Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën edhe këtë të diel në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 64 të protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa e cilësuan vijimin e protestës për më shumë se dy muaj si dëshmi të pakënaqësisë së qytetarëve me qeverisjen.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, pjesëmarrësit ngritën shqetësime për pensionet, rritjen e çmimeve, koston e jetesës, korrupsionin, reformën administrativo-territoriale, investimet publike dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Një pjesë e tyre kritikuan edhe hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër, ndërsa të tjerë akuzuan qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence.
Në protestë morën pjesë edhe emigrantë të ardhur nga Italia, të cilët deklaruan se i janë bashkuar tubimit për të kërkuar largimin e qeverisë. Aktivistët u bënë thirrje qytetarëve, përfshirë punonjësit e administratës publike, që t’u bashkohen protestave, duke theksuar se, sipas tyre, ndryshimet prekin të gjithë qytetarët.
Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si “Edi Rama jep dorëheqjen” ndërsa protestuesit ekspozuan edhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë.
Po ashtu qytetarët u dëgjuan të hidhnin edhe parulla kundër klasës politike, duke thënë “Rama në burg, Berisha në burg”, “PD-PS, dyshe komuniste”.
Një tjetër moment simbolik ishte shkrimi në asfalt, përpara godinës së Kryeministrisë, i frazës “Boulevard of Hope” (Bulevardi i Shpresës), ndërsa më pas protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës me thirrje për “ndryshim sistemi” dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.
Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata bënë thirrje që nesër pjesëmarrja në protestë të jetë edhe më e lartë.
Burimi: botasot.info


