Stomatologu Agron Arifi nga Tetova ka reaguar ndaj konferencës për media të kryetarit Bilall Kasami i cili tha se ka informim tendencioz të opinionit për shkak të videos në rrjetet sociale që tetovari e ka shpërndarë duke shpjeguar se ai dhe qeni i tij shtëpiak janë sulmuar nga një sulm i qenve endacakë. Arifi thotë se nuk është i vërtetë pretendimi i kryetarit se rasti nuk është raportuar, njofton Tetovoinfo, transmeton Portalb.mk.
“Nuk është e vërtetë që nuk e kam denoncuar ngjarjen. E kam lajmëruar në polici, por për shkak se nuk kam pasur lëndime të dukshme, denoncimi nuk është pranuar nga policia, ndërsa aty ka kamera sigurie, kështu që mund të vërtetohet se sa herë kam shkuar në polici në Tetovë. Nuk kam qenë në spitalin e Tetovës pasi kam pasur lëndime të lehta, të cilat më kanë mundësuar të funksionoj normalisht në jetën e përditshme. Kam një raport veteriner për lëndimet që ka pasur qeni im. Çfarë duhej të ndodhte, a duhej që qentë të më shqyenin për të marrë masa serioze”, tha Agron Arifi.
Përveç kësaj, Arifi thotë se rastin e ka raportuar në Inspektoratin komunal.
“Kam qenë disa herë në objektin e Inspektoratit komunal për t’i pyetur se çfarë masash kanë marrë për zbardhjen e rastit. Iu kam treguar se rreziku po rritej çdo ditë dhe qentë po bëheshin më agresivë çdo ditë. Inspektori më tha se nuk mund të më ndihmonte dhe se nuk kishte komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet komunale. Ky nuk është problemi im personal. Nga ana tjetër, unë si qytetar i ndërgjegjshëm dhe anëtar i stafit të shkollës, më datë 10.10.2022, pesë ditë para se të më ndodhte sulmi në video, kërkova si pikë të tretë të rendit të ditës që drejtori i shkollës t’iu drejtohet organeve komunale që të marrin masa dhe t’i largojnë nga rrethi i shkollës”, theksoi Arifi.
Ai thotë se banorët e lagjes rreth shkollës së mesme dhe ShF “Istigal” ballafaqohen vazhdimisht me sulme nga qentë dhe kanë kërkuar zgjidhje më efektive nga komuna, por ka ofruar ndihmë edhe nga ana e tij si qytetar.
“Më vjen shumë keq që autoritetet komunale nuk mund të na ndihmojnë neve si qytetarë kur na rrezikohet siguria. Unë mund t’i ndihmoj që në fillim t’i lokalizojmë dhe të largojmë qentë agresivë, në mënyrë që ky problem të fillojë të zgjidhet. Nëse komuna merret me procedura burokratike në vend që ta zgjidhë problemin në terren, çdo sulm i qenve endacak me pasoja për qytetarët do të jetë nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryetarit dhe komunës së Tetovës”, tha Arifi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një konferencë për media tha se komuna punon për përballje me problemin, pranon kritikat, por konsideron se ka edhe informacione tendencioze, duke krijuar imazh të pavërtetë, si dhe përballje me veprime të pamatura nga qytetarët.
“I tillë është shembulli i disa ditëve më parë, në një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën nuk shihet nëse personi që është sulmuar nga qentë, i ka provokuar qëllimisht apo është gjetur me të vërtetë në një situatë të vështirë. Ndonëse personi ka pohuar se deri më tani është sulmuar disa herë, ai nuk ka dorëzuar asnjë raport për sulm në komunë, në Spitalin klinik apo në SPB Tetovë”, tha Kasami të shtunën.
Javën e kaluar u shfaq një video ku shihet Arifi duke u përballur me qen të shumtë endacakë dhe duke u përpjekur t’i heqë ata nga qeni i tij shtëpiak.
Programi aktual i Komunës së Tetovës për këtë problem nuk parasheh zgjidhje afatgjate
Portalb.mk paraprakisht ka shkruar se problemi me qentë endacak në Komunën e Tetovës nuk do të zgjidhet plotësisht këtë vit.
Në korrik të këtij viti, Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me “Amos Pet”- shoqatën e përzgjedhur për këtë problematikë që parasheh që në 12 muaj të trajtohen vetëm 82 qen të shpëtuar nga rrugët, që është rreth 20% nga numri total i qenve që enden nëpër qytet. Vlera e kësaj marrëveshjeje është 1.271.186 denarë, që do të thotë se trajtimi i një qeni kushton 15.500 denarë.
Qyteti ka rreth 500 qen endacak ku rreth gjysma e tyre janë të mëdhenj mbi 40 kilogram.
Shoqata “Amos” edhe pse për Portalb.mk njoftoi se kur të vijnë në Tetovë të kapin qen do lajmërojnë që të raportojmë para publikut se si bëhet kjo procedure dhe sqarime të tjera, të njëjtën nuk e kanë bërë deri më tani.
Zgjidhja shihet te strehimorja rajonale, e cila nuk dihet kur do jetë gati
Kujtojmë që shpresat ishin te ndërtimi i qendrës rajonale për strehimin e qenve endacak për tërë komunat e Pollogut, por e njëjta dështoi pasi komuna e Bërvenicës refuzoi ndërtimin në territorin e saj.
Pas mbledhjes së fundit të kryetarëve të Komunave të Pollogut, ky kryetar i tyre ështël Bilall Kasami, ai njoftoi se në Komunën e Vrapçishtit do të ndërtohet strehimore për trajtimin e qenve endacakë për këto komuna, me fonde ndërkombëtare dhe me mbështetje të komunave të rajonit të Pollogut.
Burimi: portalb.mk