Nga Sllovenia, ku mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, projekt i qeverisë sllovene, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane, kryeministri Edi Rama i ka dalë krah shqiptarëve të Kosovës, ndërsa ka lëshurta disa kritata të forta ndaj pernëdimit. Kreu i qeverisë është prononcuar për mediat sllovene, ku është pyetur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, dhe marrëdhënien Serbi-Kosovë, rrugën drejt zgjidhjes përfundimtare si dhe çështjen e vizave ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri është ndalur tek vizat, ku i pyetur nëse mendon se pas vendimit të Kosovës dhe Serbisë për të ulur armët për shkak të tensioneve të fund korrikut tashmë procesi i anëtarësimit dhe me sinjalet e sotme të kancelarit gjerman Scholz, do të mund të përshpejtohet, ai tha se çlirimtarët e Kosovës (vendet e BE-së) po e mbajnë peng, duke mos i dhënë vizat duke e cilësuar si një turp të madh.
“Sinqerisht nuk jam i sigurt që do të ketë një përshpejtim në përgjithësi për shkak të arsyeve gjeopolitike por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri europian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë së bashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë, është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial. Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar dhe tani çlirimtaret (vendet e BE-së) e mbajnë peng duke mos i dhënë liberalizimin e vizave. Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën mes Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, ka shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”, tha ai.
Rama: Mbështesim plotësisht Kosovën
Ndërkohë, i pyetur nëse ka një përputhje në rritje midis autoritetit në Shqipëri dhe në Kosovë sa i takon marrëdhënies me Beogradin, ai tha se nuk ka një gjë të tillë si autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës pasi sipas tij, janë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptaret në Kosovë si autoritete të shteteve. Rama theksoi se nuk ka mospërputhje.
“Nuk ka një gjë të tillë si autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Janë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptaret në Kosovë si autoritete të shteteve. Nuk ka mospërputhje. Natyrisht kemi disa dallime që është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si arrihet aty. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”, tha ai.
Ndërkohë, kujtojmë se kryeministri Edi Rama pak ditë më parë gjatë Forumit Europian Alpbach, i cili u zhvillua në qytetin Alpbach të Austrisë, ka folur edhe për liberalizmin e vizave të Kosovës, duke shigjetuar perëndimit, kur theksoi se Bashkimi Europian e ndihmoi Kosovën të çlirohej nga një regjim barbar, por gjatë këtij regjimi ata lëviznin lirisht në Europë, ndërsa tani janë “peng i çliruesit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në forum. “Kosova u çlirua me ndihmë nga një regjim barbar. Me regjimin barbar ata lëviznin lirisht. Me çlirimtarët janë peng. Gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë mund të udhëtonin në Europë, edhe të punonin, fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, u shpreh Rama.