Në Qipro shkuan disa garues e garuese me mjete vetanake, paguan 500 euro për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për kadet e junior në karate, që u mbajt në Qipro.
Trajneri i klubit të Lybetenit të Ferizajt, Raif Musa, tregon se si ka paguar garuesja e tij, D.Sh.
“Bota sot”: Z. Raif, ju thoni se KK Lybeteni dhe garuesja D.Sh. keni paguar 500 euro në xhirollogarinë e FKK-së, që Kampionja e Kosovës të përfaqësoj Kosovën në Qipro.
Raif Musa: Kryetari i klubit Lybeteni. z. Boletin Musa, me datën 06.01.2023 ka paguar 500 euro në xhirollogari të Federatës së Karatesë, që garuesja jonë D.SH, si Kampione e Kosovës e përzgjedhur nga Federata, të marr pjesë në Kampionatin Europian për kadet në Qipro.
Këtë ja bashkangjesim edhe flet dëshminë e pagesës.
Përndryshe përveç kësaj pagese garuesja jonë i ka shpenzuar edhe 60 euro tjera për shpenzime ditore gjatë qëndrimit në Qipro.
“Bota sot”: Pse keni paguar kur dihet se FKK ka buxheti nga MKRS dhe përveç kësaj edhe ndonjë sponsor?
Raif Musa: Ne kemi paguar për t’i dhënë rast garueses tonë, sepse në të kundërtën Federata nuk do ta dërgonte nga buxheti i tyre me arsyetimin se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, dhe kjo nuk është hera e parë që bëjmë kësi pagesa.
“Bota sot”: Cili ka qenë reagimi i selektorit Ylber Syla?
Raif Musa: Selektori, nuk ka reaguar fare asnjëherë, edhe pse kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet ai.
“Bota sot”: Garuesja ka paguar 500 euro nga xhepi i saj?
Raif Musa: KK Lybeteni kësaj radhe ja ka paguar gjysmën e shumës, kurse gjysmën tjetër prindi i garueses.
“Bota sot”: Do të thotë edhe herëve të kaluara ka pas raste të tilla që garuesit kanë paguar nga xhepi i vet?
Raif Musa: Po shumë herë, posedoj flet dëshmi të vazhdueshme që kemi bërë pagesa të tilla.
“Bota sot”: Këta pare iu kanë kthyer garueses nga Federata?
Raif Musa Jo!
“Bota sot”: Sa është vështirë të paguash nga xhepi?
Raif Musa: E si nuk është vështirë me kushtet e Kosovës, mirëpo vullneti i madh i prindërve edhe yni që të rinjve tanë t’u japim rast po na shtyn në këtë formë të ndajmë para nga kursimet tona, që ta përfaqësojmë Kosovën si shtet.
“Bota sot”: I keni njoftuar institucionet përkatëse sportive, MKRS-në, KOK-un, që garuesit po paguajnë nga xhepi i tyre kur dihet se ministria ndan mjete të mira për Federatën e Karatesë së Kosovës?
Raif Musa: Jo, fatkeqësisht një hap të tillë askush nuk e ka ndërmarr deri më tani, edhe pse kam bindjen se nuk do të reagonte asnjëra, e them këtë me faktin se kam reaguar me shkrim në MKRS dhe në KOK për një rast timin dhe kurrnjëherë s’kam marr përgjigje.