rama evropa per shqiptaret mbetet enderr amanet kombetar dhe mision politik i pandryshueshem 69ff5431a7c6f

Rama: Evropa për shqiptarët mbetet ëndërr, amanet kombëtar dhe mision politik i pandryshueshëm

May 9, 2026
min lexim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se Europa është ndërtuar mbi një vizion të jashtëzakonshëm paqeje, bashkëjetese dhe lirie, duke u shndërruar në simbolin më të fuqishëm të bashkimit mes popujve të ndryshëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e mbajtur në Tiranë në kuadër të Ditës së Europës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, kryeministri Rama u shpreh se ideja europiane lindi nga nevoja për të tejkaluar ndarjet dhe konfliktet historike, duke krijuar një hapësirë të përbashkët pa kufij ndërshtetërorë, ku popujt jetojnë dhe bashkëpunojnë si të barabartë.

“Të imagjinohej dhe të gjendej aftësia për të ndërtuar mbi detin e gjakut të Luftës së Dytë Botërore një hapësirë gjeografike pa kufij, ku popujt të mos jetonin më kundër njëri-tjetrit, por bashkë me njëri-tjetrin, kërkonte një besim të jashtëzakonshëm tek vetvetja europiane”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se 9 Maji përfaqëson një datë historike që simbolizon lindjen e një projekti unik politik dhe historik, Bashkimin Europian, por mbi të gjitha vetë Europën si djep kulturash dhe historish të bashkuara në një paqe shembullore.

“9 Maji nuk kremton vetëm krijesën më të jashtëzakonshme të politikës, Bashkimin Europian, por vetë Europën si hapësirë ku liria dhe dinjiteti njerëzor nuk negociohen”, deklaroi Kryeministri.

Rama vlerësoi se, pavarësisht sfidave aktuale globale, Europa mbetet një projekt i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin, duke paralajmëruar rrezikun e izolimit, frikës dhe humbjes së besimit ndaj vlerave të saj themelore.

“Nuk është kohë e mirë për Europën dhe as për botën. Por pikërisht në këtë kohë, më shumë se kurrë, libri i historisë së Europës na mëson se çfarë nuk duhet bërë: mbyllja, frika dhe pesimizmi”, u shpreh ai.

Duke folur për Shqipërinë, kryeministri Rama theksoi se Europa për shqiptarët mbetet një ëndërr, një amanet kombëtar dhe një mision politik i pandryshueshëm, duke nënvizuar përvojën historike të vendit me izolimin.

“Ne e dimë më mirë se kushdo tjetër në këtë kontinent çfarë do të thotë të jetosh i izoluar dhe i rrethuar me mure”, tha Rama, duke shtuar se mbështetja e fortë popullore për integrimin europian është dëshmi e këtij angazhimi historik.

Ai vuri në dukje gjithashtu se në Shqipëri është e veçantë fakti që një parti politike mund të fitojë mbështetje të gjerë duke u angazhuar për integrimin në Bashkimin Europian dhe për zbatimin e reformave që burojnë nga procesi i negociatave.

Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri Rama përmendi edhe zhvillimet e fundit në vend, duke iu referuar një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluar në Tiranë, e cila sipas tij ishte e paimagjinueshme disa vite më parë, si prelud i Kongresit Botëror të Ligjit.

Rama theksoi se rruga europiane e Shqipërisë mbetet një projekt kombëtar i pakthyeshëm dhe një angazhim strategjik për të ardhmen e vendit.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

haxhiu kosova e ka te qarte destinacionin euroatlantik 69ff53ddcd9e8
Lajmi i mëparshëm

Haxhiu: Kosova e ka të qartë destinacionin euroatlantik

alarm ne greqi gjendet nje dron misterioz i mbushur me eksploziv ne detin jon ja skenaret e mundshem 69ff5484f0bc4
Lajmi i radhës

Alarm në Greqi! Gjendet një dron misterioz i mbushur me eksploziv në Detin Jon, ja skenarët e mundshëm!

Të fundit nga

ShkoLartë