Rama dhe përqafimi i tij me Albinin

November 23, 2022
min lexim

E kemi parë disa herë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, në takime me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në çdo takim Rama tregohej tepër i ftoftë e deri në nënçmim ndaj Albinit. Paraqitej e fryhej Rama jo vetëm si vëllai i madh por si lider i të gjithë shqiptarëve kudo qofshin, ambicie kjo e përhershme e tij. Mbahet mend mirë paraqitja tepër e ftoftë e takimit të Ramës me Albinin në Tiranë, që në start të Albinit si kryeministër, në parakalimin ceremonial të dy kryeministrave. Takim i ftoftë akull. Kurrfarë ngrohtësie e Ramës. Parakalim si prej zori edhepse ishte takimi i parë në cilësinë e dy kryeministrave. Hiç më ndryshe nuk ishte Rama edhe ndaj të përzgjedhurës së Albinit për Ministre të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, zonjës së madhe të një resori ndër më të rëndësishmit, znj. Donika Gërvalla. Në takimin ndërkombëtar Rama i afrohej buzëqeshur Vuçiqit kurse tërësisht e injoronte znj. Donika Gërvalla, yllin e demokracisë në Kosovë. Vrazhdësi kryeministrore e Ramës përtej çdo kufiri bonton apo protokolli.

Herën e fundit para ca dite, në Berlin, gjatë kongresit të partive progresiste evropiane, në takimin e tij me Albinin, Rama i afrohet pas shpine dhe me duart e veta ia mbyllë sytë Albinit dhe më pastaj edhe e përqafon, me çka Rama dëshironte të përcillte tani tjetër imazh të raporteve në mes tyre. Por, vallë, ishte ky një përqafim i sinqertë, apo krejtësisht jo i sinqertë i Ramës? Kush dhe sa i beson atij përqafimi? Çfarë lidhje ka dhe sa përputhet ky përqafim me atë parakalimin ceremonial? Madje është për të pritur se, së pari, nuk i beson këtij përqafimi edhe Rama vetë, thonë kështu sjelljet dhe veprimet në vazhdimësi të Ramës që nga parakalimi i mbamendur. E, opozita në Kosovë, do t ´i besojnë ata këtij përqafimi? Vallë, u paska kthye Rama përnjëherë shpinën atyre që i ka për zemër? E pamundur. E, Vuçiqi?

Rama, kryeministri piktor me renome e shpërblime për arte pamore, në atë përqafim me Albinin pas shpine në formë të artit teatral, në mungesë të përqafimit ballpërball e ballëhapur miqësor kurrë të realizuar, dëshironte të përcillte figura dhe imazhe por pa thënë asnjë fjalë sepse edhe të vetmen fjalë të mirë që do ta thoshte për Albinin në atë kinse dashuri dhe përqafim, kjo do ta godiste rënd Vuçiqin. Prandaj Rama nuk thotë asgjë fare, “scribta manent”, dhe kështu figurativisht kinse mirë me Albinin, por për Ramën është tepër me rëndësi që gjithsesi të qëndrojë edhe besnik Vuçiqit.

Mirëpo të gjithë e dinë se Rama, bashkë me opozitën në Kosovë, është kundërshtari më i madh i Albinit. Më në fund, siç është i tillë edhe vetë Vuçiqi. I gatshëm është Rama të tejkalojë edhe padinë gjyqësore dhe diferencat kur ish udhëheqësi në Kosovë është kundër Albinit. Me rëndësi për Ramën është të bëhen sa më shumë kundërshtarë të Albinit.

Rama haptazi e fton Albinin që të pranojë Ballkanin e Hapur, duke theksuar kinse favoret, por duke tejkaluar atë helmin vrastar të asaj nisme, mohimin e pavarësisë Kosovës në atë nismë, që për Vuçiqin është kuintesenca e asaj nisme, kurse për Albinin ai pranim do të ishte mohim pavarësie shtetërore e për Albinin një theqafje kryeministrore, një gabim historik të cilin opozita mezi do të priste që ta hiqte Albinin si kryeministër. Këtë ftesë dhe këtë mashtrim, Rama e bënë haptazi, ballpërball, në emër të favoreve, edhepse në fakt është thikë pas shpine për Albinin. Kështu Rama do t´i bënte shërbimin më të mirë aleatit të vetë, opozitës në Kosovë, e cila do të ngritej kundër Albinit, sepse Ballkani i Hapur e trajton Kosovën si pjesë integrale të Serbisë. Diçka e trajtim, pra, që është kundër luftës heroike të UÇK, kundër gjakut të derdhur të luftëtarëve për liri dhe pavarësi si dhe posaçërisht kundër aktit dhe mesazhit mësimor e sublim historik të qëllimit dhe veprës të intervenimit humanitar të NATO-s për shpëtimin e shqiptarëve në vazhdimin e cikleve të gjenocideve shekullore nga Serbia. Albini ashtu e i tillë, në BH, të cilën gjithnjë e refuzon, por që është vetëm ftesë dhe ëndërrim i Ramës, nuk do t´i dhimbsej askujt…

Por tani Rama duhet të përballet me vendin në një situatë krejtësisht të re dhe në frymën e fakteve të reja. Respektivisht, Ambasadori i SHBA në Kosovë, z.Jeff Hovenier, deklaroi se SHBA përkrahin çfarëdo nisma që zhvillojnë bashkëpunimin në Ballkan, prandaj, duke iu referuar pikës qendrore, tha se do të përkrahin edhe BH nëse kjo nismë do ta trajton Kosovën si shtet të barabartë në grupin e gjashtë shteteve tjera. Kjo do ta transformonte plotësisht konceptin e tashëm politik të BH në vizionin Vuciq e të cilin jo vetëm që e ka pranuar por atë nismë madje edhe e propagandon Rama. Edhe Presidenti i Malit Zi , Milo Gjukanoviq, e kundërshton BH dhe ka deklaruar se BH, kështu siç është sot, e parasheh Malin e Zi në kuadër të një Serbie të Madhe. Të dy këto fakte të reja, krahas refuzimit të më hershëm dhe qëndrimit të palëkundur, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht të drejt e parimor të Albinit, e zhveshin definitivisht qëllimin kryesor të nismës Ballkani i Hapur dhe shtrojnë përgjegjësi dhe obligim të qartë e të domosdoshëm para Ramës, Kryeministër i Shqipërisë, dhe para Shtetit Shqipërisë për hapa tjerë.

18 tetor, 2022

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

ESHS: Mbi 500 euro rroga mesatare në shtator

Story i radhës

7 fjalitë që s’duhet t’ia thoni kurrë fëmijës në tavolinë

Të fundit nga

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë