Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim, në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Ambasadorja Kim bëri thirrje se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK nuk duhet ketë ndikime nga ata që kanë interes për të manipuluar hetimet, ndërsa Rama përgjigjet duke theksuar se kreun e Prokurorisë së Posaçme e zgjedh vetëm KLP.
Kreu i qeverisë i bën thirrje që anëtarëve të KLP që të mos dëgjojnë askënd tjetër veç kandidatëve dhe të mos influencohen nga askush përveç profilit dhe perfomancës së tyre.
“Jam plotësisht dakord me ambasadoren e SHBA në Shqipëri dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shrkuan Rama.
Ambasadorja Yuri Kim deklaroi se SHBA do të ndjekë procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit.
Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet më datë 16 dhjetor dhe pritet ta marrë detyrën më 19 dhjetor, kur përfundon edhe mandati i kreut aktual, Arben Kraja. Në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani, kandidaturat e të cilëve janë verifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.