ndërkaq për situatën e tanishme në veri të vendit, Ramadani e vlerëson si të qetë, por, që, shtoi ai, megjithatë vazhdon të jetë ende e bllokuar, që nënkupton se zgjidhjet për të cilat është diskutuar, nuk ofrojnë një skicim të qartë të zgjidhjes së situatës, duke përfshirë edhe komunitetin atje dhe që trupat e KFOR-it janë ende shesheve atje.
E lidhur me detyrat e KFOR-it, Ramadani sqaroi se ato janë që ta mbrojë Kosovën nga ndërhyrja ushtarake e Serbisë dhe serbët e Kosovës nga ndërhyrja jo e drejtë e institucioneve të Kosovës, teksa shtoi se vendosja e trupave të KFOR-it në sheshe të qyteteve në veri të vendit merren nëse qeveria e kërkon KFOR-it të asistojë në raste kur Policia e Kosovës nuk i ka kapacitetet e plota në kryerjen e detyrave të caktuara, ose mënyra tjetër është kur KFOR- vendos pa pyetur institucionet e Kosovës trupat e saj dhe institucionet vendor të sigurisë, sikundër tha ai, i vë në rendin e dytë.
“Ndaj është tepër me rëndësi që lidershipi i Kosovës të sqarojë se çfarë ka ndodhur, nëse KFOR-i e ka zhvendosur Policinë e Kosovës në bazë të rezolutës 1244, apo me kërkesën e Qeverisë. Kjo duhet zbardhur”, tha Ramadani, derisa shtoi se nëse KFOR-i është vendosur në bazë të rezolutës 1244, atëherë, sipas tij, ka të bëjë më zhvendosjen e sovranitetit të vendit.
Tutje, Ramadani shprehu shqetësimin nëse KFOR-i mund të marrë kontrollin politik, kur, pastaj, emërimin e kryetarëve të komunave veriore e bën UNMIK-u.